Gurët në tëmth, komplikacionet dhe trajtimi

Gurët në tëmth, komplikacionet dhe trajtimi

Ndonëse në pamje të parë gurët e tëmthit duken një patologji beninje, kur shoqërohen me infeksione të përsëritura shkaktojnë fibrozë të kolecistes, e cila mund të bëhet pararendëse e karcinomës së kolecistes.

Gurët e rrugëve biliare ose litiaza biliare nënkupton praninë e gurëve në fshikëzën e tëmthit ose në kanalet biliare brenda ose jashtë mëlçisë. Vetë bila (lëngu i tëmthit) prodhohet në mëlçi dhe, pasi del prej kësaj të fundit, depozitohet në fshikëzën e tëmthit.

Në momentin kur ushqimi mbërrin në zorrën e hollë, fshikëza e tëmthit tkurret dhe e derdh përmbajtjen në një kanal që quhet koledok dhe ky i fundit, duke grumbulluar edhe sekrecionet me origjinë nga pankreasi, e derdh përmbajtjen në zorrë për të marrë pjesë në procesin e tretjes. Gurët e rrugëve biliare hasen më shpesh tek femrat se meshkujt.

Në përmbajtje të tyre gurët kanë kolesterolin dhe bilirubinatin e kalciumit. Procesi i formimit të gurëve është gradual. Në fillim krijohet ajo që quhet “sludge” ose ndryshe llum biliar, i cili gradualisht precipiton deri në formimin e gurëve.

Simptomatika

Për sa i përket simptomatikës, shumë pacientë nuk paraqesin ankesa dhe kalkuli zbulohet rastësisht gjatë kryerjes së ekos abdominale. Një pjesë e pacientëve paraqesin çrregullime të tretjes, si dhimbje pas ngrënies, ndjesi fryrje, të përziera. Tabloja klasike, ose e ashtuquajtura kolika biliare, karakterizohet nga dhimbje në trajtë krizash pas ngrënies, që fillojnë në epigaster (stomak), përhapen më pas në hipokondrin e djathtë (poshtë harkut brinjor) dhe shpatullën e djathtë, shoqëruar me të përziera ose të vjella. Kur dhimbja bëhet më e qëndrueshme dhe shoqërohet me temperaturë, kjo nënkupton infeksionin e fshikëzës së tëmthit (kolecistit) dhe përbën një nga komplikacionet e litiazës biliare. Komplikacione të tjera janë pankreatiti, zbritja e gurit në koledok (koledokokolitiaza) dhe infeksioni pasues (kolangitis).

Diagnoza dhe trajtimi

Metoda diagnostikuese më e thjeshtë është eko abdomimale e cila mund të pasohet nga tomografia e kompjuterizuar (skaner) ose rezonanca magnetike. Për sa i përket trajtimit ai është medikamentoz, kirurgjikal dhe me litotripsi ekstrakorporale (copëtimi). Trajtimi medikamentoz me acid ursodeoxycholic rekomandohet në gurë me përmbajtje kolesteroli më të vegjël se 1.5 cm,  akoma më mirë më të vegjël se 1 cm në një fzhikëz tëmthi funksionale.Trajtimi zgjat 6 deri 18 muaj por gurët ripërsëriten në shumë pacientë pas disa vitesh ndaj remomandohet kontroll periodik ekografik. Trajtimi kirurgjikal rekomandohet në rastet simptomatike ose të komplikuara dhe në pacientë me patologji të tjera si diabeti mellitus, anemitë hemolitike, fibrozën e kolecistës (pararendëse e karcinomës së kolecistës). Në pacientët me kalkula unike ose asimptomatike interventi lihet përgjithësisht në zgjedhjen e pacientit. Interventi mund të kryhet me laparotomi ose laparoskopi.