‘1385’ premierë në Teatrin ‘Adriana’ të Ferizajt

‘1385’ premierë në Teatrin ‘Adriana’ të Ferizajt

Sonte në ora 20:00 në Teatrin "Adriana" të Ferizajt, do të jepet premiera e monodramës "1385" sipas tekstit të Bardh Frangut dhe në regji të Fatmir Hysenit. Monodrama është kreacion i aktorit Nexhat Xhokli.

Aktori Nexhat Xhokli, tha se ky tekst bënë fjalë për të zhdukurit. “Kjo është një plagë për neve shumë rënë. Kjo lidhet me numrin e të zhdukurve”, tha ai sot në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Monodrama "1385" është një tekst që flet për dramën e të pagjeturve në Kosovë, por me një gjuhë të veçantë, e cila karakterizohet nëpërmjet ironisë, satirës dhe sarkazmit, mbase deri në groteskë. Si e tillë është një dramë e absurdit politik, ku ndeshen morali me amoralitetin, gënjeshtra me të vërtetën, ndershmëria me pandershmërinë, etj.

Në fakt është një tekst që nëpërmjet parabolës sjell kujtimin si referencë për kohën që po e jetojmë. Një valixhe që shërben si varr në lëvizje, një lis që shërben si metaforë e qëndrueshmërisë, një çerdhe lejleku në të, si simboli i bukurisë, përbëjnë elementet mbi të cilat ndërthuret konflikti brenda kësaj monodrame.

Ndryshe aktori Nexhat Xhokli, këtë vit shënon edhe 40 vjetorin e veprimtarisë së tij në skenën teatrale.