Beqaj: Demarkacioni nuk e rrezikon koalicionin

Beqaj: Demarkacioni nuk e rrezikon koalicionin

Profesori i shkencave politike, Belul Beqaj, nuk beson se çështja e demarkacionit mund ta rrezikojë koalicionin qeverisës.

Ai ka thënë se ky koalicion është rezultat i interesave të ndërsjella dhe ligjvënësit që e kanë votuar atë nuk mund ta rrezikojnë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Beqaj ka thënë se deputetët do të sillen sipas interesave personale të tyre. “Koalicioni është produkt i interesave të ndërsjella, prandaj ai nuk rrezikohet drejtpërdrejt nga ligjvënësit të cilët e kanë votuar këtë koalicion. Në ofensivën e logjikës makiaveliane mundësia që dikush të sillet moralisht është minimale. Përkundrazi, besoj se shumë ligjvënës janë infektuar nga epidemia e makiavelizmit, prandaj do të sillen konform interesave personale”, ka thënë Beqaj.

Ai ka bërë me dije se demarkacioni me Malin e Zi është përdorur si instrument për të shkuar në zgjedhje të reja. “Demarkacioni ka qenë më tepër instrument për të shkuar në zgjedhje të parakohshme se sa ka qenë shkak për t’i bashkuar votat për, kinse, vendime të mëdha. Votat janë bashkuar meqë PDK-ja me çdo kusht dëshironte të mbetej në pushtet, veçmas AAK-ja me çdo kusht dëshironte të bëhej pjesë e pushtetit, nga i cili më së shumti kanë përfituar Lista Serbe dhe AKR-ja. Prandaj, qëllimi i vërtetë ka qenë pushtetbërja, ndërsa demarkacioni ka shërbyer dhe mjerisht po shërben vetëm si instrument i përshtatshëm i këtij manovrimi”, është shprehur ai.

Më tej, Beqaj ka treguar se nga çfarë mund të rrezikohet ky koalicion qeverisës. Sipas tij, kjo mund të ndodhë vetëm nëse ndodh ndonjë zgjim qytetar dhe nëse faktori ndërkombëtar ndryshon qasje. “Ky pushtet lëkundet vetëm nëse rrezikohet ekuilibri i interesave të partnerëve të koalicionit, fillon zgjimi dhe aktivizimi masiv qytetar dhe, më në fund, ndërrohet qasja e partnerëve ndërkombëtarë ndaj politikbërësve e jo të insistohet në ratifikimin e marrëveshjes, ngaqë (mos)ratifikimi i marrëveshjes është pasojë e kësaj politikëbërje. Për qytetarët e Kosovës më i rëndësishëm se liberalizimi i vizave është të çlirohen nga politika dhe politikanët që i kanë sjellë qytetarët në këtë gjendje”, ka deklaruar Beqaj.

“Epoka e re”: Z. Beqaj, Qeveria e Kosovës tashmë ka proceduar për në Kuvend marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi. Si e ke parë këtë veprim të kryeministrit Haradinaj, i cili, edhe pse e ka kundërshtuar këtë version të marrëveshjes, vendosi ta procedojë për në Kuvend?

Beqaj: Kryeministri aventurist dëshiron t’i realizojë dy qëllime. T’i amnistoj bashkëmendimtarët dhe veten duke dorëzuar raportin dhe t’i stigmatizoj të tjerët pavarësisht se a e votojnë apo jo marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi të cilën, kinse, e kanë përkrahur paraprakisht.

“Epoka e re”: Së bashku me marrëveshjen, deputetëve u është dërguar edhe raporti që ka nxjerrë komisioni i ri për demarkacionin, i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi. Sipas jush, e ka qartësuar ky raport këtë çështje apo e ka komplikuar më shumë?

Beqaj: Çështja e demarkacionit ka marrë një interpretim të ri. Pra, dilemat e deritanishme janë suplementuar me dilema të reja ngaqë autorët e raportit po deklarojnë se vija administrative e kufirit administrativ të trashëguar nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë është barazuar me dëshmitë kadastrale të Kosovës duke anashkaluar mungesën e dëshmive kadastrale të Malit të Zi. Pra, ish-komisioni hapësirën gjeografike të pazhvilluar kadastrale nga të dyja anët e kufirit e ka delimituar në dëm të territorit të Kosovës, ndërsa kjo çështje s’ka qenë detyrë profesionale e tij. Sidoqoftë, mendoj se demarkacioni mund të shërbejë si ilustrim interesant për studentët e shkencave politike për t’i shpjeguar pasojat e shkencës kur bëhet pjesë e kalkulimeve politike.

“Epoka e re”: PDK-ja është deklaruar se do ta votojë këtë marrëveshje, ndërsa AAK-ja dhe Nisma janë deklaruar se sërish do të jenë kundër. Çështja e demarkacionit mund ta lëkundë koalicionin qeverisës?

Beqaj: Koalicioni është produkt i interesave të ndërsjella, prandaj ai nuk rrezikohet drejtpërdrejt nga ligjvënësit të cilët e kanë votuar këtë koalicion. Në ofensivën e logjikës makiaveliane mundësia që dikush të sillet moralisht është minimale. Përkundrazi, besoj se shumë ligjvënës janë infektuar nga epidemia e makiavelizmit, prandaj do të sillen konform interesave personale. Demarkacioni ka qenë më tepër instrument për të shkuar në zgjedhje të parakohshme sesa ka qenë shkak për t’i bashkuar votat për, kinse, vendime të mëdha. Votat janë bashkuar meqë PDK-ja me çdo kusht dëshironte të mbetej në pushtet, veçmas AAK-ja me çdo kusht dëshironte të bëhej pjesë e pushtetit, nga i cili më së shumti kanë përfituar Lista Serbe dhe AKR-ja. Prandaj, qëllimi i vërtetë ka qenë pushtetbërja, ndërsa demarkacioni ka shërbyer, mjerisht edhe po shërben, si instrument i përshtatshëm i këtij manovrimi.

“Epoka e re”: Në anën tjetër, thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare janë shtuar për ta votuar demarkacionin. Sa mund të ndikojë presioni ndërkombëtar për ta kaluar këtë marrëveshje?

Beqaj: Ky pushtet lëkundet vetëm nëse rrezikohet ekuilibri i interesave të partnerëve të koalicionit, fillon zgjimi dhe aktivizimi masiv qytetar dhe, më në fund, ndërrohet qasja e partnerëve ndërkombëtarë ndaj politikbërësve e jo të insistohet në ratifikimin e marrëveshjes, ngaqë (mos)ratifikimi i marrëveshjes është pasojë e kësaj politikëbërje. Për qytetarët e Kosovës më e rëndësishme se liberalizimi i vizave është të çlirohen nga politika dhe politikanët që i kanë sjell qytetarët në këtë gjendje.

 

“Epoka e re”: Nëse nuk miratohet kjo marrëveshje, e sigurt është se nuk do të kemi liberalizim të vizave. Po ndonjë pasojë tjetër, mund ta ketë Kosova?

Beqaj: Qytetarët e kanë humbur shpresën se do të ndodhë ndryshimi i pritur brenda Kosovës, prandaj zgjidhjen e problemeve po e kërkojnë, mjerisht, jashtë. Por, pse të amnistohet lidershipi që është shkaktar i kësaj gjendje? Pse të arsyetohen me kritika të ndërsjella pushtetarët derisa po shfrytëzohen privilegjet e pushtetit dhe po dekompozohet shteti!? Liberalizimi nuk e zgjidh problemin, përkundrazi, nëse Kosovën e braktis pjesa më vitale e saj, në Kosovë do të mbesin vetëm pushtetmbajtësit dhe mbështetësit e tyre. Kjo nënkupton se politikanët aktualë do ta reproduktojnë pushtetin shumë gjatë, ngaqë vështirë se do të kthehet dikush nga Perëndimi derisa në pushtet do të mbesin shkaktarët e ikjes së tyre nga Kosova, apo jo?!