210 milionë euro shkëmbime tregtare me Shqipërinë

210 milionë euro shkëmbime tregtare me Shqipërinë

Shkëmbimet tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë gjatë vitit 2017, janë rritur për 50 përqind.

Ky lajm ka gëzuar përfaqësuesit e Shqipërisë në Kosovë. Përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi thotë se e gëzon fakti se marrëveshjet dhe takimet që janë mbajtur mes dy qeverive kanë pasur rezultate.

Minxhozi: Kishim rritje të shkëmbimit tregtar mbi 210 milionë euro

Video:

“Me fillimin e vitit të ri sjellim edhe një lajm të mirë. Marrëdhëniet ekonomike midisi Shqipërisë e Kosovës, vitin e kaluar kanë pësuar një rritje 50 përqind më tepër se në vitin 2016. Nga ana tjetër mund të them se kemi rritjen më të madhe të shkëmbimeve gjatë këtyre katër viteve të fundit. Sot Shqipëria dhe Kosova shkëmbejnë midis vetes rreth 210 milionë euro mallra, dhe një lajm tjetër i gëzuar për sipërmarrjen kosovare, vitin e kaluar u arrit të eksportohet nga Kosova në Shqipëri në këtë numër 210 milionë, rreth 55 milionë euro mallra. Është një shifër më e madhe se gjithë bashkëpunimi rajonal që bënë Kosova me eksportet e tyre në vendet e rajonit të vogël“, tha Minxhozi.

Edhe pse sipas tij mbledhjet e dy qeverive kanë arritur efektin e vet, Minxhozi thotë se nuk është i kënaqur, pasi mund të bëhet edhe më shumë. Ai pret që në vitin 2018, të përcillet me suksese më të mëdha në aspektin ekonomik dhe në fusha të tjera.

Minxhozi: Shpresoj që në vitin 2018 do të hiqen barrierat

Video:

“Mbledhjet e dy qeverive që janë bërë në vitin 2016 dhe kjo e fundit në vitin 2017, kanë qenë mbledhje pune të cilat kanë synuar për rritjen e këtyre shkëmbimeve, për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe kanë dhënë rezultate, por natyrisht ne nuk jemi të kënaqur sepse mundësit janë shumë më tepër. Megjithatë, është një start i mirë për vitin 2018-të dhe urojmë që kjo vazhdimësi e vitit 2017-të, të na bashkëngjitet me rezultatet edhe më të larta gjatë këtij viti”, tha Minxhozi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili udhëheq politikat ekonomike me Shqipërinë, thotë se nuk ka më marrëveshje që do të bëhet vetëm për media, por secila marrëveshje e arritur do të mbikëqyret nga ana e tyre.

Limaj: Do ta mbikëqyrim secilën marrëveshje

Video:

“Nuk ka më marrëveshje që do të rrinë në tavolinë, që të shënohet një marrëveshje para televizionit edhe mos të  implementohet. Ne do të mbikëqyrim implementimin e gjithë atyre marrëveshjeve të arritura. Po hulumtojmë horizonte të thellimit të bashkëpunimit që e ka objektiv largimin e barrierave, vështirësive të komunikimit mes dy shteteve, mes qytetarëve të dy shteteve, mes sektorëve të caktuar, duke filluar nga komunikimi i qarkullimit të njerëzve të lirë, deri te qarkullimi i lirë i mallrave”, tha Limaj.

Ai po ashtu ka shtuar se këtë vit do të punojnë që të funksionalizohet interkonjeksioni mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Limaj: Do të punojmë për ta funksionalizuar linjën e interkonjesioni   

Video:

“Funksionalizimi, futja në punë e interkonjesionit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe gjetja e formave të tjera të bashkëpunimit që fuqizon ekonominë dhe tregun tonë të përbashkët. Këto janë rrugët, angazhimi me të cilat duhet t’i marrim për vitin 2018. Edhe ne këtu që e kemi shpreh vullnetin, por besoj edhe Qeveria shqiptare afër do t’i qëndrojmë përmbushjes së këtyre objektivave të përbashkëta që janë në interes të dy shteteve”, tha Limaj.

Kurse, Bahri Berisha, drejtor i doganës së Kosovës, ka thënë se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë pasur rritje për 50 përqind.

Berisha: Ka pasur rritje të shkëmbave tregtare Kosovë-Shqipëri

Video:

“Këtë vit kemi një rritje të raporteve tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse flasim për eksportin kosovar në drejtim të Shqipërisë, kemi një rritje që shkon deri afër 50 përqind të vlerës në eksporte nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. E  njëjta ka rritje edhe nga Shqipëria të produkteve shqiptare në drejtim të Kosovës”, tha Berisha.

Sipas Berishës, kjo tregon se produktet kosovare dhe shqiptare janë prezent në dy tregjet. Ndryshe Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur katër mbledhje të përbashkëta ku janë nënshkruar një varg marrëveshjesh bashkëpunimi./