Si bënte kontrabandë Shqipëria komuniste me mafian italiane

Si bënte kontrabandë Shqipëria komuniste me mafian italiane

Një dokument sekret ka dalë në dritë sot për mënyrën sesi bëhej kontrabandë në sistemin komunist në Shqipërisë nga Zvicra.

Këtë dokument e ka bërë publik ish kreu i Arkivave në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi, i cili jep edhe të dhëna në lidhje me kontrabandën që bëhej mes ministrisë së Tregtisë dhe trafikantëve që kryesisht ishin italianë.

Statusi

Për herë të parë i bëhet i njohur publikut një dokument i kontrabandës së cigareve (ka dyshime edhe për mallra të tjera) që zhvillonte shteti komunist në hapësirën kohore midis viteve 1966-1991. Aktiviteti fillimisht kryhej nga Ministria e Tregtisë, por më pas kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nëpërmjet rrugës tokësore (nga Hani i Hotit), futeshin në Shqipëri kamionë me cigare, të cilat shteti komunist i blinte nga firma zvicerane.

Këto magazinoheshin afër bregut të detit dhe më pas trafikoheshin me anije apo skafe të huaja që vinin në bregdetin tonë. Nga trafikantët e huaj, pjesa më e madhe ishin mafiozë italianë. Qëllimi i tranzitimit të cigares në këtë mënyrë sillte fitim për komunistët e Shqipërisë, si edhe për trafikantët ndërkombëtare pasi e siguronin mallin pa barrierat doganore.

Me organizimin e kësaj pune merrej Dega e Veçantë. Për kohën kur ishte pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ajo ishte fillimisht në varësi të Degës së 2-të të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit.

Më pas ajo kaloi në Drejtorinë e Tretë të Sigurimit të Shtetit (Zbulimi Politik) dhe në fund u quajt Seksioni i 2-të i Repartit 100/5. Dokumenti bashkëlidhur është i nënshkruar nga shefi i Degës së Veçantë “Antonio”. Është një dokument që nuk bën fjalë vetëm për cigare.