Rama: Vendi i FSK-së është pranë NATO-së

Rama: Vendi i FSK-së është pranë NATO-së

Vendi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është pranë NATO-së në momentin kur të merret vendim politik për transformim në ushtri, FSK-ja është e gatshme për një gjë të tillë. Kështu u shpreh në një intervistë për Radio Kosovën komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama, i cili ka folur edhe për planet që e presin FSK-në gjatë vitit 2018.

Radio Kosova: Gjeneral, me gjithë sfidat rreth transformimit të FSK-së në ushtri, FSK mbetet institucioni më i besueshëm. Çka e ka karakterizuar për këtë vit FSK-në?

Rrahman Rama: Fal angazhimit të të gjithë pjesëtarëve të FSK jemi institucioni më i respektueshëm, dhe kjo ka bërë që qytetarët të shohin një zhvillim profesional. Kemi realizuar  qëllimet tona,  edhe pse kemi pasur sfida në proceset zhvillimore. Sfidat janë tejkaluar pa asnjë problem. Mirëpo, sfida kryesore është transformimi.

Radio Kosova:Z. Rama, cilat janë kapacitetet e tanishme të FSK-së dhe a ka FSK-ja nevojë për kapacitete shtesë?

Rrahman Rama:Sido që të jetë, ne kemi një mision, kemi një mandatë kushtetues e ligjor. Prandaj kapacitetet aktuale që janë të njohura nga NATO, do t’i mbajmë dhe do të vazhdojmë me trajnime dhe me zhvillimin e tyre.

Radio Kosova: Gjeneral, çfarë mund të na thuash për aktivitetet e  FSK-së gjatë vitit 2017,  përfshirë këtu edhe deminimin, aksionet humanitare e shumë aktivitete të tjera?

Rrahman Rama: Fillimisht dua të përmendi Njësinë e Deminimin që   gjatë gjithë vitit  janë  të përfshirë në fushat që kanë nevojë për pastrim nga minat. Deri më tani ky njësit ka pastruar me miliona metra katrorë nga mjetet e pashpërthyera. Gjithashtu  është edhe  Njësia për Mbrojtjen Kimike, Atomike  dhe Biologjike. Po flas vetëm në aspektin profesional, ku trupat e FSK-së janë gjatë gjithë vitit të angazhuar për mbrojtjen e qytetarëve.

Radio Kosova: Kur bëhet fjalë për sigurinë e qytetarëve, adresa jonë është FSK-ja. Atëherë Gjeneral, cilat janë politikat e FSK-së  për integrimin e komuniteteve në FSK, e veçanërisht të serbëve?

Rrahman Rama:Një prej të arriturave të vitit 2017 ka qenë edhe integrimi  i komunitetit serb, sepse ka qenë një numër më i vogël i komuniteteve në përqindje. Këtë vit kemi rekrutuar 58 serbë e dy malazezë. FSK-ja është e hapur për të gjithë. Por janë edhe disa kritere që duhet plotësuar. Në jemi forcë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.

Radio Kosova: Gjeneral, po si qëndron FSK-ja me bashkëpunimin ndërkombëtar përveç partnerëve aktualë?

Rrahman Rama: E kemi pasur një vit shumë të suksesshëm sa i përket bashkëpunimit bilateral. Për shembull, me Gardën e AJOVAS kemi pasur mbi 110 aktivitete të përbashkëta. Kemi qenë edhe pjesë e shumë iniciativave rajonale të cilat i kemi realizuar me përpikëri të gjitha  objektivat.

Radio Kosova: Gjeneral, në momentin e transformimit të FSK-së në ushtri, me kapacitetet aktuale që i ka FSK-ja,  a do të thotë se mund të radhitet përkrah ushtrive të botës?

Rrhaman Rama: Ne jemi tash, pavarësisht emrit dhe misionit. Duke u bazuar në performancën e ushtarëve tanë, sikurse e tha edhe ish komandanti i KFOR-it se ushtarët e FSK-së nuk kanë dallim prej atyre të KFOR-it. Mund të them se prej fillimit të gjitha të arriturat i kemi bërë sipas standardeve të NATO-s. Qëllimi dhe synimi ynë është që të jemi pjesë e NATO-s, kurdo që të ndodhë ky proces.

Radio Kosova : Gjeneral, po për vitin 2018 a keni ndonjë plan sa i përket ushtrimeve fushore siç ishte “Shqiponja 5” ku FSK u vlerësua lart nga vëzhguesit ndërkombëtarë?

Rrahman Rama: Po, ushtrimi “Shqiponja 6”do të jetë pak më i veçantë. Në  ushtrimin “Shqiponja 5”partnerët tanë kanë qenë vëzhgues, kurse në vitin 2018 ushtrimi do të mbahet në muajin maj dhe partnerët do të marrin pjesë me njësitet e tyre në këtë ushtrim krah FSK-së. Pra, ky ushtrim do të jetë ndërkombëtar.

Radio Kosova : Gjeneral, Akademia e FSK-së dhe Qendra Rajonale për Kërkim Shpëtim a do të bëhen qendra ndërkombëtare dhe a ka ndonjë pjesëtarë nga rajoni që tani vijon trajnimin, përkatësisht shkollimin aty?

Rrahman Rama: Partnerëve tanë ne u kemi bërë ofertë. Kjo është qendër profesionale dhe në rajon askush nuk i ka këto kapacitete. Kemi filluar me Shqipërinë  dhe vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me Maqedoninë. Qendra është e hapur edhe për institucionet vendore. Edhe në Akademi, për shembull gjenerata 2019-2020 të jetë ndërkombëtare. Kemi 5 kadet nga Shqipëria. Kjo është një e arritur shtesë, sepse jemi në një proces dhe në akademi i gjithë cikli shkollor do të bëhet në gjuhën angleze.

Radio Kosova: Gjeneral, dhe krejt për fund, pas gjithë këtyre zhvillimeve, a do të thotë se FSK-ja është e gatshme ta ndërrojë misionin e saj?

Rrahman  Rama: E them me përgjegjësi, bazuar në të gjitha të arriturat se, nuk kam asnjë dyshim se kurdo të  merret vendimi politik, ne jemi të  gatshëm ta ndërrojmë misionin. Gjithashtu do të zbatojmë planin që kemi para vetes.

Autor: Mejreme Tahirukaj