Xhaferi në Uashington, takime me kongresmenët amerikan

Xhaferi në Uashington, takime me kongresmenët amerikan

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, në kuadër të vizitës në SHBA, realizoi takime individuale me kongresmenët Robert Pitinxher, Robert Aderholld dhe Dejv Trot.

Siç kumtoi Kabineti i kryetarit të Kuvendit, kongresmeni Robert Pitinxher, i cili njëkohësisht është edhe mikpritës i Forumit Parlamentar të sigurisë, në fillim të takimit theksoi se është i nderuar që kryetari Xhaferi e pranoi ftesën për pjesëmarrje në këtë tubim të rëndësishëm i cili është vazhdim i forumit prej në qershor të vitit 2017 në Riga. Në këtë kontekst, ndër të tjerat, kryetari Xhaferi e informoi kongresmenin Pitinxher për ndryshimet ligjore me të cilat sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve tanë në formacione ushtarake të huaja.

Bashkëbiseduesit konstatuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Maqedonisë gjenden në anën e njëjtë në luftën kundër terrorizmit në botë. Sundimi i të drejtës, liria e të folurit dhe pavarësia e institucioneve janë fondamenti kryesor për ndërtimin e shoqërisë demokratike të shëndoshë të integruar në NATO dhe BE, citohet në kumtesë.