Hoxha kërkon ratifikimin e Demarkacionit

Hoxha kërkon ratifikimin e Demarkacionit

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka deklaruar se pret nga klasa politike të gjej konsensus dhe të aprovohet marrëveshja për Demarkacion. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që të miratohet Demarkacioni dhe qytetarët e Kosovës mos të mbesin të izoluar.

Në një intervistë dhënë Radio Kosovës, ministrja Hoxha,  tha se luftimi i krimit dhe korrupsionit, si një nga kushtet duhet të përmbushet.

RADIO KOSOVA: Aktualisht të gjithë presin që autoritet në Kosovë të kalojnë marrëveshjen e demarkacionit, por a mund të thoni se ka sinjale të qarta që kjo të përfundojë më shpejt?

DHURATA HOXHA: Qeveria e re ka qenë e përkushtuar që të gjejë një zgjidhje lidhur me çështjen e kriterit të mbetur, pra, kalimin apo ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës, i ka bërë përpjekjet dhe tanimë qeveria ka proceduar marrëveshjen në Kuvend. Presim që klasa politike të gjejë një konsensus, i cili ka munguar këto vitet e fundit, dhe të kalojë marrëveshja me Malin e Zi. Është shumë me rëndësi që qytetarët mos të vazhdojnë të mbesin të izoluar, siç kanë mbetur të vetmit në rajon.

RADIO KOSOVA: Derisa të gjithë përmendin demarkacionin, BE gjithashtu po thekson përmbushjen e një kriteri tjetër, luftimin e korrupsionit. Në një deklaratë të fundit,BE ka përsëritur se nevojitet krijimi i një regjistri të rasteve të dënuara për korrupsion të profilit të lartë. Deri tash nuk duket se ka një të tillë në formën  çfarë po e kërkon BE si kusht?

DHURATA HOXHA: Kushti i dytë, luftimi i krimit dhe korrupsionit, është në vazhdimësi një kusht që duhet përmbushur. Duhet të theksoj se ne jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me zyrën e Bashkimit Evropian, dhe institucionet e tjera, dhe në vazhdimësi jemi duke raportuar për të arriturat por, kuptohet që ky kriter duhet me tutje të përmbushet. Institucionet duhet gjithmonë të luftojnë krimin dhe korrupsionin, të ketë në vazhdimësi hetime për raste të reja, ngritje të aktakuzave, gjykime apo procese gjyqësore. Kuptohet çdo herë aty ku ka hapësirë të luftohet krimi dhe korrupsioni e jo vetëm sa për të mbushur numër të rasteve.

RADIO KOSOVA: Ndonëse aktualisht atmosfera në anën e BE është  më inkurajuese sesa më herët, megjithatë, përveç të tjerave a ekziston mundësia që disa nga vendet e BE, sidomos ato që nuk e kanë njohur Kosovën, të kundërshtojnë liberalizimin?
 

DHURATA HOXHA: Edhe përkundër faktit që pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovës, kemi parë edhe për procesin e liberalizmit të vizave edhe procesin e ofrimit të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Kosovën, këto pese vende nuk kanë paraqitur asnjë pengesë. Me të vërtetë disa nga këto pese vendet kanë qenë shume inkurajuese dhe shumë  përkrahëse të mëdha për procesin e liberalizmit të vizave. Mirëpo, rrethanat politike dita ditës janë duke ndryshuar edhe në institucione edhe në vendet anëtare të BE-së, prandaj dua të theksoj se, viti 2018 duhet të shihet si njëra ndër mundësitë më të mëdha  për inkurajim për anëtarësime të reja dhe avancim drejt integrimit evropian.

RADIO KOSOVA: Komisionari Johannes Han ka thënë se 2018 do të jetë vit i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë anëtarësimin. Çfarë mund të presë Kosova përveç liberalizimit?

 DHURATA HOXHA: Liberalizimi është vetëm një nga proceset, mirëpo një arritje shumë e madhe, e cila nuk përmendët shumë, është hyrja në fuqi dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Kosovën. Kjo e ka ankoruar Kosovën në perspektivë të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian. Mirëpo, presim që strategjia e re që do të publikohet në shkurt të këtij viti, pra, krahas deklaratave të zyrtarëve të lartë por edhe të komisionarit Hahn, në presim që Kosovës t’i ofrohet mundësia e aplikimit dhe marrjes së statutit të kandidatit, sepse me këtë perspektivë do të sigurohet stabilitet, paqe dhe zhvillim i qëndrueshëm për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

RADIO KOSOVA: Çështja e migrimit është një nga problemet më të mëdha në BE, në këto rrethana, natyrisht, është më e vështirë për BE-në të përfshijë vende të reja brenda regjimit pa viza, sa do arrijnë autoritet kosovare ta bindin BE-në për të kundërtën?

DHURATA HOXHA: Statistikat e fundit tregojnë që migrimi posaçërisht nga vendi ynë është në kontroll të plotë, dhe tani Kosova bën pjesë në grupin e vendeve që nuk paraqesin rrezik nga migrimi, pra, kemi statistika edhe më të ulëta se sa Serbia dhe disa vende që janë kandidate të Bashkimit Evropian. Këto statistika tregojnë përkushtimin e institucioneve dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës që të marrin masa për parandalimin, por, gjithashtu edhe vetëdijesimi i qytetarëve se migrimi ilegal nuk u jep atyre jetë më të mirë dhe është i rrezikshëm. Në anën tjetër jemi duke bashkëpunuar shumë edhe me vendet e Bashkimi Evropian që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet punësimi sezonal dhe mundësi të tjera punësimi në vendet e BE-së. Nuk mendoj që do të jetë një sfidë çështja e migrimit, qoftë për liberalizimin qoftë procesit të anëtarësimit apo integrimit në BE.

RADIO KOSOVA: Gjatë procesit të Berlinit vendet e  Ballkanit Perëndimor  kanë diskutuar idenë e krijimit të një zone të përbashkët ekonomike. A do të thotë kjo që këto vende edhe për shumë kohë do ta kenë mjaft larg tregun e BE-së?
 

DHURATA HOXHA: Zona e përbashkët ekonomike është një propozim nga disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është duke e përcjellë dhe duke marrë pjesë në këto forume për të diskutuar ketë çështje, kuptohet se duhet të jemi të gatshëm t’i mbrojmë interesat e vendit edhe në këtë treg të përbashkët ekonomik, sepse e dimë që jemi pjesë e një sërë mekanizmash rajonalë, siç është CEFTA, mirëpo edhe përkundër faktit që CEFTA garanton një treg të përbashkët, Kosova nuk mund t’i vjelë përfitimet që dalin nga kjo organizatë rajonale, pra, prodhuesit tanë ende ballafaqohen më pengesa burokratike politike kur vjen puna për import dhe eksport të mallrave nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Është me rëndësi të shohim se si mund të tejkalohet kjo sfidë, por kjo vjen për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia dhe Bosnja, ndërsa, në anën tjetër Procesin e Berlinit nuk e shoh si zëvendësim të procesit të Integrimit Evropian, është një nismë e cila mundohet me projekte infrastrukturore dhe financiare t’i përafrojë vendet e Ballkanit Perëndimor më afër përpushjes së standardeve dhe kritereve në Bashkimin Evropian. Për shembull: Kosova në procesin e Berlinit është përfituesja më e madhe, ka përfituar një fond rreth 80 milionë euro për rehabilitimin e linjës së dhjetë hekurudhore, dhe projekte të tjera të cilat i kemi në hartim e sipër dhe me të cilat synojmë të aplikojmë në 2018-ten, janë projekte shumë të mëdha infrastrukturore, prandaj e shoh si mënyrë përafrimi në BE.

RADIO KOSOVA: Cilat janë sfidat aktuale në zbatimin e marrëveshjes së MSA-së?

DHURATA HOXHA: Duhet të ndërmarrim reforma të nevojshme, të miratojmë ligjet e nevojshme, siç është ligji për përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve dhe  gjyqtarëve, i cili do të siguronte transparencë, llogaridhënie, përgjegjësi më të lartë dhe një sërë ligje të tjera. Gjithashtu sfida të tjera kemi në sektorin ekonomik, pra, përgatitja në sektorin privat që të jenë më të aftë për të konkurruar në mënyrë të barabartë me prodhimet e tyre, qoftë me anë të kualitetit, qoftë me anë të kapaciteteve njerëzore, në tregun e Bashkimit Evropian, një treg prej 400 milionë konsumatorësh. Në anën tjetër disa nga arritjet janë evidente, në vitin 2017 jemi performuesi më i mirë apo i katërti në Evropë në lidhje me raportin apo përmirësimin e klimës se të bërit biznes, sipas raportit të Bankës Botërore, dhe jemi në top dhjetëshen e performuesve më të mirë në botë. Ky është një përparim shumë i madh që Kosova synon që të rrisë numrin e investimeve direkte të huaja në Kosovë. Besoj që jemi në rrugë të mirë, pra shumë është duke u bërë në lidhje me implementimin e MSA-së, duke pas parasysh që MSA ka vetëm dy vite ka që ka hyrë në fuqi.

RADIO KOSOVA: Deri më tani është vlerësuar se ka ecur tepër ngadalë përafrimi i ligjeve të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian. Cilat janë çështjet që pengojnë më shumë këtë proces?

DHURATA HOXHA: Në disa aspekte është e vërtetë që ka ecur  përafrimi i ligjeve të Republikës së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian, por një sfidë në vete është ndoshta përkufizimi financiar, mungesa e fondeve për zbatim apo në tërësi të përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së. Disa nga dispozitat që janë të parapara që ne t’i përafrojmë në legjislacionin e Kosovës, kushtojnë, prandaj edhe kemi instrumente të ndryshme të cilat e përkrahin Kosovën t’i tejkalojë këto sfida. Kemi fondet e IPA-së që na ndihmojnë në përafrimin e legjislacionit, dhe ne do të shikojmë që në vitin 2018 të mundohemi të kemi pronësi edhe më të madhe të këtyre programeve, në mënyrë që t’i kalojmë këto sfida dhe të kemi përqindje më të lartë dhe të suksesshme të përafrimit të legjislacionit. Viti 2018 duhet të karakterizohet me një përshpejtim të hapave të obligimeve, punës që institucionet e Republikës së Kosovës kanë lidhur me agjendën evropiane, dhe ne, gjithsesi, duhet të prodhojmë rezultate dhe nëpërmjet këtyre reformave të përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo është shumë më rëndësi.

 

Autor: Arbenita Marmullaku