Haradinaj: Është një listë e gjatë e problemeve në arsim

Haradinaj: Është një listë e gjatë e problemeve në arsim

Në ditën e parë të punës për këtë vit, kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar sot drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, me ç’rast theksoi se në këtë vit do t’i japin prioritet sektorit të arsimit, shëndetësisë, prodhuesve, si dhe rëndësi në këtë vit do t’i kushtohet edhe kompleksit metalurgjik Trepça.

(E plotësuar) Kryeministri Haradinaj tha gjendja në arsim nuk është e mirë dhe se  këtë sektor duhet shumë punë.

Ai është zotuar se do të ofrojë përkrahje të madhe për Ministrinë e  Arsimit në çdo aspekt deri në ditën e mbajtjes së testit ndërkombëtar në arsim, Pisa.

“Nëse dëshirojmë t’i identifikojmë temat, të cilat janë ose me ditë se ku janë problemet në arsim, do të ishte një listë e gjatë e problemeve. Mirëpo, tani jemi me një temë më konkrete që ka të bëjë me testin Pisa, për një vlerësim ndërkombëtar, i cili pritet të ndodhë në këtë pranverë. Jemi të interesuar që ta marrim seriozisht për ta ditur peshën e këtij testi. Një pjesë e përgjegjësisë së madhe bie për kryetarët e komunave, për drejtorët e drejtorive të arsimit në komuna e deri te mësimdhënësit dhe nxënësit”, ka thënë Haradinaj.

Përveç sindikatave tjera, edhe sindikata e arsimit ka paralajmëruar greva dhe trazira sociale në janar për ngritje të pagave.

Kryeministri për këtë tha se rritja e pagave 4.6 për qind është në kuadër të premtimit elektoral për 30 për qind rritje në këtë mandate, mirëpo, tha se në të njëjtën kohë do të kërkojë edhe llogaridhënie nga arsimtarët. Sa i përket trazirave sociale, Haradinaj tha se mund të bëjnë trazira, por vendimi është vendim dhe do ta respektojë si kryeministër.    

“Këtë premtim elektoral e mbajmë, po ashtu në këtë premtim kemi thënë se do ta rrisim edhe kualitetin në kuadër të kësaj nuk do ta falim askënd që nuk e respektojnë punën e vet, as mësuesit, as profesorët, askënd në këtë vend. Po ashtu, as gjyqtarët, as mjekët. Rritja e pagave për shefin e qeverisë edhe ministrat, është një vendim politik i atyre që i kanë përgjegjësitë, por që s’mund të hyjnë në të njëjtën kategori me rritjen e pagave në krejt sektorin publik. Sepse ka rangim për pagat në të gjithë sektorët. Nëse vetëm katër herë pesë për qind rritet, i bie 20, por sa herë që rriten nga pesë, herën tjetër nuk është më pesë, sepse rritet edhe 5 përqindëshi, dhe kështu e tejkalojmë 30 përqindëshin e premtuar. Kjo është përgjigja ime për sindikatat, pra premtimin elektoral po, por njëkohësisht edhe kërkesën për llogaridhënie. Për trazira, bëjmë trazira kur domi, sepse vendi jonë është, po r kështu është vendimi edhe imi, edhe i qeverisë sa të jem unë”, ka thënë Haradinaj.

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi tha se ky takim tregon se Qeveria ka prioritet arsimin, mirëpo sipas tij, ka shumë sfida për të ardhmen. Po ashtu ai tha se me kryeministrin kanë diskutuar për testin ndërkombëtar të arsimit Pisa dhe për punën dinamike që Kosova të dalë më mirë se herëve të kaluara.

Bytyqi: Diskutuam, në veçanti për testin Pisa

Video

“Me kryeministrin biseduan për sfidat dhe për punët që na presin në 2018, e kemi shumë punë për të bërë, sepse mendojmë që duhet ta ndryshojmë gjendjen në arsim që e kemi. Në kuadër të shumë temave që diskutuam dhe që morëm një përkrahje të jashtëzakonshme nga kryeministri, në veçanti ishte për testin Pisa 2018, për test që presim në muajt në vazhdim që ta kemi një dinamizëm të punës, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur në mbajtjen e testit final që do të jetë diku nga fundi i prillit ose në fillim të majit. Ne njoftuam kryeministrin për detajet e Komisionit Pisa dhe për angazhimet tona të përgjithshme dhe për punën dinamike që do ta bëjmë deri në këtë datë dhe morën përgjegjësi të madhe që vërtet kësaj radhe të dalim më mirë se sa që kemi qenë në testin Pisa”, ka thënë ministri Bytyqi.

Kryeministri Haradinaj ka folur edhe për sigurinë dhe dukurinë e  përdorimit të drogës nëpër shkolla. Sipas tij, ende vazhdon prania e qytetarëve  që shpërndajnë drogë në shkolla.