Ymeri: Jam kundër eliminimeve politike dhe kundër linçimit të Aidës

Ymeri: Jam kundër eliminimeve politike dhe kundër linçimit të Aidës

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të udhëheqjes së Vetëvendosjes, duke thënë se është instaluar metoda e elimimeve politike. Ka dalë edhe kundër linçimeve që i janë bërë Aida Dërgutit, e cila e kishte fyer Albin Kurtin.

“Ka më shumë se një vit që kur ballafaqohemi me disa probleme të brendshme të cilat tash së fundi, fatkeqësisht, janë bërë edhe publike e mediatike. Mënyra e shprehjes së deputetes Aida Dërguti është edhe e papranueshme, edhe e dënueshme. Aida, përveç kërkim faljes, ka dhënë dorëheqje edhe nga pozitat drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Këtë e përshëndes. Por në asnjë mënyrë nuk e mbështesë e as pranoj linçimin publik që i bëhet Aidës a kujtdo qoftë nga grupe të organizuara të aktivistëve. Këto nuk i shoh qëllimmira e as në dobi të organizatë”, ka thënë Ymeri, derisa ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të Partisë.

Ai e ka pranuar se ka dështuar të zgjidhë problemin e krijuar në Vetëvendosje.

“E thashë edhe më herët: ky problem nuk është tash e një javë. Ka filluar më shumë se një vit më parë. Gjatë kësaj kohe kam parë diçka që nuk më pëlqen, që nuk e mbështesë, një metodë që e dëmton shumë organizatën tonë: metodën e eliminimit politik. Kjo metodë është e dëmshme sepse është informale. Është e padrejtë sepse bazohet në shpifje e insinuata. Është e panevojshme sepse Lëvizja i ka organet e veta edhe disiplinore edhe statutore të cilat kanë potencialin dhe vullnetin për ta mbrojtur secilin prej aktivistëve nga cenimi i integritetit, dhe për ta mbrojtur organizatën nga ata që duan ta dëmtojnë atë. Kjo mënyrë e funksionimit të organizatës është tejet e dëmshme dhe e rrezikshme. Si e tillë nuk na duhet. Sepse ajo e shkatërron besimin e ndërsjellë mes aktivistëve të cilin e kemi kultivuar për një kohë të gjatë. Besimi mes nesh, krahas besnikërisë ndaj konceptit, janë dy shtyllat kryesore të Lëvizjes sonë. Pa to ajo nuk mund të jetë e njëjtë. Kjo metodë e shkatërron kohezionin në organizatë. Pa këtë kohezion Lëvizja nuk rri e bashkuar. E kur nuk është e bashkuar Lëvizja nuk është e fortë. E kur nuk është e fortë humbim të gjithë. Jo vetëm ne, por e tërë Kosova”, ka shtuar Ymeri.

Udhëheqësi formal i Vetëvendosjes ka paralajmëruar mundësinë që të ndodhë edhe më e keqja në Vetëvendosje – ndarja.

“Prandaj edhe kam insistuar edhe në kryesi që kjo çështje të mos hapet pa qenë i pranishëm edhe Albini në mesin tonë. Por, ja që kjo kërkesë e imja nuk u përfill. Nuk e di se kujt po i ngutet dhe pse. Por kjo nguti, kam dronë, mund t’i sjellë organizatës sonë dëme të pariparueshme. Prapë, uroj ta kem gabim”, tha Ymeri.