Haxhiu: Nuk dënohen kriminelët, por ata që mbrojnë sovranitetin

Haxhiu: Nuk dënohen kriminelët, por ata që mbrojnë sovranitetin

Lëvizja Vetëvendosje po e quan absurd vendimin e gjyqtarit Beqir Kalludra i cili dënoi katër deputetët, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi me 5 vjet e 5 muaj burg me kusht, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, e cila u dënua me 1 vit e 3 muaj, tha në një konferencë për media, se sikurse aktakuza ashtu edhe vendimi për dënimin e tyre është absurd dhe politik.

Haxhiu: Nuk dënohen kriminelët, por ata që mbrojnë sovranitetin

“Përfundimisht, edhe sot u dëshmua që nuk dënohen kriminelët e korruptuar në Kosovë. Ata janë në krye të institucioneve dhe në institucione që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të varfër. Por sot fatkeqësisht ky sistemi ynë i kapur i drejtësisë po i dënon aktivistët dhe deputetët që mbrojtën Republikën dhe territorin. Ne kemi dëshmuar edhe me argumente, qëndrime brenda këtyre seancave gjyqësore që e gjithë kjo aktakuzë dhe aktgjykimi sot është i padrejtë, absurd dhe politik”, tha Haxhiu.

Madje, sipas saj në asnjërën prej këtyre seancave nuk është dëshmuar se gazi është armë. Vendimin për dënimin ndaj tyre, Haxhiu e quan dëshirë për t’u kthyer në të kaluarën, para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi asociacionin e komunave serbe, para peticionit të mbi 200 mijë qytetarëve dhe siç e ka quajtur ajo, para çmontimit që ia bën demarkacionit Shpejtim Bulliqi dhe profesorë e ekspertë të tjerë.

Haxhiu: Kalludra e ka të zënë bishtin me derë

“Pra, ne nuk kemi pasur qëndrim kriminal, por gjyqtari Kalludra është munduar gjithmonë që ta shkëput qëllimin prej metodës dhe sigurisht kjo për shkak se ky gjyqtar e ka të zënë bishtin me derë siç e kemi thënë në vazhdimësi. Është e qartë se qëllimi ishte që të na shpallin fajtor, qëllimi ishte që të kriminalizohej protesta jonë kundër Zajednicës dhe demarkacionit, qëllimi ishte të frikësojnë deputetët kur kundërshtojnë krimet e Qeverisë dhe tradhtinë ndaj vendit. Gjykata e tillë është zgjatim i komisionit të Murat Mehës dhe i ujdisë së Mustafës me Vuçiqin”, u shpreh ajo.

Haxhiu tha se me dënimin me kusht nuk e humbin mandatin, pasi sipas Kushtetutës vetëm dënimi me burg efektiv të formës së prerë.

E pyetur për nismën legjislative për amnistimin e deputetëve që kanë hedhur gaz lotsjellës, ajo tha se ende nuk e ka parë atë derisa në ditët në vazhdim VV do të japë qëndrimin e saj rreth saj.

Ndërsa, deputetja tjetër e Vetëvendosjes, Donika Kadaj-Bujupi, nuk është e penduar pse ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend. Madje, ajo tha se këtë do ta bënte edhe sot dhe kurdo që kërkohet.

Kadaj-Bujupi: Të njëjtat veprime do t’i bënim edhe sot

“Të gjitha veprimet tona në Kuvendin e Kosovës prej vitit 2015 kanë qenë të drejta dhe të duhura. Kanë qenë të bazuara në kushtetutë dhe betimin tonë, dhe rrjedhimisht kemi vepruar drejt ashtu siç do të vepronin edhe sot, edhe nesër dhe sa herë që kërkohet nga ne që t’i dalim zot vendin duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vendit tonë. Sot, gjykatësi Kalludra na ka shqiptuar dënim në emër të popullit e kjo është jashtëzakonisht në kundërshtim me vullnetin e popullit, një popull, i cili vazhdimisht nga viti 2015 ka kundërshtuar marrëveshjet bashkë me ne”, theksoi ajo.

Kadaj-Bujupi, ka shtuar se ajo personalisht asnjëherë nuk është ndjerë “më e përmbushur” në rolin e deputetes se sa për gjatë tri viteve të kaluara, kur ashtu siç edhe janë betuar, vepruan në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit.

Kadaj-Bujupi: U bë aktakuzë dhe dënime selektive

“Aktakuzat dhe vendimi ndaj neve dhe dënimi kanë qenë selektive, pra ne nuk jemi angazhuar asnjëherë që edhe të tjerët pavarësisht a iu takojnë subjekteve tjera politike të jenë proces e këtyre proceseve. Përkundrazi gjatë gjithë kohës kemi kërkuar që drejtësia të vije në shprehje duke zbatuar Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila thotë qartë se marrëveshja për Zajdenicën në 23 nene është në kundërshtim me Kushtetutën”, theksoi Kadaj-Bujupi.

Deputetët e VV-së, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli u dënuan me 5 vjet e 5 muaj burg me kusht për shkak të hedhjes së gazit në Kuvend në legjislaturën e kaluar, si mjet për të parandaluar ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe.