Edhe në 2017-ën dominuan mallrat nga Serbia

Edhe në 2017-ën dominuan mallrat nga Serbia

Ndonëse rritja ekonomike e Kosovës gjatë vitit që po lëmë pas ka shënuar rritje, vendi ynë ende nuk po arrinë që t’i përballojë kërkesat e konsumatorëve me prodhimet vendore.

Në tregun tonë vazhdojnë të dominojnë prodhimet e huaja, veçanërisht prodhimet nga shteti i Serbisë, shkruan Indeksonline.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterenarisë në një përgjigje për Indeksonline ka thënë se produktet vendore janë duke u zhvilluar në drejtimin e duhur për sa i përket sigurisë dhe cilësisë së tyre.

Por edhe pse konsiderohen si produkte cilësore, në Kosovë brenda një viti hyjnë mallra me vlerë rreth 350 milion euro. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga Serbia.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se edhe pas 8 vitesh Kosova ende varet nga importi i vendeve të BE-së.

“Republika e Kosovës edhe pas 18 vite të përfundimit të luftës është e varur nga importet e vendeve të e BE-se, CEFTA-së dhe vendeve tjera, sipas të dhënave zyrtare nga ASK-ja Kosova në vitin 2016 kishte importuar mallra me vlerë mbi 350 milion euro, çka ky trend i importit vetëm sa është rritur ku deri në muajin nëntor 2017 Republika e Kosovës ka importuar mallra me vlerë 260 milion euro, vetëm në muajin nëntor 2017 kemi importuar mbi 73 milion euro mallra nga vendet anëtare të CEFTA-së ose 28% të vlerës së përgjithshme të importeve. Ende Serbia dominon importin e Kosovës, 14.2% e importit total nga vendet e CEFTA-së vjen nga Republika e Serbisë, më pas vjen Maqedonia me 5.5%, Shqipëria radhitet e treta si partner importi me Kosovën me 5.3%. Importet e Kosovës me vendet tjera arritën në 72,7 milion €, ose (27.9%)”, tha Beqiri për Indeksonline.

Sipas tij, institucionet duhet që të hartojnë politika strategjike në favor të kompanive vendore, të cilat ende ballafaqohen me sfida elementare, si për shembull mungesa e energjisë elektrike, ku si pasojë e saj, kompanitë vendore humbin rreth 300 milion euro në vit.

“Bizneset kosovare sidomos prodhuese po ballafaqohen edhe me kamata enorme, treg jo stabil, ekonomi informale etj. Vlen për t’u përshëndetur vendimi i Ministrit Hasani për vendosjen e tarifës për miell ndaj kompanive serbe prej 0.04 cent apo 4 euro për 100 kg, sepse siç dihet kompanitë serbe sillnin miellin me çmim më të lirë se kostoja e prodhimit, siç jemi në dijeni Serbia i motivon kompanitë e linjës së prodhimit për Kosovën me ulje taksash dhe forma të ndryshme mbështetëse”, shtoi tutje Beqiri.

Beqiri theksoi se Kosova ka kapacitet të mjaftushëm për prodhim, duke theksuar këtu prodhimet e miellit, qumështit, mishit, patateve etj.
“Bizneset prodhuese e kanë rrit cilësinë dhe janë pajisur me teknologjinë e fundit çka edhe jep një lajm pozitiv së me gjithë problemet Kosova ka filluar rrugëtimin e plotësimit të disa nevojave të cilat mund t’i prodhoj, mund të përmendim prodhimin e miellit ku Kosova i plotëson nevojat e veta me 85%, pastaj qumështi, mishi, patatja, pijet etj. Duhet edhe një vetëdijesim më i madh i qytetarëve për t’i konsumuar produktet vendore, mendoj se sot është patriotizëm t’i konsumojmë produktet vendore”, tha Beqiri.

Konsumim më të lartë të produkteve vendore ka vërejtur edhe Ibrahim Rexhepi, njohës i cështjeve ekonomike. Por, përkundër rritjes së konsumit, Rexhepi thotë se ende nuk është në nivelin e kënaqshëm.

”Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta, mendoj se ka rritje, çështje që mund të ilustriohet me rritjen e investimeve në sektorin prodhues. Por, pa dyshim se niveli i tyre ende është i vogël, prandaj edhe ka import ku ende dominojnë artikujt e konsumit”, tha Rexhepi për Indeksonline.

I pyetur se a janë zëvendësuar produktet serbe me ato vendore, Rexhepi tha se ende nuk është bërë në masën e duhur. Por, ai vlerëson masat që po ndërmirren në këtë drejtim.

“Jo në masën sa mund të zëvendësohen. Janë për inkurajim masat që po ndërmirren, përkatësisht aplikimi i taksës antidumping për disa produkte të importuara nga Serbia, të cilat po dëmtojnë rëndë prodhimin vendor. Vlerësoj se ka ende hapësirë për aplikimin e masave të ngjashme, përmes të cilave rregullohet tregu, nxitet konkurrenca dhe eleminohen “lojtarët” e pandershëm”, tha Rexhepi.

Rexhepi theksoi se në Kosovë ende nuk ka mjaftushëm prodhime tona, që t’i zëvëndësojnë ato të huajat, ndonëse me një organizim më të mirë mund të arrihet.

“Pa dyshim se nuk ka . Por, në të njëjtën kohë ka sektorë që me një organizim më të mirë brenda tij, si edhe me një kontroll më të mirë të tregut, mund të mbulohen kërkesat e konsumit vendor. Me këtë rast po përmendi sektorin e qumështit, ku kapacitetet për përpunimine qumështit i tejkalojnë nevojat për e konsumit, mirëpo, mungon një koordinim më i mirë në tërë zingjirin prodhues, duke filluar nga ferma”, përfundoi Rexhepi.