KOMF reagon për mosndarjen e mjeteve për fëmijët me aftësi të kufizuar

KOMF reagon për mosndarjen e mjeteve për fëmijët me aftësi të kufizuar

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, me keqardhje ka pritur lajmin për mos votimin e amendamentit për Projektligjin për Buxhetin për vitin 2018 që parashihte ndarjen e 739 mijë euro si nënprogram nën kodin buxhetor 208, për pagesën e personelit profesional për të gjitha institucionet edukativo arsimore të sistemit parauniversitar në Kosovë, konkrektisht mjetet për 50 asistentë për fëmijët më aftësi të kufizuara dhe 100 psikologë – pedagogë në shkolla.

KOMF ka zhvilluar konsultim të gjërë me organizatat anëtare të specializuara të fushës dhe deklaron që mos votimi i këtij amandamenti do të prodhojë stagnim dhe mos avancim të sistemit arsimor gjithëpërfshirës për fëmijët.

Mos votimi i këtij amandamenti nga deputetet e Republikës së Kosovës, është në kundërshtim të plotë më interesin më të mirë të fëmijëve, Konventën për të Drejtat e Fëmijës[1], Kushtetutën e Republikës së Kosovës[2] dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar.

Konkretisht, Ligji për Arsimin Paraunivesitar garanton gjithëpërfshirjen, shërbimet efektive, të dizajnuara për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim, në pajtim me aftësitë dhe nevojat e tyre specifike, si dhe për të avancuar zhvillimin e tyre arsimor dhe social. Po i njejti ligj, përcakton “Personelin profesional jomësimdhënës”.

KOMF konsideron se për asnjë arsye, qoftë ajo financiare apo organizative, arsimimi cilësor për fëmijët me aftësi të kufizuara nuk duhet të mohohet. Në këtë mënyrë fëmijëve me aftësi të kufizuara po iu rrezikohet e drejta e tyre themelore për arsim cilësor. Për më tepër, mos ofrimi i kushteve për arsimin për fëmijët  më aftësi të kufizuara rritë stigmatizimin e fëmijëve duke vështirësuar apo pamundësuar qasjen dhe ri integrimin e tyre në shoqëri.

KOMF bën thirrje që në rishikimin e buxhetit për vitin 2018 të përfshihet dhe votohet ky propozim në mënyrë që të përmbushet obligimi shtetëror në mbrojtje të fëmijëve.

KOMF ju bën poashtu thirrje MASHT, komunave, institucioneve arsimore dhe organeve të tjera relevante, të përfshira në ofrimin e arsimit parauniversitar, që të planifikojnë dhe ofrojnë arsimin gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët në Republikën e Kosovës për të avancuar zhvillimin e tyre arsimor dhe social.