Për një vit 119 persona humbën jetën në aksidente

Për një vit 119 persona humbën jetën në aksidente

Në vitin që shkoi 119 persona kanë gjetur vdekjen në aksidente trafiku. Ky numër sivjet është rritur për 19 më shumë pasi që në vitin 2016, 100 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku, që i bie se ky numër është rritur 20 përqind, përkundër asaj se ka pasur ulje prej 5 përqind të numrit total të tyre, krahasuar me vitin 2016.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë të Kosovës, Baki Kelani, i cili  për KosovaPress ka thënë se sivjet, vetëm deri në muajin nëntor kanë ndodhur 16 mijë e 122 aksidente, krahasuar me 30 mijë e 970 në vitin 2016.

 “Kemi një shifër brengosëse të aksidenteve me pasoja fatale, ku nëse iu referohemi periudhës kohore nga janari i këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar fatkeqësisht aksidentet me pasoja fatale kanë shënuar ngritje për rreth 20 përqind. Kjo shifër është shumë shqetësuese për Policinë e Kosovës dhe për këtë arsye jemi angazhuar me të gjitha kapacitete që kemi, duke krijuar edhe task-forcë të veçantë për të përmirësuar situatën në komunikacionin rrugor, ku është arritur që numri total i aksidenteve të ulet për 5 përqind. Pra kryesisht janë ulur aksidentet në total si shifër dhe aksidentet që kanë të bëjnë me dëme materiale për diku rreth 9.18 përqind. Mirëpo siç e thashë më herët është ende fat i keq që numri i personave të cilët kanë humbur jetën në komunikacion është tepër i lartë”, tha ai.

Tejkalimi i shpejtësisë si dhe mosvënia e rripit të sigurisë, sipas Kelanit janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve me fatalitet. 

Nga analizat që bëjnë  zyrtarët kompetentë të Policisë së Kosovës në kuadër të komunikacionit rrugor, Kelani tha se kryeqyteti prinë me numrin më të madh të aksidenteve si rezultat i frekuentimit të madh.

 “Referuar nga këto analizave dalin që kryesisht rajoni i Prishtinës, për shkak të frekuentimit më të madh del se ka numrin më të madh të aksidenteve. Mirëpo si faktorë kryesorë të shkaktimit të aksidenteve janë faktori, njeri, mjet dhe rrugë. Mirëpo si faktorë të cilët kanë kontribuar në shkaktimin e aksidenteve kryesisht me pasoja fatale, është tejkalimi i shpejtësisë, mosvënia e rripit të sigurisë. Ndërsa si faktorë tjerë kontribuues  janë mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, anashkalimi dhe mos mbajtja e e distancës... pa përjashtuar edhe përdorimin e telefonit dhe mosrespektimit në përgjithësi të shenjave në komunikacionit rrugor”, u shpreh ai.

Për të rritur sigurinë në komunikacion, Kelani tha se Policia e Kosovës përmes divizionit të komunikacionit rrugor dhe Drejtorive Rajonale është munduar të hartojë plane operative dhe të angazhojë zyrtarë policor.

Sipas tij, prezencës policore, me shqiptimin e gjobave, me fushata sensibilizuese dhe me spote televizive janë munduar të  arrijnë që të ndikojnë tek në përmirësimin e situatës në komunikacion, e si rezultat, sipas tij është rritur edhe numri i gjobave të shqiptuara.

Sipas Policisë së Kosovës sivjet janë shqiptuar 371 mijë e 976 tiketa krahasuar me 303 mijë e 951  tiketa të shqiptuara gjatë vitit 2016, e që i bie se ka rritje të shqiptimit të tyre prej 22.38 përqind.

 “Policia e Kosovës për këtë periudhë kohore, nga janari deri në nëntor të këtij viti ka shqiptuar gjoba diku rreth 371 mijë e 976 gjoba. Çka nënkupton diku rreth 68 mijë e 25 gjoba më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në përqindje 22.38 përqind më shumë. Kjo tregon se aktiviteti i Policisë të Kosovës në shqiptim të gjobave dhe me prezencë në trafik ka qenë bukur më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, theksoi Kelani.

Ditë më parë Policia e Kosovës bëri apel tek qytetarët që të rritin kujdesin në komunikacion.