Ekspozitë provokuese - artistët përballë epokës së terrorit

Ekspozitë provokuese - artistët përballë epokës së terrorit

Një ekspozitë e re synon të tregojë se si bota artistike reagoi ndaj ndryshimeve globale që nga sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara me 11 shtator 2011. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, ekspozita e titulluar “Epoka e Terrorit: Arti që nga 11 shtatori”, në Muzeun e Luftës në Londër, ka bashkuar 40 artistë nga mbarë bota, veprat e të cilëve reflektojnë konfliktin dhe shoqërinë që nga ajo ditë.

Imazhe të njohura, me fuqi mbërthyese dhe lemerisëse. Kuratorët e ekspozitës shpresojnë të nxisin reflektimin mbi gjithçka që ka ndodhur në 16 vjet që nga 11 shtatori.

Ekspozita hapet me punimin “Faqja e Parë 9/12” nga 12 shtatori nga artisti gjerman Hans Peter Feldmann: 151 faqe të para gazetash të publikuara pas sulmeve terroriste. Sanna Moore është kuratore e ekspozitës.

“Në epokën e internetit bombardohemi nga imazhet dhe kjo ndikon tek mënyra si reagon edhe artisti. Fakti që jemi kaq të informuar për ngjarjet botërore dhe që qasja ndaj atij informacioni është kaq e shpejtë, ushqen mënyrën se si artistët bëjnë perceptojnë dhe si reagojnë.”

Disa prej punimeve janë provokuese. Artisti gjerman Fabian Knecht veshi një kostum të pluhrosur të një të mbijetuari nga një sulm vetvrasës në Irak. Ai filmoi veten ndërsa ecte në rrugët e Nju Jorkut – një përjetim i eksperiencës së të mbijetuarve më 11 shtator.

Vëllezërit britanikë Jake dhe Dinos Chapman trajtojnë vazhdimin e konfliktit të dhunshëm - duke përdorur grumbuj figurinash plastike naziste në një instalim që të kujton konturet e kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë.

Ndërsa artisti indian Jitish Kallat ofron anën komike rreth kontrolleve të shtuara të sigurisë që nga 11 shtatori.

Ai Weiwei, artisti kinez që është persekutuar vazhdimisht nga Pekini, gërsheton modernizmin me një skulpturë antike dhe një kamera të sigurisë.

“U jep vizitorëve një mundësi për të menduar ndërsa shikojnë ekspozitën. Ajo reflekton gjendjen e vazhdueshme të emergjencës në të cilën është zhytur bota që nga 11 shtatori”, thotë kuratorja.

Ndër veprat më të fuqishme ashtë ajo e artistit sirian që jeton në Londër, Hrair Sarkissian, i cili braktisi vendin e tij në vitin 2008. Ai ka vëzhguar nga larg se si Siria është përpirë nga lufta civile. Ai ndërtoi modelin e shtëpisë së tij në Damask, ku ende jetojnë prindërit e tij, ndërsa filmoi veten duke e shkatërruar atë me varé.

“Akoma vazhdoj të kem një frikë konstante se diçka do të ndodhë. Kur më telefonojnë prindërit apo kur nuk më telefonojnë, gjithnjë ndjehem i shqetësuar. Për shkak të kësaj frike të vazhdueshme brenda vetes, doja ta thyeja atë, më kapi dëshira ta flak frikën duke shkatërruar modelin e shtëpisë.”

Tragjikisht për Sarkissian – jeta po imiton artin.

“Pasi realizova videon, shtëpia u godit katër herë. Në një nga sulmet prindërit po shikonin televizionin kur u goditën, të gjitha dritaret u shkatërruan, dhe babai mbeti i plagosur”.

Kuratorët shpresojnë që ekspozita ofron një reflektim modern mbi ndërlidhjen që ka ekzistuar prej kohësh mes konfliktit dhe artit.