Lajthitë, mrekulli për zemrën, muskujt dhe kockat

Lajthitë, mrekulli për zemrën, muskujt dhe kockat

Lajthitë kanë një vend primar në fronin e arrorëve që na shtojnë jetën.

Popullariteti i tyre nuk shuhet kurrë si pasojë e shijes së parezistueshme. Janë të vogla, por bëjnë një punë të jashtëzakonshme.

Shqipëria është e bekuar me pemishte lajthish nga Veriu në Jug dhe nga Perëndimi në Lindje. Zonat më prodhimtare të lajthive shqiptare janë Mati, Bulqiza, Dibra, Përmeti dhe Berati, por i gjejmë edhe në Vlorë dhe Pogradec.

Lajthitë janë të pasura me proteina dhe vitamina. Përdorimi i tyre nuk është i limituar në kuzhinë, por shkon përtej e si rrjedhojë, përfitimet janë të panumërta. Ku ka lajthi ka shëndet të mirë. AgroWeb.org ka identifikuar vlerat më të rëndësishme të lajthisë për trupin e njeriut.

Mbrojnë shëndetin e zemrës. Lajthia është nga ato ushqime që edhe të shijon, të kënaq shpirtin siç i themi ne, por edhe na bën mirë. Lajthia ka yndyrna të pangopura të cilat zvogëlojnë kolesterolin e keq në gjak me 27%.

Sipas studimeve njerëzit që konsumojnë lajthi rregullisht kanë 50% më pak shanse për të humbur jetën si pasojë e atakut në zemër.

E pasur me Vitaminë E. 100 gram lajthi ofrojnë 15% të dozës së rekomanduar të vitaminës E. Vaji i lajthisë është një burim i shkëlqyer i Vitaminës E që parandalon shpërbërjen e qelizave të kuqe të gjakut dhe rrezikun e shfaqjes të sëmundjeve të gjakut.

Mbron muskujt dhe kockat. Magnezi luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e sasisë së kalciumit që futet dhe del nga trupi. Muskujt kanë nevojë për kalcium dhe lajthitë ndihmojnë me spazmat, lodhjen dhe ngërçet. Mangani nga ana tjetër ndihmon dhe forcon kockat dhe mban larg sëmundje të kockave.

Sistemi nervor. Lajthitë janë të pasura me vitaminë B6 që nevojitet për formimin e mielinës mburoja e nervave që rrit shpejtësinë dhe efikasitetin e impulseve dhe lejon funksionimin normal të sistemit nervor.

Shëndeti i sistemit të tretjes. Mangani që gjendet tek lajthitë lehtëson metabolizmin e proteinave dhe karbohidrateve. Përmbajtja e lartë e fibrës promovon lëvizjen e rregullt të sistemit tretës. Konsumimi i fibrës bën që të mbani peshën nën kontroll dhe të ndiheni të ngopur për shumë kohë.

Ndihmon gratë shtatzëna. Në ndryshim nga arrorët e tjerë, lajthitë janë një burim i pasur me folat. 100 gramë lajthi kanë 30% të dozës së rekomanduar ditore. Folati i bën mirë grave shtatzëna sepse parandalon aneminë dhe defektet nervore tek foshnjat.

Sa lajthi duhet të konsumojmë në ditë?

Si çdo ushqim tjetër edhe lajthitë kanë një dozë të rekomanduar ditore. Doza e shëndetshme ditore e lajthive është 20 kokrra në ditë. Sipas të dhënave nëse konsumoni lajthi në pesë ditë ose më shumë ditë në javë, reduktoni rreziqet e zemrës me 30-50%./AgroWeb.org