Çelet Thesari i shtetit, nisin pagesat për shërbime

Çelet Thesari i shtetit, nisin pagesat për shërbime

Ditën e mërkurë është bërë operativ buxheti i shtetit. Burime zyrtare nga Ministria e Financave, bëjnë të ditur për TV SCAN, se fondet e buxhetit të shtetit dhe thesari janë bërë operativë çka do të thotë që janë çelur fondet për pagat e administratës publike, shpenzimet dhe investimet publike.

Buxheti i vitit 2018  do të mbështesë rritjen ekonomike dhe vazhdimin e  reformave të rëndësishme tashmë të nisura,  ndërsa investimet publike kanë në fokus infrastrukturën.

Treguesit kryesorë  të buxhetit janë të ardhurat  për  këtë vit janë parashikuar në vlerën  464.7 miliardë lekë, ose 28.2% të PBB, ku peshën kryesore të tyre do e mbajnë te ardhurat nga tatimet dhe doganat  me 317.5 miliardë lekë.

Më pas renditen të ardhurat nga fondet speciale me 88 miliardë lekë, të ardhurat  jo tatimore  me 25.7 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga pushteti vendor janë planifikuar në masën 18.7 miliardë lekë.

Po sipas këtij  ligji shpenzimet buxhetore janë parashikuar  në masën   497 miliardë lekë, ose 30.1 % e PBB.

Edhe në këtë vit pjesën “ e luanit”  e zënë  shpenzimet korrente me 407.9 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet kapitale  janë planifikuar në vlerën 86.3 miliardë lekë ose 5.2 % e PBB.

I gjithë viti buxhetor është parashikuar të  shoqërohet nga një deficit prej 32.3 miliardë lekë, ose 2 % e PBB.