Demukaj: Kosova ka nevojë për investime strategjike

Demukaj: Kosova ka nevojë për investime strategjike

Kosova ka nevojë për disa investime të mëdha strategjike, në mënyrë që të futet në hartën globale të investimeve të huaja, thonë ekspertët. Ata vlerësojnë se investimet, si ato që hyjnë në marrëveshjen për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, janë sinjal se kushtet e të bërit biznes janë përmirësuar.

Kosova ka nevojë për investime strategjike, në mënyrë që të krijojë emër në arenën ndërkombëtare. Investimet e tilla do të krijonin edhe siguri për investitorët e tjerë potencialë, të cilët aktualisht mund ta konsiderojnë Kosovën me shkallë të lartë të rrezikut. Eksperti i Bankës Botërore, Agim Demukaj, për Radio Kosovën ka deklaruar se Kosova ka nevojë për investime të mëdha.

“Sepse nëse një investitor i madh vjen në Kosovë ai e çon sinjalin tek investitorët e tjerë, që norma e rrezikut ka ra. Duke e marrë parasysh edhe përmirësimin e indikatorëve të të bërit biznes, atëherë veç krijohet një përshtypje e re që në Kosovë mund të bëhet biznes, pra, futet në hartën e investitorëve”, ka thënë Demukaj.

Futjen e vendit në hartë të investimeve serioze ndërkombëtare, shtetet e bëjnë zakonisht me 2-3 investime madhore, që quhen projekte transformuese të ekonomisë, theksoi më tutje Demukaj.

“Në këtë rast e kemi projektin e Kosovës se Re për energji, e kemi pas Brezovicën e cila ka dështuar, por nëse ringjallet edhe njëherë është një projekt që e fut Kosovën prapë tek investitorët e jashtëm, pasi është investim i madh. Është Borea në Pejë, apo bjeshkët e tjera në Kosovë, e kemi Trepçën ose minierat. D.m.th. janë 2-3 elemente, por në radhë të parë të fillohet me energji, pikërisht”, thotë Demukaj.

Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se investimet e mëdha, sikur marrëveshja për Termocentralin “Kosova e Re”, mund të ndihmojnë në tërheqjen e investimeve të tjera të mëdha.

“Ajo çka është me rëndësi për vendin është se kur të kemi investitorë të huaj që kanë një përvojë të mirë, kjo është normalisht edhe një referencë për investitorët e tjerë potencialë në çfarëdo fushe, sepse ne mund ta përdorim në këtë rast që të na ndihmojë në gjetjen e investitorëve të huaj për të ardhur në Kosovë duke treguar një storie të suksesit, tha Lluka.

Qeveria e Kosovës në fund të 2017-së ka nënshkruar Marrëveshjen me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, që nga ekspertët vlerësohet si hap i parë në drejtim të tërheqjes së investimeve tjera të mëdha.

Autor: Muharrem Saragjolli