Vendimet e veçanta të kryetarit të Hanit të Elezit

Vendimet e veçanta të kryetarit të Hanit të Elezit

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma i cili nuk anon në asnjë subjekt politik por është i pavarur ka arritur që për herë të tretë me radhë të vazhdojë me udhëheqë këtë komunë.

Madje, i njëjti këtë e ka bërë pa asnjë ditë të fushatës elektorale.

Suma në një ‘Intervistë’ dhënë për “Indeksonline” ka treguar prioritetet dhe sfidat që do ta presin atë gjatë vitit të ardhshëm.

Ai ka thënë se deri tani janë bërë disa ligje me të cilat përfitojnë disa qytetarë të kësaj komune kufitare.

Sipas tij, fëmijët e porsalindur do të shpërblehen me një shumë simbolike nga Komuna.

Pastaj, ligji për ndarjen e pensionit për disa familje në Maqedoni që kanë rënë dëshmorë do të vazhdojë edhe në vitin 2018 deri në momentin që përfundon procedura ligjore.

Po ashtu kryetari Suma ka folur edhe për çështjen e flamurit ‘Kuq e Zi’ që ka vendosur afër kufirit me shtetin fqinj. Ai tregon se arsyeja e kësaj qëndron sepse çdo shqiptarë ka luftuar për këtë flamur kombëtarë.

Më poshtë keni intervistën e plotë me Rufki Sumën:

Çka pritet të veçohet më shumë edhe për një mandat në komunën e Hanit të Elezit?

Rufki Suma: Do të mundohemi të menagjojmë ashtu si deri më tani drejtë, të jemi transparent dhe të japim llogari para qytetarëve për punët dhe aktivitetet tona.

Cili është qëllimi kryesor i juaj gjatë këtij mandati?

Suma: Të vazhdohet me punët aty ku kan mbetur, të hulumtojmë në gjetjen e donatorëve të ndryshëm për të realizuar sa më shumë projekte, të gjejmë investitor për hapjen e bizneseve të ndryshme në mënyrë që të krijohen vende të reja të punës, me një fjalë të jemi sa më afër qytetarëve për realizimin e kërkesave të tyre.

Cilat kanë qenë sfidat kryesore për të cilat jeni përballur gjatë këtij viti?

Suma: Problemi i ujit ka qenë sfida kryesore e jona jo vetëm gjatë këtij viti por edhe viteve te kaluara, jo se s’kemi patur mundësi të menaxhojmë, por se nuk po na lejohet nga niveli qendror, për shkak se ata i japin të drejtë vetëm kompanive regjionale.

Cilat janë prioritetet e juaja në këtë mandat për Hanin e Elezit?

Suma: Zgjedhja e problemit të ujit të pijes, presioni i vazhdueshëm në nivelin qendror deri në hapjen e zyrës së punësimit, Qendrës për regjistrimin e Automjeteve, hapjen e degës së gjykatës themelore, ndihmë e vazhdueshme sektorit të bujqësisë, ndihmë permanente sportit dhe kulturës, zhvillimi ekonomik, përkrahja e vazhdueshme e kategorive të dalura nga lufta dhe kategorive tjera sociale, Arsimi e shëndetësia etj.

Keni bërë ligjin që për çdo foshnje që lindet në këtë komunë të shpërblehet me 100 euro, a mund të na shpjegoni më detajisht këtë, a do të vlejë në gjithë mandatin qeverisës?

Suma: Komuna ka marrë vendim për një ndihmë simbolike me rastin e lindjes së fëmijëve, ku çdo fëmije të lindur i takojnë nga 100 euro. Ky vendim nuk ka kufizim do të vazhdoj edhe më tutje. Të drejtën per ta shfrytëzuar këtë ndihmë e kanë banorët rezident të Hanit të Elezit.

Ndarja e pensionit për ushtarët që kanë rënë në Maqedoni, a do të vazhdojë edhe në vitin tjetër?

Suma: Ky vendim do të jetë në fuqi deri sa të fillojnë të trajtohen me ligj në Kosovë, pra, deri në momentin që këto familje do të përfshihen në marrjen e pensioneve nga ana e shtetit. Në momentin kur këto familje do të trajtohen me ligj, dhe fillojn ti marrin pensionet sipas ligjit, vendimi do të ndërpritet se edhe ashtu shkruan në vendim.

Keni vendosur në këtë komunë flamurin Kuq e zi, cila ka qenë arsyeja e kësaj?

Suma: Flamuri kombëtarë kuq e zi, gjithmonë ka qenë prezent në komunën e Hanit te Elezit dhe do të jetë prezent edhe më tutje. Nuk ka ndonjë arsye të veçantë për këtë. Jemi shqiptarë, gjithmonë e kemi patur këtë flamur, kemi lindur, jemi rritur dhe kemi luftuar me këtë flamur, dhe ky është flamuri ynë kombëtar.

Ligji për të cilën dënohen qytetarët në rast se dëmtojnë ambientin, a do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme?

Suma: Ligji si i tillë ekziston, gjithashtu edhe komuna ka rregullore që trajton çështjen e ambientit dhe ky ligj dhe kjo rregullore do të zbatohet edhe në të ardhmen sepse ligjet dhe rregulloret bëhen për tu zbatuar, ndryshe nuk ka efekt miratimi i tyre.

Cili është mesazhi juaj për vitin e ri,2018?

Suma: Të punojmë edhe më tepër, të lihen anash mosmarrveshjet politike kur është në pyetje shteti dhe kombi. Qytetarët të kryejnë obligimet ndaj shtetit, por në anën tjetër edhe shteti të kujdeset më tepër per ta, ti krijon kushte për lëvizje të lirë jashtë shtetit (liberalizimi i vizave),

Ku dhe me kënd do ta pritni këtë vit të ri?

Suma: Si çdo herë, edhe për këtë vit, Vitin e Ri e pres në shtëpi sikur edhe ditëve tjera të zakonshme, në përjashtim te asaj se nga momenti kur jam në detyrën e kryetarit të komunës, vazhdimisht në natën e vitit të Ri vizitoj institucionet publike që gjenden në detyrë siç janë: Policia, FSK-ja, QKMF-ja, Zjarrfiksat etj.