Paqe me sport, koreanoveriorët në lojërat dimërore të jugut

Paqe me sport, koreanoveriorët në lojërat dimërore të jugut

Koreja e Jugut propozoi bisedime të nivelit të lartë me Korenë e veriut më 9 Janar, për të diskutuar pjesmarrjen e mundshme të shtetit të izoluar komunist në lojërat olimpike dimërore 2018.

Propozimi i Seulit erdhi pasi lideri koreanoverior Kim Jong Un, në fjalimin për vitin e ri, tha se po konsideronte dërgimin e një ekipi në Pyeongchang në Korenë e Jugut për lojërat që zhvillohen në Shkurt.

Sipas kreut të Koresë së veriut, palët duhet të takohen me urgjencë për të diskutuar këtë mundësi. Koreja e Jugut e vlerësoi këtë si një shans të rrallë për të përmirësuar raportet.

Seuli zyrtar propozoi që vendi i takimit të jetë fshati Panmunjom, i cili gjendet në kufirin mes dy vendeve dhe njihet si fshati i armëpushimit. Nuk dihet kush do të marrë pjesë në bisedimet e propozuara, apo nëse ato do të ndodhin, pasi Peniani s’është përgjigjur.

Sidoqoftë, Koreja e Veriut i zuri të gjithë në befasi kur lideri i saj tha se ishte i hapur për dialog me fqinjët jugorë. Kim Jong Un tha se 2018 ishte i rëndësishëm për Korenë e veriut, pasi shënon 70-vjetorin e lindjes së saj, po ashtu edhe për Korenë e jugut, për shkak të lojërave. Prandaj ai sugjeroi që të shfrytëzohet mundësia për të riparuar marrëdhëniet. Megjithatë, pak para se të zgjaste degën e ullirit, Kim Jong Un përsëriti kërcënimet ndaj SHBA duke thënë se butonin e armëve bërthamore e kishte gjithnjë gati në tryezë./TCH