Sudani synon 10 miliardë dollarë vëllim tregtar me Turqinë

Sudani synon 10 miliardë dollarë vëllim tregtar me Turqinë

Ministri i Jashtëm i Sudanit, Ibrahim Ahmed Abdulaziz Ghandour, tha se rritja e vëllimit tregtar midis Turqisë dhe Sudanit në 10 miliardë dollarë brenda pesë viteve nuk është një ëndërr.

"Kjo është një strategji për të cilën të dyja vendet do të punojnë", tha Ghandour, duke folur ekskluzivisht për Anadolu Agency (AA).

Ai tha se vizita e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe delegacionit të biznesmenëve dhe zyrtarëve në Sudan, jo vetëm që i forcon lidhjet ekzistuese mes dy vendeve, por shënon edhe fillimin e një faqeje të re.

Ghandour tha se ministrat nga të dyja vendet do të monitorojnë nga afër progresin për objektivin prej 10 miliardë dollarësh.

Ai deklaroi se Sudani ofron një numër mundësish për biznesmenët turq.

"Vendi ka burime të mëdha në bujqësi, ujë, tokë, blegtori, minerale, naftë dhe gaz. Mund të gjeni çfarë të doni", theksoi Ghandour.

"Është fqinjë me një popullsi prej 600 milionë banorësh të COMESA-s (Tregu i Përbashkët për Afrikën Lindore dhe Jugore). Sudani është një vend me potencial shumë të lartë", tha Ghandour.

Erdoğan tha të dielën se duhej ndërmarrë hapa të përshtatshëm për të rritur vëllimin e tregtisë në një miliard dollarë dhe pastaj në 10 miliardë dollarë.

Vëllimi aktual tregtar midis Turqisë dhe Sudanit arrin në gati 500 milionë dollarë, tregojnë të dhënat e Institutit Turk të Statistikave (TurkStat).

Eksportet e Turqisë në Sudan arritën në 328.5 milionë dollarë në periudhën janar-tetor të vitit 2017, ndërkohë që importet nga ky vend ishin 78.3 milionë dollarë.