Berisha: FSK e gatshme të shndërrohet në ushtri

Berisha: FSK e gatshme të shndërrohet në ushtri

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka thënë se FSK-ja është e gatshme të shndërrohet në ushtri të vendit. Ai në një intervistë për Radio Kosovën ka thënë se po presin kushtet ligjore e kushtetuese për këtë transformim, pasi gjithçka tjetër është plotësuar.

Radio Kosova: Z. ministër, cilat kanë qenë sfidat e FSK gjatë vitit 2017,duke e ditur se tashmë qytetarët e Kosovës janë duke e pritur transformimin e FSK-së në ushtri?

Rrustem Berisha: Kjo është një pritje e arsyeshme, sigurisht që edhe qytetarët dhe vetë struktura e FSK-së por edhe rajoni ka nevojë që ne ta zgjerojmë dhe ndryshojmë misionin tonë dhe të shndërrohemi në Forca të Armatosura. Vetë fakti se procesi i transformimit do të jetë në të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, në këtë rast edhe të komunitetit jo shumicë. Ne mendojmë se kjo çështje duhet të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese, që është rruga më e mirë dhe më e lehtë rreth integrimit në NATO,BE, dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Jemi të angazhuar dhe të përkushtuar që kjo të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese. Në kuadër të kësaj e kemi një strategji të integrimit të komuniteteve, kemi një plan veprimi dhe jemi duke punuar në realizimin e këtij plani.

Radio Kosova: Në kuadër të planit për transformim, çfarë angazhimesh keni para vetës. Cili është bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë rreth transformimit?

Rrustem Berisha: Sigurisht se për realizimin e këtij plani është e angazhuar edhe Qeveria, Kryeministria, Presidenca, dhe e tëra do të ndodhë në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë. Kurdo që ndodhë, kjo do të ndodhë në koordinim me të gjithë. Për komunitetin jo shumicë, i cili është në struktura të FSK-së, të krijohet ambient i favorshëm dhe të eliminohen të gjitha barrierat në komunikim. Sa më shumë të krijohen kushtet, atëherë edhe integrimi i tyre do të jetë më i mirë.

Radio Kosova: Ministër, a ka përafrim qëndrimesh sa i përket votimit të transformimit të FSK-së nga ana e deputetëve serbë?

Rrustem Berisha: Që të hapim debat rreth shqetësimeve të tyre që kanë rreth transformimit, duhet të organizojmë edhe një takim me pjesëtarët serbë që janë strukturë e FSK-së e të bisedojnë se si janë integruar. Për ne është shumë më rëndësi që oferta jonë me qenë shumë e sinqertë dhe e qëndrueshme, në mënyrë që të shihet se cilat do të jenë edhe përfitimet e komunitetit jo shumicë kur FSK-ja të transformohet në Forcë të armatosur. Do të rritet edhe numri i pjesëtarëve dhe do të rritet edhe numri i komponentës aktive. Ne do t’i kryejmë të gjitha ato angazhime që i kemi të parapara me plan. Pjesa tjetër mbetet në vendimin e tyre. Por është me rëndësi se ne duhet të mendojmë për sigurinë e vendit tonë. Ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse për rrumbullakimin e shtetësisë së Kosovës, sepse nuk mund të pritet pa kufij dhe duke e lë në mëshirën e dikujt se a do ta votojë apo jo. Oferta jonë është që edhe ata të jenë pjesë e transformimit, për vetë faktin e ndryshimit të kushtetutës. Në anën tjetër, është një rrugëtim më i lehtë për neve që të jemi pjesë e NATO-së, BE-së dhe organizatave të ndryshme.

Radio Kosova: Sa kohë do të marrë transformimi i FSK-së në ushtri, apo më mirë të themi, sa do të zgjasë periudha e transformimit në kuptimin e plotë?

Rrustem Berisha: Sipas Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, është paraparë një plan dhe janë paraparë edhe disa faza. Sa i përket buxhetit, kemi një rritje prej 5 për qind. Në kuadër të këtij misioni aktual që e kemi, është i mjaftueshëm. Për ne është tepër me rëndësi që me këtë mision çfarë e kemi, me misionin aktual, të kontribuojmë për siguri dhe mos të jemi konsumues të sigurisë. Mendoj se bashkërisht mund t’i luftojmë të gjitha fenomenet negative që do ta rrezikonin ambientin e brendshëm të sigurisë, ambientin rajonal dhe ambientin global të sigurisë. Edhe ne si FSK kemi shumë fusha ku mund të kontribuojmë.

Radio Kosova: Z. ministër, në cilat fusha mund të kontribuojë FSK-ja nëse merr pjesë në misione paqeruajtëse jashtë vendi?

Rrustem Berisha:Ne si FSK kemi shumë fusha ku mund të kontribuojmë për sigurinë rajonale dhe atë globale. Deminim, kërkim, shpëtim, mbështetje mjekësore, mbrojtje kimike, biologjike, atomike. Kemi shumë oficerë që kanë treguar rezultate nëpër akademi të ndryshme prestigjioze dhe mund të jenë oficerë shtabi të shkëlqyeshëm, mund të kontribuojmë në ruajtjen e objekteve vitale, pastaj në ngritjen e kampeve për refugjatë. Kështu që, mund të jemi kontribuues të sigurisë dhe jo vetëm konsumues të sigurisë.