Pianistja Etrita Ibrahimi: Nuk do lejoj të vjedhin punën e artistëve

Pianistja Etrita Ibrahimi: Nuk do lejoj të vjedhin punën e artistëve

Pianistja Etrita Ibrahimi rrëfehet për keqpërdorimin e veprave muzikore të artistëve shqiptarë.

Sipas saj, këto raste janë pa fund, duke filluar nga marrja pa leje e materialeve, tek përdorimi i tyre në vende nga më të ndryshmet, si edhe deri tek transformimi i asaj që ka shkruar autori. Ndalet edhe te transformimi, që i është bërë këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime”, të babait të saj, Feim Ibrahimi, me vargjet e poetit, Gjokë Beci

Ligji për të drejtën e autorit në vendin tonë është në fuqi prej 27 vitesh. Herë parë here në të janë bërë përpjekje për përmirësimin e tij. Por, rezultatet pozitive nga këto përmirësime kanë qenë shumë të patkta. Vetëm para një viti u përmirësua Ligji për të drejtën e autorit (2016), por sërish subjekte të caktuara, private ose jo, vazhdojnë që mos ta njohin dhe zbatojnë atë. Edhe kështu subjekte të ndryshme vazhdojnë duke përdorur pronën e tjetrit, kundrejt asnjë detyrimi. Por, se çfarë ndodh realisht me një autor në Shqipëri, për këtë në një intervistë për gazetën “Shekulli” rrëfehet pianistja Etrita Ibrahimi. Ajo na tregon se vetëm para pak ditësh, mediet audio-vizive, iu janë drejtuar organeve të drejtësisë, duke hedhur në gjyq vet shtetin. “Paturpësisht, këto media u janë drejtuar organeve të drejtësisë, duke hedhur ne gjyq vetë shtetin. Për rrjedhojë, këto organe do të jenë të detyruara të zbatojnë ligjin, të cilin pas një përpjekjeje shumëvjeçare nga ana jonë, organizmat shtetërorë e kanë studiuar dhe miratuar, si për mbrojtjen e të drejtave të autorit, ashtu edhe për sistemin tarifor, edhe pse nga më të ulët në rajon”. Etrita Ibrahimi, si anëtare e agjencisë “Albautor” në këtë intervistë pohon, se si bijë kompozitori (e Feim Ibrahimit), nuk do të lejojë më që mediet audio-vizive të vjedhin punën tonë, siç kanë bërë në këto 27 vite. Pianistja ndal në eksperienca personale, duke i paralelizuar ato dhe me shembuj ndërkombëtar të autorëve në Europë.

Etrita, ka kaluar më shumë se një vit, që Ligji i ri për të Drejtën e Autorit është miratuar. Çfarë ka përmirësuar ky ligj, përsa i përket fushës së muzikës?

Ligji për të drejtën e autorit, ka shumë vite që është në fuqi, por asnjëherë nuk është zbatuar siç duhet. Edhe kur është zbatuar pjesërisht, autorët nuk kanë marrë asnjë të ardhur, sepse këto janë përvetësuar padrejtësisht nga paraardhësit tanë të agjencisë “Albautor”. Për këtë arsye, akoma sot, ne kemi disa procese gjyqësore të hapura, kundër drejtorit të atëhershëm të kësaj agjencie, Idar Bistri. Përtej këtij aspekti, edhe me ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, deri më tani shumë pak subjekte janë ndërgjegjësuar dhe kanë paguar tarifat e caktuara.

Por në fakt një përmirësim, ligji i vitit 2016, e ka sjellë, duke qenë se në zbatim të reformës në fushën e të drejtës së autorit të ndërmarrë nga Ministria e Kulturës vitet e fundit, në gusht të këtij viti, Këshilli Kombëtar i të Drejtës së Autorit, miratoi metodologjinë dhe masën e tarifave të shpërblimit të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit në sistemin e administrimit kolektiv. Në këtë mënyrë, Shqipëria tashmë renditet mes vendeve europiane që adaptojnë një sistem transparent dhe që e aplikojnë këtë sistem tarifor në mënyrë të drejtë dhe të standartizuar me praktikat ndërkombëtare. Hartimi i kësaj metodologjie, është bërë duke u konsultuar me të gjitha grupet e interesit, ekspertet ndërkombëtarë të industrive krijuese, të CISAC-ut (International Confederation of Societies of Authors and Composers), të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vlefshëm në interes të të gjitha palëve të interesuara, duke iu referuar praktikave më të mira ekzistuese në Europë dhe duke i vendosur ato me kuadrin e aplikueshëm ligjor, rrethanat ekonomike dhe kulturore të vendit tonë.

Agjencia për të drejtën e autorit, “Albautor”, ku ju jeni anëtare, para disa ditësh doli me një vendim, se do të vazhdojë rrugën për mbrojtjen e të drejtës së autorit, kundrejt tendencave të mediave audiovizive kombëtare, të cilat janë bashkuar në një front të paligjshmërisë për të anuluar në Gjykatën Administrative të Apelit këtë Sistem Tarifor. Si e shihni këtë nismë të medieve, ju personalisht si artiste, por edhe si anëtare e “Albautor”?

Para disa ditësh dhe pikërisht në ditën e gjyqit në Gjykatën Administrative të Apelit, u prononcova, me fjalët që po citoj më poshtë, pasi edhe sot vazhdoj të jem e të njëjtit mendim: “Si bijë kompozitori, si artiste dhe si anëtare e këshillit drejtues të agjencisë ALBAUTOR, me ndërgjegje të plotë, mbështes pa asnjë rezervë, deklaratën e asamblesë së anëtarëve të kësaj organizate që prej dy vjetësh e gjysëm po përpiqet me shumë mundim, për të drejtat e autorëve shqiptarë dhe asnjë nga ne, nuk do të lejojë më që mediet audio-vizive të vjedhin punën tonë, siç kanë bërë në këto 27 vite…! Paturpësisht, këto media u janë drejtuar organeve të drejtësisë, duke hedhur ne gjyq vetë shtetin. Për rrjedhojë, këto organe do të jenë të detyruara të zbatojnë ligjin, të cilin pas një përpjekjeje shumëvjeçare nga ana jonë, organizmat shtetërorë e kanë studiuar dhe miratuar, si për mbrojtjen e të drejtave të autorit, ashtu edhe për sistemin tarifor, edhe pse nga më të ulët në rajon. Mendoj që pronarët e këtyre medieve, përpara të gjithave, duhet të kërkojnë ndjesë për sa kanë bërë deri më sot, duke shfrytëzuar dhe transformuar pa kriter të gjithë krijimtarinë shqiptare dhe të fillojnë procedurat e zbatimit të menjëhershëm të këtij ligji, duke hequr dorë nga vjedhja shumëvjeçare e pronësisë intelektuale”.