Historia e këngës më të njohur amerikane të Krishtlindjes

Historia e këngës më të njohur amerikane të Krishtlindjes

Për disa dekada, kënga Carol of the Bells ose Kremtimi i Këmbanave ka qenë një pjesë thelbësore e traditës amerikane të Krishtlindjes, ashtu si pemët e Krishtlindjeve apo dhuratat. Kënga mund të dëgjohet pothuaj çdo ditë në radio ose në reklamat televizive, në versionet rok, xhaz ose metal. Por, çfarë e bën atë aq të paharrueshme dhe popullore?

Radioja Zëri i Amerikës ka biseduar me disa muzikantë profesionistë për të mësuar më shumë për historinë e kësaj kënge.

Është e vështirë të imagjinohet Krishtlindja në Amerikë pa këngën Carol of the Bells.

“Kënga më bën të mendoj për reshje dëbore dhe këmbanat e kishës në sfond, që vijnë e shkojnë. Dhe është interesante se si kjo këngë është ngulitur në mendjen kolektive amerikane”, thotë presidentja e korit “Capitol Hill Chorale”, Kate Hibbs.

"Është mahnitëse thjesht për shkak të vargjeve përsëritëse, të cilat ruajnë ritmin energjitik të këngës dhe pastaj pasurohen me vargje të tjera.Kështu që mbarimi i këngës në mënyrën se si është kompozuar duket i pashmangshëm. Ajo është lehtësisht e dallueshme. Kështu që njerëzit mund ta kuptojnë atë me lehtësi. Me pëlqen", thotë Frederick Binkholder, drejtor i korit “Capitol Hill Chorale”.

'Carol of the Bells' ka qenë një këngë ukrainase e lashtë, para-kristiane rreth ardhjes së pranverës dhe urimeve për një vit të begatë. Në vitin 1916, kompozitori ukrainas Mykola Leontovich kompozoi muzikën për këtë këngë. Punimi i kompozitorit Leontovich arriti në Amerikë më 1921, kur ai dha një shfaqje në Carnegie Hall.

Peter Wilhovski, drejtor kori dhe kompozitor me origjinë ukrainase, ishte i pranishëm në atë shfaqje. Kënga i kujtoi atij këmbanat. I frymëzuar nga këto dy elemente, ai shkroi tekstin e këngës dhe mori të drejtën e autorit në vitin 1936. Nga fundi i viteve 1930, "Carol of the Bells", e njohur edhe si "The Ukrainian Bell Carol", filloi të fitonte popullaritet dhe të lidhej me sezonin e festës së Krishtlindjeve, duke reflektuar gëzimin që shumë njerëz ndjenin në këtë periudhë të vitit.

"Një pjesë e familjes sime, 5-6 breza më parë që erdhi nga zona e Kievit (në Ukrainë) ishte çifute, kështu që këndimi i këngëve për Krishtlindjet ka qenë gjithmonë diçka interesante dhe e çuditshme për mua. Por unë kam kënduar në kore që kur kam filluar shkollën, pra unë kam kënduar këngë Krishtlindjesh dhe e vlerësoj faktin që kjo nuk është një këngë veçanërisht fetare. Prandaj më pëlqen ajo", thotë Gabrielle Levy, anëtare e korit “Capitol Hill Charole”.

"Unë mendoj se një nga arsyet e suksesit të këngës në Amerikë tani është sepse ajo është e përshtatshme për konsumatorët. Nuk ka shumë imagjinatë fetare në përmbajtjen e saj, të paktën në tekstin e saj në gjuhën angleze. Kështu që nuk mund të ofendojë njeri. Ajo gjithashtu nuk ka shumë fjalë, kështu që është shumë e përshtatshme për mjediset e dyqaneve", thotë Paul Selker, anëtar i korit “Capitol Hill Chorale”.

Melodia e këngës nuk është teknikisht e komplikuar, duke e bërë më të lehtë interpretimin e saj. Fillimisht një këngë popullore, ajo tani është përpunuar në zhanre të ndryshme të muzikës si klasike, xhaz, rok, dhe pop, dhe është shfaqur në filma, seriale televizive, dhe në reklama./DW