VIDEO-Gashi:Do të kërkojmë donatorë apo kredi për objektin e operës

VIDEO-Gashi:Do të kërkojmë donatorë apo kredi për objektin e operës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka deklaruar se së shpejti do të vihen në funksion inspektorati i trashëgimisë kulturore, si dhe do të nënshkruajnë një marrëveshje me Bashkimin Evropian me të cilën Kosova do të përfitojë fonde në kuadër të programit Evropa Kreative.

Gashi në konferencën për fundvit, tha se ka qenë i përkushtuar ta zbatojë planin e ministrisë, por ka shtyrë përpara edhe projekte që i ka propozuar bashkë me kabinetin e tij.

Ministri foli për buxhetin dhe shpenzimet e këtij buxheti, ku 98 për qind prej tij janë shpenzuar sipas planifikimit, por edhe ka shtyrë përpara edhe projekte që i ka propozuar bashkë me kabinetin e tij. Një nga sukseset më të rëndësishme në trashëgiminë kulturore gjatë 100 ditëve është themelimi i inspektoratit të trashëgimisë kulturore.

Gjatë vitit 2017 Republika e Kosovës është anëtarësuar në Federatën Ndërkombëtare të Këshillave të Artit dhe Agjencive të Kulturës, i cili mundëson qasje në rrjetin ndërkombëtar që është i dedikuar në përmirësimin dhe zhvillimin e programeve kulturore.

Ndër të arriturat më të rëndësishme të kësaj ministrie kanë qenë: promovimi i të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta, duke hartuar kështu një strategji kundër Piraterisë .

I pyetur nga RTK, se kur do të ketë Kosova një objekt të Operës dhe Baletit, ministri Gashi, tha se Ministra është e interesuar ta ndërtojë, edhe pse është një kosto e lartë për buxhetin e Kosovës. “Ne do të  shfrytëzojmë rrugë alternative, donatorë apo kredi për një projekt i cili i plotëson nevojat e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

 Nga 25 milionë e 146 mijë euro që ka pasur gjatë vitit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpenzuar 98 për qind të këtij buxheti.