Mandati i 2 deputetëve, KQZ kërkon informacione shtesë nga Prokuroria

Mandati i 2 deputetëve, KQZ kërkon informacione shtesë nga Prokuroria

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e nisi vitin 2018 me shqyrtimin e një çështjeje shumë të rëndësishme.

Ky komision mori në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, për heqjen e mandatit të deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica, me arsyetimin se kanë mashtruar në plotësimin e formularit të dekriminalizimit.

Deputeti i LSI-së, Gledion Rehovica ishte i pranishëm në mbledhjen e KQZ-së, por zgjodhi të përfaqësohej në diskutim nga avokati Ardian Visha.

Nga ana tjetër, deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi vendosi të mos paraqitet në mbledhjen e KQZ-së dhe të përfaqësohet nga avokati Theodhori Sollaku.

Pasi u shqyrtuan çështjet, KQZ-ja vendosi të kërkojë informacione shtesë nga Prokuroria, brenda datës 05 Janar 2018, kur ky komision do të mblidhet sërish. Vetëm pasi të shqyrtohet materiali shtesë, KQZ-ja do të mund të dalë në një vendim përfundimar, mbi të ardhmen e mandatit të 2 deputetëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori të njëjtin vendim edhe për 2 ish deputetët e PD-së, Omeer Mamo dhe Mhill Fufi.

Në shkresën e Prokurorisë së Përgjithshme, drejtuar më herët Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thuhet se shenjat e gishtërinjve të deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi provuan se në vitin 1998 kur jetonte ne Itali, përdorte emrin Skënder Ejylbegaj.

Më 3 nëntor të atij viti është raportuar ne Itali për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur. Emrin Skënder Ejylbegaj, regjistruar në një vit tjetër lindjeje, Aqif Rakipi e përdorte që prej vitit 1996.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe deputeti Gledion Rehovica. Shenjat e gishtërinjve treguan se ai është raportuar po në Itali më 24 shkurt 1999 për veprën penale “Vjedhje dyqani”, por me emrin Kusta Mina. Edhe deputeti i LSI-së ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit.

Prokuroria argumenton se, fakti që në formular nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me ndalimet dhe hetimet përkatëse në shtetin italian, si dhe me identitet të rremë, më të cilët dyshohen se kanë konsumuar veprat penale: përkatësisht Aqif Rakipi të marrjes së mallrave të vjedhur dhe Gledion Rehovica të “vjedhjes së një dyqani” , bën që subjektet të përfshihen në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë./TCH