Vit i humbur e i degradimit, përgjegjës politikanët

Vit i humbur e i degradimit, përgjegjës politikanët

Edhe ky vit po përmbyllet, e qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jetojnë në geto, pasi që nuk ka as liberalizim vizash e nuk ka as transformim të FSK-në në ushtri.

Kosova gjatë këtij viti nuk ka përjetuar ndonjë sukses apo të arritur,  në aspektin politik me të cilin mund të mburret. Përkundrazi, analistët thonë se ky ka qenë një vit i ngecjes dhe vendnumërimit, në të gjitha aspektet.

Analisti Imer Mushkolaj, thotë për KosovaPres,  se  viti 2017 ka qenë vit i ngecjes dhe vit i vendnumërimit, për të gjitha proceset në Kosovë, duke filluar prej proceseve politike, për të vazhduar pastaj edhe me proceset e zhvillimit ekonomik, por dhe me çështjet tjera. Ndërsa thotë se në vend se të ketë përparim, të paktën në njërën prej këtyre fushave, përkundrazi ka pasur regres, ka pasur zmbrapsje dhe jo çuarje përpara të proceseve.

Tash në fund të vitit 2017 dhe fillim të vitit 2018, nëse bëjmë një bilanc, se çfarë është arritur në Kosovë, ose çfarë ka shkuar përpara në Kosovë, fatkeqësisht nuk ka shkuar asgjë, as në kuptimin politik, e as në kuptimet e zhvillimeve në fushat tjera. Zhvillimi ekonomik është aty ku ka qenë. Papunësia është aty ku ka qenë. Po ashtu sa i përket integrimeve evropiane, nuk është bërë asnjë hap sado i vogël përpara. Çështja e liberalizimit të vizave mbetet po aty ku ka qenë,  e kështu me radhë. Nuk kemi zhvillime as në fusha tjera të rëndësishme si arsim e shëndetësi. Kështu që është një vit i humbur,  për të cilin përgjegjësit kryesor janë politikanët. Ku më shumë se gjashtë muaj na i kanë humbur me zgjedhje, me idenë që Qeveria paraprake, ose përfaqësuesit politik, që kanë qenë pjesë e asaj qeverie, nuk kanë mundur të marrin vendime të mëdha. Ndërkohë që pikërisht këto vendime të mëdha po i bllokojnë dhe këtë qeveri dhe po shkaktojnë probleme, të cilat tash e tri vjet qytetarët e Kosovës, janë ngopur duke i parë”, tha Mushkolaj.

Mushkolaj madje thotë se vet mënyra si është formuar ky koalicion qeveritar, nuk është se ka premtuar ndonjë qasje të re në qeverisje, pasi që qëllimi i vetëm i tyre, ka qenë ardhja në pushtet.

“ Qëllimi kryesor i këtyre njerëzve,  ka qenë që të vijnë në pushtet. Respektivisht ata që kanë qenë të vazhdojnë të jenë në pushtet, pavarësisht çmimit që qytetarët e Kosovës, duhet ta paguajnë. E këtë çmim qytetarët e Kosovës janë duke e paguar. Ne kemi parë disa veprime të kryeministrit, që kanë qenë sipas meje shumica prej tyre, të pastudiuara mirë. Kanë qenë veprime ad-hoc, veprime populliste, të cilat më shumë e kanë komplikuar situatën, se sa e kanë zgjidhur, ndonjë çështje. Dhe tash ende jemi në një situatë bllokimi. Për shkak se Kosova nuk ka bërë hapa përpara. Dhe ato vendime të mëdha, të cilat janë përmend që duhet të merren, e nuk po merren, ne nuk po i shohim që nuk po merren as tash”, tha ai.

Edhe analisti politik Behlul Beqaj thekson se ky nuk ishte një vit i stagnimit, por edhe  degradimit.

“Nuk besoj që mund të themi se ka qenë vit i stagnimit. Për faktin se kemi pasur disa procese degraduese dhe retarduese. Unë mendoj që gjithsesi në disa segmente kemi pasur ndoshta ndryshime pozitive. Por në shumë segmente tjera ka qenë të natyrës degraduese. Posaçërisht në fazën kur janë krijuar institucionet, të cilat nuk kanë qenë në funksion të përmirësimit të klimës së përgjithshme të politikë bërjes. Por përkundrazi ishte ajo faze e ndertimit të institucioneve keq qeverisëse. ..Ne kemi thjeshtë degradim të përgjithshëm, në jetën tonë të përditshme. Kemi në arsim, në shëndetësi  dhe nëse në këto shtylla ka dështime eklatante nuk mund të themi se ka qenë stagnim. Përkundrazi mendoj se ka qenë një degradim”, tha ai.

Beqaj thotë se koalicionet u bënë për interesa të ndërsjella, të cilat ndërlidhen me partinë, e cila me çdo kusht ka dëshiruar të mbetet në pushtet dhe se nuk mund të shpresojmë, se ato do të jenë në funksion të interesave të mirëfillta të qytetarëve.

Beqaj thotë se gurët mund t’i lëviz, vetëm aktivizimi i Gjykatës speciale.

“Ndoshta do të lëvizin gurët pak aktivizimi i Gjykatës Ndërkombëtare. Por në vet faktin se kanë dështuar segmentet e drejtësisë brenda Kosovës, brenda eulexit atëherë po krijohet një përshtypje se dhe gjykata ndërkombëtare, do ta ndjek rrugën e dështimit të segmenteve të caktuara të drejtësisë. Nëse eventualisht ndodhin disa ndryshime në kuptimin e largimit të personave,  të cilët janë pak a shumë faktor kyç, pse Kosova është zënë peng nga veprimet e tyre politike. Atëherë mund të shpresojmë se gradualisht do të filloj një këndellje e politikë bërjes së mirëfillte në Kosovë. Por kjo nënkupton dhe nevojën imediate, të zgjimit të pro aktivitetit qytetar i cili është zënë gjithashtu peng nga mos bërja politike, në dëm të tyre dhe aktivizimi qytetar besoj se do të jetë në funksion të ndryshimeve pozitive”, thotë ai.

Në ditën kur Kuvendi shkonte në pushim u tentua për caktimin e një seance të jashtëzakonshme ku pikë e rendit të ditës do të ishte shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Kjo kërkesë e deputetëve u kritikua ashpër nga ambasadorët e shteteve të fuqishme të botës të akredituar në Kosovë duke thënë se ky vendim do ta kthente Kosovën në vitin 1999. Megjithatë kërkesa e nënshkruar nga 43 deputetë mbetet ende në fuqi dhe pritet që ajo të shqyrtohet në ndonjërën nga mbledhjet e Kryesisë pas pushimit dimëror.