Gashi premton rroga dinjitoze për aktorët e teatrit

Gashi premton rroga dinjitoze për aktorët e teatrit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi sot ka mbajtur konferencën e fundvitit me anë të cilës ka prezantuar raportin e punës njëqind ditësh të kësaj ministrie.

Ndërkohë, nuk ka lënë pa përmendur edhe arritjen e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe aktorëve rezidentë të Teatrit Kombëtar të Kosovës për rritje pagash. I pyetur nga KultPlus, lidhur me planin konkret të kësaj Ministrie për ngritjen e pagave të aktorëve rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pasi që, një rregullore e dërguar më herët në Parlament është refuzuar nga Komisioni Parlamentar i Republikës së Kosovës, ministri Kujtim Gashi, tha se kjo çështje do të zgjidhet brenda buxhetit të MRKS- së.

Ai tregoi se janë duke punuar në rregulloren së bashku me Sindikatën e Aktorëve, ku i kanë përfshirë të gjithë në mënyrë që vendimmarrja të jetë e përbashkët.

“Po , rregullorja është refuzuar nga Komisioni Parlamentar, por ne kemi një zgjidhje brenda Ministrisë. Jemi duke e punuar rregulloren së bashku me Shoqatën Sindikale të Aktorëve, ku i kemi përfshirë të gjithë në mënyrë që vendimmarrja të jetë e përbashkët, kurse i kemi dërguar një dokument Ministrisë së Financave sa i përket buxhetit lidhur me këtë rritje. Ne jemi krejt në rregull sa i përket rritjes, sepse këtë çështje do ta zgjidhim brenda buxhetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, natyrisht me vendim të qeverisë” tha ministri Gashi./ KultPlus/