Lluka: Sfidë e MZHE-së mbetet sektori i energjisë

Lluka: Sfidë e MZHE-së mbetet sektori i energjisë

Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin Lluka në një intervistë për Radio Kosovën, deklaroi se sfidat kryesore në dikasterin të cilin e drejton janë sektori i energjisë, stabiliteti dhe mos furnizimi i rregullt.

Radio Kosova: Z. ministër, prej se keni marrë mandatin,  a keni identifikuar problemet dhe sfidat që ju presin në udhëheqjen e kësaj ministrie, dhe cilat janë ato?

Valdrin Lluka: Ndër sfidat kryesore të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik  është sektori i energjisë, stabiliteti dhe mos furnizimi i rregullt. Sfidë tjetër është çmimi i energjisë, është jo stabil, për shkak se varemi shumë nga kushtet që kemi në Kosovë. Pos energjisë, sfidë tjetër është Trepça, e cila e ka problemin e vet për shkak që nuk kanë arritur qe një vit ta krijojnë një bord i cili pastaj do ta zhvillonte si një shoqëri aksionare. Ndërsa sfida të tjera të radhës janë ndërmarrjet publike, sepse këto janë në kushte jo të mira. Ato kanë krijuar në vazhdimësi humbje, dhe ka raste kur janë keq menaxhuar vazhdimisht. Të gjitha këto do t’i trajtojmë më prioritet dhe do të jenë qëllimet kryesore gjatë mandatit tim.

Radio Kosova: Çfarë plane keni për minierat?

Valdrin Lluka: Për minierat janë dy plane. Tash së shpejti presim ta kemi një bord aktiv, pastaj në momentin që do ta kemi një menaxhment dhe bordin aktiv, si dhe të gjitha procedurat në vend, atëherë  do të bëjmë në muajin maj një rivlerësim të rezervave të Trepçës, duke përdorur praktikat e fundit, sepse Trepça përdor rezerva të viteve të 70-ta, e që nuk janë të besueshme te investitorët e huaj. Në momentin që bëhet riverifikimi i atyre rezervave, mandej do të dalim të gjejmë investitorë të huaj që të investojnë për zhvillimin e Trepçës. Ndërsa sa i përket pjesës së dytë, Kosova në vitin 2009 i ka deklaruar 11 zona me interes të veçantë. Unë kam filluar procedurat që t’i hapim tri nga këto zona, dhe me ato tri zona do të promovohemi intensivisht nëpër vende të ndryshme të botës, dhe ky është qëllimi ynë, të zgjojmë interesim të kompanitë që janë liderë në botë.

Radio Kosova: Kur pritet të fillojë ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”,  sa punëtorë do të jenë të punësuar, dhe sa do të jetë numri i të angazhuarve?

Valdrin Lluka: Sa i përket Termocentralit “Kosova e Re”, i tërë viti 2018, zgjat me tenderim, dhe në momentin që aprovohet, në fund të vitit 2018 eventualisht në fillim të vitit 2019, do të fillojë ndërtimi i termocentralit.  Ka afat tri vite e gjysmë për ndërtim, mund të zgjasë edhe 4 vite, në vitin 2023 presim ta kemi në funksion Termocentralin ‘’Kosova e Re’’. Sipas marrëveshjes, do të punësohen rreth 10 mijë veta për ndërtimin e këtij termocentrali për 4 vite. Por ajo çfarë është e rëndësishme për mua është punësimi i qëndrueshëm permanent, që do të ketë minimum 500 veta që do të jenë duke punuar në këtë termocentral.

Radio Kosova: Si do të ndikojë në ekonominë e vendit  ky termocentral, dhe a do t’i plotësojë  nevojat  e konsumit të vendit me energji  elektrike ?

Valdrin Lluka: Ekonomikisht besoj që vetëm me këtë projekt, jam i sigurt  që për 4 vitet e ardhshme rritjen e GJDP- së do ta kemi, dhe jam i sigurt se do të jemi lider në Evropë. Ne jemi duke  e mbyllur “’Kosovën  A”  për ta krijuar “Kosovën e Re”, dhe kjo është me tepër për të krijuar stabilitet sesa për të rritur kapacitete energjetike, ne nuk do t’i rrisim kapacitetet energjetike, në fakt do të zvogëlohen për 150mega-wat, sepse Termocentrali ‘’Kosova A’’ i ka 600 mega-wat e kjo ika 450 mega-wat, Pra, kapacitetet do të mbesin të ngjashme, por do të luftojmë sa më shumë që të ulet konsumi, në mënyrë që të kemi ndotje sa më të vogël të ambientit. 

Radio Kosova: Si mendoni t’i tërhiqni investitorët e huaj, dhe çfarë po bëhet për  çështjen e Trepçës?

Valdrin Lluka: Nuk do të pranoj që të kemi investitorë spekulantë, që janë investitorë që vijnë për ta shfrytëzuar rastin dhe në fund përfundojnë në arbitrazh, Kështu që, promovimi i Trepçës do të jetë i vazhdueshëm nëpër shtete që janë liderë në botë, liderë në fushën e minierave dhe vetëm e vetëm për të promovuar këtë potencial që ka Trepça.

Radio Kosova: Si do të rregullohet çështja e tregut energjetik?

Valdrin Lluka: Sfida kryesore për momentin mbetet Serbia. Në momentin kur Serbia do ta njohë Kosovën si  bllok  i veçantë për treg, atëherë besoj që është çështje muajsh për ta rregulluar tregun me Shqipërinë dhe tregun rajonal me vendet e Ballkanit Perëndimor. Negociatat me Serbinë e zgjidhin jo vetëm problemin e çështjes së tregut, por e zgjidhin gjithashtu edhe  problemin e faturave në veri, për të cilat janë ngarkuar deri më tani qytetarët dhe buxheti i Kosovës.

Radio Kosova: Çfarë planifikoni të bëni për përmirësimin e infrastrukturës në fushën e teknologjisë informative?

Valdrin Lluka:  Këtu e kemi një projekt që ka qenë më herët, ky projekt është për digjitalizimin në Kosovë, që thirret Ekonomia Digjitale në Kosovë. Me impelmentimin e këtij projekti, që presim të vijë në muajin qershor të vitit që vjen, Kosova do të mbulohet 98 për qind me fibër optik. Pra, fibra optike është njëra nga linjat më stabile dhe më e shpejtë e internetit, duke u siguruar të gjithëve internet kualitativ në zyrat dhe shtëpitë e tyre. Ky është plani për ne. Janë edhe disa pika të tjera, p.sh: investimin e stacioneve statike  për monitorimin e frekuencave, që Kosova nuk e ka, dhe disa gjëra të tjera sekondare, por, për ne primare, për momentin,  është rregullimi i infrastrukturës dhe qasja në internet të shpejtë për të gjithë qytetarët e Kosovës kudo që ndodhën.

Radio Kosova: Në cilat fusha do të fokusoheni më së shumti për zhvillimin ekonomik të Kosovës?

Valdrin Lluka: Energjia është kritike, duhet të përmirësohet, aty do të jetë fokusi jonë primarë, pastaj fokusi i dytë do të jenë minierat, sektori i minierave, siç është Trepça, dhe tri zonat me interes të veçantë, të cilat do t’i hapim për investime, dhe, normalisht, sektori i teknologjisë informative. 

Radio Kosova: Gjatë mandatit tuaj, qytetarët a do të ballafaqohen sërish me reduktime të energjisë elektrike ?

Valdrin Lluka:  Me reduktimet mund të ballafaqohemi edhe këtë dimër  për arsye se jemi në një situatë para futjes në krizë energjetike, sidomos për shkak të shpronësimit në Shipitullë. D.m.th ne aktualisht jemi duke prodhuar vetëm gjysmë kapaciteti të energjisë, dhe gjysma tjetër është duke u importuar, për shkak se nuk ka me lëvizje, por shpresojmë që edhe këtë dimër ta kalojmë disi, dhe pastaj nga vitet e ardhshme investimet e vazhdueshme në energji besoj që do ta zbusin dukshëm situatën energjetike.

Radio Kosova: Çfarë po bëhet me sistemin e transmisionit që lidh Kosovën me Shqipërinë, dhe pse nuk po vihet në funksion?

Valdrin Lluka: Transmisioni është krejtësisht i gatshëm për  funksion, është testuar dhe është futur në funksion dy orë, problem është se nëse e fusim në funksion atëherë janë 3 milionë euro në formë të tarifave për energjinë, që kalon në transmision dhe shkon në xhepin e Qeverisë së Serbisë, dhe ne, për të mos lejuar një gjë të tillë, ne nuk e kemi futur në funksion. Kemi thënë se së pari të rregullohet transmisioni me Serbinë, e pastaj e fusim në funksion. Tash e kemi kohën dhe mundësinë që mos ta fusim për arsye se ende nuk është bërë tregu i përbashkët në formën e duhur. Mirëpo, çdo vonesë do të na shkaktojë telashe edhe më shumë, prandaj i kemi dhënë afat vetes që, deri në qershor ta rregullojmë këtë çështje me Serbinë, dhe mandej është çështje minutash për ta futur në funksion, është e gatshme realisht.

Autor: Albulena Bytyqi