Haradinaj: Unë u besoj Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Haradinaj: Unë u besoj Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se u beson Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, deri tani, Haradinaj nuk ka pranuar demarkimin e kufirit me Malin e Zi, i cili është i vetmi version i pranuar nga shteti i udhëhequr nga Donald Trump.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në 10-vjetorin e themelimit të Kosova United States Alumni (KUSA), e themeluar dhe e financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, që ka për qëllim promovimin e vlerave demokratike, parimeve dhe përvojave që anëtarët e saj i kanë fituar nëpërmjet programeve të ndryshme në ShBA.

Tha se ka besim në KUSA, për shkak të besimit të madh që ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Unë besoj në ekspertizën tuaj, sepse besoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me fat 10-vjetori i themelimit Kosova United States Alumni! RH’, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Por, nuk është kështu kur bëhet fjalë për demarkacionin me Malin e Zi.

Derisa Ambasada amerikane e ka bërë të qartë se mbështesin vetëm marrëveshjen për demarkimin e kufirit të arritur mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, e arritur në vitin 2015, e cila, sipas tyre, rezultoi me mos humbje të territorit nga këto dy shtete, kryeministri Ramush Haradinaj, nuk pranon marrëveshjen e tillë.

Haradinaj formoi Komision të ri i cili erdhi në përfundim se Kosova kishte humb territor. Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është proceduar për në Kuvendin e Kosovës.

Marrëveshja për demarkacion, u nënshkrua në Vjenë. Për palën kosovare, hodhën firmat atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.