Bankat shënuan fitim rreth 90 milionë euro në vitin 2017

Bankat shënuan fitim rreth 90 milionë euro në vitin 2017

Bankat komerciale në Kosovë kanë arritur të fitojnë rreth 90 milionë euro për vitin 2017. Ky fitim në sektorin bankar, sipas ushtruesit të detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka ardhur si rezultat i reduktimit të shpenzimeve që bankat janë më të kujdesshme dhe njëkohësisht edhe nga ulja e kredive të këqija.

Fehmi Mehmeti në një intervistë për KosovaPress ka thënë se në vitin 2017, normat efektive të interesit për kredi kanë shënuar rënie në 6.8 përqind, sa kanë qenë vite më parë deri në 14 përqind.

 “Ulja e normës së interesit në këtë masë ka ndikuar që të kemi kushtet më të mira për financim dhe rritet qasja në financa në Kosovë. Por, është një fakt që bankat kanë fituar, por jo si rezultat i rritjes së të hyrave nga interesi, përkundrazi kanë zvogëlim të të hyrave nga interesi, diku totatli i fitimit të bankave nga të hyrat e interesit është 33 përqind, jo më shumë. Mirëpo, ky fitim ka ardhur si rezultat i reduktimit të shpenzimeve që bankat janë më të kujdesshme dhe njëkohësisht ulja e kredive përformuese ka ndikuar që të rritet fitimi i bankave… 85.4 milionë euro është fitimi bankave për këtë periudhë janar-nëntor”, ka thënë Mehemti.

Ai ka thënë se në procesin gjyqësor janë 187 milionë euro në raport me 2.44 miliardë euro, sa është sot vlera e kredive. Sipas tij, trajtimi këtyre rasteve do ta ndihmonte stabilitetin financiar.

 “Realisht është sfidë, zgjidhja e kredive të pa kthyera... Vet fakti që aktivizimi i përmbaruesve privat ka ndikuar pozitivisht në zgjidhjen ose nxitjen e pagesave të borxheve jo vetëm në sektorin bankar, por në përgjithësi. Prandaj, rritja e përmbaruesve privat, krijimi një Dhome të Veçantë të gjykatësve do t’i trajtonte rastet e kredive të pa kthyera që do ta ndihmonte stabilitetin financiar. Kur jemi te çështja e gjykatave, dua ta potencoi një fakt se prej themelimit të bankave e deri më tani janë diku 9 mijë e 700 raste të kredive që kanë shkuar nëpër gjykata, që nëse konvertohet në vlerë financiare i bie diku 187 milionë euro”, theksoi Mehmeti.

Drejtuesi i BQK-së ka apeluar tek qytetarët që t’i shmangen investimeve në Bitcoin ngase sipas tij, nuk është e rregulluar ligjërisht, nuk ka institucion që garanton për këtë dhe qytetarët mund t’i humbasin mjete.

 “Realisht ky fenomen ka një koncepti virtual, nuk dihet pala kundrejt kush është dhe përderisa kjo nuk dihet ka rrezikshmëri të lartë. Rrezikshmëri të lartë paraqet po ashtu edhe lëvizja e shpeshtë e vlerave të kësaj paraje virtuale. Kjo dëshmon se ka rënë vlera nën 30 përqind për një javë ditë dhe për këtë arsye në si Bankë Qendrore kemi qenë të kujdesshëm në këtë drejtim, kemi lëshuar një paralajmërim për të gjithë qytetarët se nuk është e rregulluar me ligj dhe përderisa nuk është rregulluar me ligj dhe nuk ka institucion që i garanton, i kemi bërë me dije që të jenë të kujdesshëm në investimin e mjeteve të tyre, sepse mund t’i humbasin dhe nuk ka institucion që mund t’ia rimburëson këto mjete”, ka theksuar ai.  

Mehmeti ka thënë ndër të tjera se BQK nuk planifikon të nxjerrë valutën shtetërore, ngase sipas tij, përdormi i valutës euro  si valutë zyrtare ka ndikuar që të ketë edhe stabilitet financiar.

 “Nuk planifikohet që të ketë valutë, e themi kushtimisht se është mirë të kemi euron si valutë zyrtare. Përdormi i euros si valutë zyrtare ka ndikuar që të kemi edhe stabilitet financiar dhe mos të jemi të ekspozuar drejt kursit të këmbimeve. Ka edhe mangësi të vetat, por megjithatë mund të themi se jemi me fat që sot e përdorim euron si valutë zyrtare për pagesa. Prandaj, nuk planifikojmë valutë tjetër pos kësaj”, ka thënë Mehmeti. 

Ai në fund ka thënë se një bankë e huaj e cila është shumë serioze, së fundmi ka shprehur interesim për të aplikuar në BQK për të investuar në Kosovë, mirëpo ende nuk ka aplikuar.  

Norma e kredive performuese ose të këqija ka shënuar rënie në vazhdimësi dhe kanë arrit të jenë 3.5 përqind nga 4.8 përqind sa ishin më herët.

Për vitin 2018, tre treguesit kryesor, aseti, kreditë dhe depozitat do të kenë rritje dhe kjo tregon stabilitetin, likuiditetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar edhe për vitin që vjen.

Depozitat si përkrahës kryesor të kredive të financimit, kanë arrit që në nëntor të vitit 2017 të jenë 8.7 përqind ose kanë arrit në vlerë 3.05 miliardë euro.

Rritja e aseteve në baza tre mujore është 4.1 përqind dhe planifikimet për të ardhmen për vitin 2018 astete e sektorit bankar të mbërrin diku 4.25 miliardë euro.