Çmimi i naftës së papërpunuar mbi 67 dollarë për fuçi

Çmimi i naftës së papërpunuar mbi 67 dollarë për fuçi

Trazirat në Iran, në njërin nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës, si dhe marrëveshja e OPEC-ut dhe Rusisë për kufizim të prodhimit, janë shkaktarët kryesor për rritje të çmimit të naftës së papërpunuar, ku të martën ka shkuar në mbi 67 dollarë për fuçi.

Marka ndërkombëtare e naftës së papërpunuar, Brent, të martën është tregtuar me 67 dollarë për fuçi, ndërkohë që çmimi i naftës amerikane West Texas Intermediate (WTI) është ngjitur në 60.64 dollarë për fuçi.

Një grup iranianësh të mbledhur ditën e enjte në qytetin Meshed të Iranit, pa thirrjen e ndonjë partie politike, nisën të zhvillonin demonstrata për të protestuar për kushtet ekonomike në vend.

Protestat me shpejtësi morën karakterin anti-qeveritare duke u përhapur edhe në qytete të tjera. Situata në Iran ka bërë që çmimi i naftës Brent të rritet të martën në mbi 67 dollarë për fuçi, që është hera e parë që nga maji i vitit 2015, ndërkohë që shtrenjtimi është ndihmuar edhe nga ndërprerja e furnizimit nga shkaku i sulmit mbi tubacionin Es-Sider në Libi.

Të enjten e kaluar, Administrata për Informacion mbi Energjinë (EIA) me seli në Washington informoi se prodhimi i naftës është rritur me 35 mijë fuçi, më saktësisht në 9.75 milionë fuçi në ditë.

Më 30 nëntor Organizata e Shteteve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe shtetet prodhuese të naftës që nuk janë pjesë e OPEC-ut, arritën një marrëveshje për të zgjatur afatin e kufizimit të prodhimit edhe për nëntë muaj të tjerë, përfundimisht me dhjetorin e vitit 2018.