Dema: Buxheti për UP-në, i pamjaftueshëm

Dema: Buxheti për UP-në, i pamjaftueshëm

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema e ka vlerësuar të suksesshëm punën në UP, megjithatë shprehet i pakënaqur me buxhetin që i është ndarë këtij tempulli të dijes. Ai në Intervistën dhënë Radio Kosovës thotë se universiteti i ka trashëguar disa parregullsi, por që është në proces të eliminimit

Radio Kosova: Si ka qenë ky vit për Universitetin "Hasan Prishtina"?

Marjan Dema: Vitin që po e lëmë mbrapa nuk ka qenë vit i lehtë për  Universitetin e Prishtinës, e në veçanti për menaxhmentin e tij, mirëpo megjithatë ka qenë një vit që na kanë përcjellë disa suksese të cilat sigurisht gjatë bisedës do t’i shpalosim. Këto suksese kanë ndikuar që Universitetit  të  Prishtinës t’i kthehet imazhi pozitiv të cilin e ka pasur, dhe të cilat kanë ndihmuar që të adresohen shumë probleme që i kemi trashëguar. Por mbi të gjitha është vendosja e standardeve, dhe pikërisht  zbatimi i tyre. Kështu që ne i kemi implementuar dhe i  kemi zgjidh shumë prej tyre. Jam shumë i lumtur që këtë vit po e përfundojmë me disa suksese, edhe pse nuk kisha me qenë ai që them që i kemi zgjidhur të gjitha problemet, por i kemi adresuar dhe disa janë në proces.

Radio Kosova: Dihet qe Universiteti i Prishtinës ka mungese të stafit akademik, çfarë pritet të bëhet në këtë drejtim?

Marjan Dema: Stafi akademik në Universitetin e Prishtinës " Hasan Prishtina"  mungon shumë, raporti ndërmjet profesorëve dhe studentëve,  i bie të jetë për një profesor 50 studentë, kurse në Evropë raporti është për një profesor 8 ose 9 studentë. Kish qenë mirë të jetë linear edhe në Universitetin e Prishtinës, por kemi fakultete, siç është Fakulteti Ekonomik dhe Juridik që shkon diku për një profesor ka 250 studentë. Në ketë aspekt,  Këshilli Drejtues me kërkesën e menaxhmentit e ka aprovuar  një rregullore mbi të ardhurat, me të cilën profesorët më nuk paguhen për provimet të cilat i mbajnë. Kemi bërë reduktime edhe në pagesa të tjera, me çka ka rezultuar të kursejmë mbi një milion euro, të cilat mendojmë që t’i shfrytëzojmë për staf akademik dhe staf administrativ.  Mirëpo, një problem tjetër që ballafaqohemi është se për disa lëmi edhe në treg nuk ka kuadro.

Radio Kosova: Cilat janë problemet që e kanë përcjellë Universitetin e Prishtinës këtë vit?

Marjan Dema: Numri i problemeve si në të gjitha institucionet  ka qenë  shumë i madh, mirëpo ajo çfarë ne kemi bërë është se të gjitha problemet i kemi kthyer në objektiva, me plan strategjik. Njëra është   mungesa e legjislacionit, ku gjërat kanë shkuar shumë lart, dhe ne ende punojmë me legjislacion i cili kërkon modifikim, mungesa e stafit akademik, stafit jo akademik, procesi i avancimit dhe punësimit të profesorëve të ri. Problem tjetër ka qenë edhe percepcioni për  Universitetin e Prishtinës, që ende e vlerësojnë qysh ka qenë para njëzet muajve, problemet e infrastrukturës, uzurpimi i pronave të Universitetit të Prishtinës, marrja në mënyrë të paligjshme e tyre.

Radio Kosova: Buxheti që ndahet për Universitetin’’ Hasan Prishtina’’ a mjafton për nevojat e Universitetit të Prishtinës?

Marjan Dema: Me ketë buxhet ne nuk jemi aspak të kënaqur, në funksion të kësaj ne kemi themeluar  shumë zyre, por edhe zyrën për hulumtime dhe  projekte të sponsorizuara.  Për mes kësaj, ne planifikojmë  të marrim fonde nga ente të ndryshme dhe kështu që planifikojmë që vitin e ardhshëm të konkurrojmë për një shumë  më tepër se një milion euro.

Radio Kosova: Cilat janë projektet kapitale për vitin e ardhshëm në Universitetin e Prishtinës?

Marjan Dema: Kemi shumë probleme me shpenzimin e fondeve nga investimet kapitale.  Po ju jap vetëm një statistikë: për një student ne kemi 1. 60 metra katror, që i bie me pak se dy metra katrorë dhe është nën çdo standard.  Kemi humbur shumë, kanë shkuar në suficit me miliona euro për shkak të mungesës se hapësirës, mungesës se lejeve, sepse Komuna e Prishtinës nuk na ka lejuar të ndërtojmë në Kampusin e Universitetit të  Prishtinës.

Radio Kosova: Për mungesën e teksteve universitare, a pritet të ketë përmirësim me literaturë të huaj, duke përfshirë përkthimet?

Marjan Dema: Një ndër sfidat që ne ballafaqohemi është edhe mungesa e literaturës. Ne edhe në këtë aspekt kemi avancuar, shërbimi ynë i teknologjisë se informacionit i ka themeluar, i ka krijuar tri module origjinale, njeri ndër to është shkarkimi i materialeve  nga interneti për studentë.

Radio Kosova: Çfarë mund të na thoni për dukurinë e shitblerjes së diplomave,  pasi që disa studentë kanë pranuar blerjen ose shitjen e punimeve të diplomës?

Marjan Dema: Problemi i shitblerjes  se diplomave dhe plagjiaturës është problem me përmasa më të gjera. Natyrisht prej që ka dalë në shesh ky problem, Universiteti i Prishtinës nuk ka qëndruara duarkryq dhe kemi marrë masa. Fillimisht kemi takuar drejtorin e Zyrës për Krime Ekonomike  dhe kam kërkuar që të bashkëpunojnë me ne për të na ndihmuar rreth kësaj çështje. Problemi tjetër është që askush nuk vjen për të raportuar konkretisht,  por raportojnë vetëm  si dukuri. Kam angazhuar Zyrën për Teknologji të Informacionit që të krijojë një softuer për të kontrolluar punimet e studenteve .

Radio Kosova: Është folur shumë për avancimet e stafit akademik, për parregullsitë, ndërkohë Senati i Universitetit të Prishtinës ka vendosur të pranojë mësimdhënës të angazhuar edhe pa plotësuar kriteret e parapara. Perse po ndodh kjo?

Marjan Dema: Procesi i avancimit ka qenë njëri ndër problemet me të cilat jemi ballafaquar. Po ju jap një statistikë: prej 2013 vetëm dy konkurse i kemi përfunduar,  që njëzet muaj as një profesor nuk është avancuar me punime që janë publikuar në revista jo kredibile. Takimet tona , mbledhjet tona transmetohen drejtpërdrejt. Kemi aprovuar rregullore dhe pothuajse në shumicën prej tyre ka ende hapësirë për avancim të rregulloreve. Angazhimin e profesorëve ne e kemi paraparë me rregullore, shpallet konkursi një herë, dy herë, nëse nuk plotësohet ne duhet ta plotësojmë me kuadër, së duhet të fillojë mësimi. Mirëpo të avancimi dhe punësimi këtu nuk kemi anashkalim të kritereve.

Radio Kosova: Çfarë mund të na thoni për infrastrukturën, a ka hapësirë të mjaftueshme Universiteti i  Prishtinës për kapacitetin e studentëve dhe programet aktuale që ka?

Marjan Dema: Sigurisht që jo! Por nuk është vetëm infrastruktura si hapësirë ku studentët i kryen angazhimet e tyre. U ofrohet procesi mësimor, por nuk mjafton, aty bëjnë pjesë edhe laboratorët, që fatkeqësisht kemi mungesë të madhe të laboratorëve, mungesë të sallave, kemi mungesë për aktivitete të studentëve, disa laboratorë që kanë fakultetet janë shumë të vjetër. Por, ne, si universitet, jemi orientuar  në prioritete për  fakultete. Nuk do të investojmë nga pak në këto investime për laboratorë, por do të përfundojmë një universitet do të vazhdojmë me tjetrin. Kështu që të zgjidhim nga një problem ose dy për çdo vit, por njëkohësisht kemi bërë edhe marrëveshje me shumë  universitete  që të na ndihmojnë t’i dërgojmë studentet atje që të përfundojnë pjesën e hulumtimeve që ndërlidhen me punën praktike.

Autor: Ardiana Hajzeri