Bytyqi: Cilësia e arsimit, mbetet sfidë për ne

Bytyqi: Cilësia e arsimit, mbetet sfidë për ne

"Për ne sfidë barrë mbetet cilësia e arsimit. Ajo që ne jemi duke bërë përpjekje është që cilësinë e arsimit ta fillojmë nga baza, dhe baza është pikërisht sistemi parauniversitar", tha në intervistë për Radio Kosvën, Shyqiri Bytyqi, ministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Radio Kosova: Z. Ministër, si mund ta cilësoni vitin 2017 sa i përket sistemit arsimor, ishte një vit i kënaqshëm për arsimin, apo ka pasur ngecje?

Shyqiri Bytyqi: Ajo çfarë mund të themi për vitin 2017, është me sfida të mëdha arsimi në Kosovë, në përgjithësi në të gjitha nivelet. Mund të themi që nuk është viti që e dëshirojmë dhe e presim. Na jep obligim dhe na shton shtesë përgjegjësi që të angazhohemi më shumë që të kemi një vit të ardhshëm krejt ndryshe nga viti aktual. Tani i kemi të njohura të gjitha problemet që ekzistojnë në të gjitha nivelet dhe na mbetet obligim e përgjegjësi që të ndërmarrim hapat konkretë për të ndryshuar gjendjen e arsimit që e kemi aktualisht.

Radio Kosova: Tashmë keni identifikuar problemet dhe sfidat në sistemin arsimor, cilat janë ato dhe hapat që po ndërmerren?

Shyqiri Bytyqi: Për ne sfidë barrë mbetet cilësia e arsimit. Ajo që ne jemi duke bërë përpjekje është që cilësinë e arsimit ta fillojmë nga baza, dhe baza është pikërisht sistemi parauniversitar. Kemi marrë edhe hapa konkretë, sepse kemi konstatuar që për të ndryshuar cilësinë ka nevojë të kemi një model tjetër të arsimit, ka nevojë që ta shtojmë përgjegjësinë, duke filluar nga mësimdhënësi i cili është çdo ditë me nxënësin, e deri te Ministria e Arsimit. Kemi filluar diskutimet e para, duke filluar nga klasa e parë në të pestë. Planifikojmë që të kemi klasifikimin e mësimdhënësve dhe konsiderojmë që ky model i ri do ta rrisë cilësinë brenda klasës. Ajo dobësi që është vërejtur në sistemin parauniversitar, është se ka pasur mungesë të dhënies së shkathtësive nxënësve tanë. Më shumë është dhënë një mësim teorik, se ajo që aktualisht kemi nevojë të kemi një shkathtësi të marrjes së dijes dhe edukimit. Si pasojë e kësaj është edhe rezultati PISA. Ndryshim tjetër planifikojmë në klasën e gjashtë dhe nëntë, që do të ndikojë në cilësinë e arsimit, ku do të luajnë rol prindërit, mësimdhënësit, nxënësit, pedagogët e psikologët. Te pjesa e mësimit profesional, ne jemi shumë të interesuar që t’i zhvillojmë shkollat profesionale.

 

Radio Kosova: Në fillim të mandatit tuaj dhe ditë më parë në konferencën ndërkombëtare për PISA, keni thënë se niveli i cilësisë së arsimit në Kosovë është i ulët. U paraqitën shkaqet dhe punët që po bëhen aktualisht për të rregulluar këtë gjendje, në çfarë faze jeni?

Shyqiri Bytyqi: Ne jemi në dy faza të përgatitjes: fazën afatshkurtër dhe fazën afatgjatë. Tek pjesa afatshkurtër është konstatuar se nga PISA 2015 e deri tani nuk është bërë ndonjë punë shumë e madhe. Ka qenë një komision i formuar, i cili nuk ka dhënë kontributin për të cilin ka qenë i themeluar. Tani kemi formuar një komision të ri dhe kemi bërë një plan dinamik të punës deri në prillin e vitit 2018, kur edhe planifikohet të mbahet testi. Ky komision ka për obligim që të dalë nëpër komuna, të kontaktojë Drejtoritë Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave dhe të shtojë rëndësinë e testit PISA 2018. Deri në datën e mbajtjes së testit, ne do të bëjmë dy teste provuese. Jemi në fazën e përgatitjes, ku në të gjitha shkollat do të mbahet testi i parë provues. Jemi të vetëdijshëm se në testin PISA 2018, për herë të parë do të jetë forma digjitale, ku kemi një lloj frike se sa do të jenë të familjarizuar nxënësit. Pjesa afatgjatë: komisioni do të ketë për obligim jo vetëm deri në testin 2018, por edhe më tutje - vlerësimi i testit PISA 2018, dobësitë që mund të dalin nga ky test dhe vazhdimi deri në vitin 2021, sepse Kosova duhet të jetë në mesin e shteteve të tjera familjare të Evropës.

Radio Kosova: Për ngritjen e cilësisë duhet një investim më i madh në sistemin arsimor, ndërkohë buxheti i ndarë për arsim është thënë  se nuk është i mjaftueshëm. Keni kërkuar që të rritet ky buxhet, a po si e shikoni ju zgjidhjen?

Shyqiri Bytyqi: Ajo çka ne jemi munduar ta bëjmë është që arsimin ta fusim si prioritet nacional. Nuk kemi arritur ende që arsimi të jetë prioriteti kryesor. Në përpjekjet tona është rritur buxheti krahasuar me  vitin e kaluar, kemi diku rreth tetë milionë më shumë, por nuk i plotëson të gjitha nevojat, që ka kërkesa të jashtëzakonshme, si në trajnime, ngritje të cilësisë, shtimin e kuadrove, pedagogë e psikologë. Në këtë drejtim, dua t’i falënderoj partnerët ndërkombëtarë që po na mbështetin në punën tonë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë me projektet e tyre të na ndihmojnë në këtë zbrazëtinë e buxhetit që kemi, ta mbulojmë me donacione.

 

Radio Kosova: Të arriturat e rëndësishme në arsim janë edhe ato në fushën e legjislacionit si dhe dokumente strategjike. Tashmë ka filluar të zbatohet Kurrikula e re e arsimit parauniversitar, ku edhe janë paraqitur probleme nëpër shkolla, për shkak të mungesës së teksteve që i përshtaten kësaj kurrikule?

Shyqiri Bytyqi: Ajo çka është reale, kurrikula ka filluar të zbatohet në shkollat e Kosovës, mirëpo nuk është shoqëruar me tekstet e reja. Ajo çka ne jemi duke u angazhuar, është që në vitin e ri shkollor, 2018/2019, të kemi libra të reja që do të jenë në përputhshmëri me kurrikulën. Jemi në angazhim të vazhdueshëm që të kemi libra të cilat do t’i plotësojnë standardet. Në muajin janar do të dalim me vendimin për fillimin e botimit të librave të reja, ku është duke punuar Këshilli në këtë drejtim. Në muajin shkurt do të jetë edhe vendimi i dytë, sepse në janar vendimi do të jetë vetëm për librat e shkencave jonatyrore. Konsiderojmë se librat e shkencave natyrore do t’i marrim nga shtëpitë botuese të njohura botërore. Jemi në dy diskutime, me Shqipërinë, sepse ata i kanë të gatshme të përkthyera librat e shkencave natyrore.

 

Radio Kosova: Kohë më parë u pat formuar edhe një këshill për rishikimin e të gjitha teksteve shkollore të nivelit parauniversitar. Çfarë mund të na thoni për këtë, në çfarë faze jeni tani?

Shyqiri Bytyqi: Ka qenë këshilli i formuar dhe është duke vazhduar punën. Tani do ta rifreskojmë këshillin, por nuk do ta pengojmë punën e tij, pasi është me rëndësi dhe duhet të dalë me vendime që duhet të jenë shumë afatshkurtra.

 

Radio Kosova: Gjithashtu, po planifikohet të realizohet mësimi tërë ditor në nivel Kosove, ndërkohë infrastruktura shkollore ende nuk i plotëson kushtet për këtë?

Shyqiri Bytyqi: Edhe kjo metodë e mësimit do të jetë një metodë që do ta ndryshojë cilësinë e arsimit. Kur e kemi futur në programin tonë qeverisës, kemi qenë të vetëdijshëm, sepse situata në terren nuk është në nivelin e duhur. Ne kemi thënë që do të identifikojmë saktësisht se çka  mungon në shkollat e Kosovës dhe çfarë kosto na duhet për të ndërtuar shkollat. Këtë e kemi arritur në një afat shumë të shkurtër, dhe e dimë se sa shkolla mungojnë në Kosovë dhe çfarë kosto na duhet. Në shkollat të cilat i plotësojnë kriteret dhe i kanë kushtet për mësim tërë ditor, ne do të fillojmë vitin e ardhshëm që të ketë mësim tërë ditor. Këtë do ta bëjmë në bashkëpunim me komunat dhe drejtorët e shkollave. Ndërsa, do të mundohemi që të gjejmë mundësi përtej buxhetit të Ministrisë së Arsimit, që të ndërtojmë shkolla dhe t’i kemi të gatshme për të pasur mundësinë që të eliminojmë dy dhe tri ndërrimet në shkolla dhe pastaj të fillojmë më mësimin tërë ditor.

 

Radio Kosova: Z. ministër, kur pritet të dërgohet në Kuvend Ligji për kontributin e mësimdhënësve dhënë gjatë viteve ‘90-ta?

Shyqiri Bytyqi: Ajo çka varet prej neve, ne e kemi përfunduar ligjin si ligj, dhe e kemi kaluar në Qeveri në procedurat e miratimit. Shpresoj shumë që në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë ky ligj do të jetë për miratim, që tutje pastaj të shkojë në procedurat e Parlamentit dhe besoj që  shumë shpejt në vitin e ardhshëm, në janar, do të jetë në Parlament për t’u miratuar. Në kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, nuk ka qenë e planifikuar këtë vit të futet në procedurat e Qeverisë, ka qenë planifikuar për vitin e ardhshëm. Por, për shkak që ne jemi zotuar, kryeministri ka pasur një zotim, e kemi bërë maksimumin që  ligji të shkojë në Qeveri për miratim këtë vit në muajin dhjetor.

Radio Kosova: Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Kosovë-Shqipëri, u nënshkruan disa marrëveshje, konkretisht cilat janë ato për arsimin? Ndërkohë, cilat janë marrëveshjet që po zbatohen, apo ende nuk kanë filluar zbatimin?

Shyqiri Bytyqi: Realisht ne kemi bërë shumë takime dhe kemi bashkëpunim shumë të afërt me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë. Për arsim është nënshkruar një marrëveshje që ka të bëjë me diasporën. Është marrë zotimi që të bëhet financimi i mësimdhënësve në diasporë dhe të pajisen me tekste mësimore. Kjo ka qenë marrëveshja për të cilën shpresojmë që vitin e ardhshëm të realizohet. Ne i kemi përfunduar si Ministri kurrikulat e përbashkëta. Tani kemi standarde për mbajtjen e mësimit në diasporë, pra, do të kemi kurrikulën. Na mbetet që t’i pajisim me tekste vitin e ardhshëm. Bashkëpunim tjetër me Ministrinë është një bashkëpunim për trajnimin e mësimdhënëse dhe vlerësimin e tyre. Tutje jemi duke diskutuar çështjen e librave, nëse arrijmë në një moment që të kemi sistem të përbashkët apo të njëjtë të arsimit. Jemi në fazë të mirë. Presim marrëveshjen për çështjen e diplomave, kemi vonesa për nostrifikimin e tyre. Janë bërë marrëveshje, por nuk kanë rezultuar që janë zbatuar në nivelin e duhur. Ka pasur defekte në marrëveshje ose ka pasur defekte në zbatim. Ne shpresojmë dhe jemi vazhdimisht duke diskutuar bashkë me Ministrinë e Arsimit, ku është përfshirë edhe Ambasada e Shqipërisë, dhe konsiderojmë se duhet ta gjejmë një zgjidhje më të mirë. 

 

                                       

 

Autor: Albana Karaj