Shkollat gjermane ndihmojnë shkollat e Ivajës dhe Gajrës

Shkollat gjermane ndihmojnë shkollat e Ivajës dhe Gajrës

Shkollat gjermane nga Dortmundi, përmes arsimtarit Kemal Qallaku, mësimdhënës në shkollën shqipe në Dortmund, kanë ndihmuar me inventar shkollor shkollën e fshatit Ivajë dhe Gajre.

Në SHFMU “Dituria” në Ivajë, i pranishëm gjatë pranimit të inventarit shkollor ishte edhe z. Nuhi Gashi, zyrtar për arsimin shqip në diasporë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë. Ai me këtë rast ka falënderuar shkollat gjermane e në veçanti mësimdhënësin e bashkatdhetarin tonë, Kemal Qallaku për ndihmën e ofruar për disa shkolla në vendin tonë si në Pejë, Prishtinë, Ferizaj e në Ivajë e Gajre. Ai ka theksuar se janë gjithsej 4 kamion të mbushur me inventar shkollor në vlerë prej 250 mijë euro, ndërkaq njëri nga to është dedikuar për këto dy shkolla të komunës së Kaçanikut. Ndërkaq, edhe drejtori për Arsim e Kulturë, z. Enver Kamishi ka falënderuar mësimdhënësin Kemal Qallaku, ndërsa e ka vlerësuar si shumë të nevojshme ndihmën e ofruar nga vendi mik, Gjermania, ashtu sikurse edhe z. Nexhadi Luta, drejtor i shkollës në Ivajë i cili ka thënë se tani e tutje janë krijuar kushte më të mira për nxënësit e kësaj vatre arsimore. Në këto dy shkolla janë dhuruar gjithsej 278 karrige, 67 tavolina 6 tabela dhe 4 vitrina për sallën e arsimtarëve.