Shkëndija niset drejt Antalias me 3 fytyra të reja

Shkëndija niset drejt Antalias me 3 fytyra të reja

Edhe Shkëndija e Tetovës ka vendosur të kryejë fazën përgatitore në Antalia të Turqisë, ashtu si shumë skuadra të Superiores

 Kjo lidhet edhe me klimën optimale për t’u përgatitur në qytetin turk, por edhe qetësinë e domosdoshme për të punuar, transmeton Super Sport.

Skuadra tetovare është grumbulluar sot për herë të parë për 2018-ën, ndërsa ka rënë ën sy prania e 3 futbollistëve të rinj. Që të 3 I janë bashkuar Shkëndijës dhe do të udhëtojnë drejt Antalyas me skuadrën, për të kryer fazën përgatitore.

Shkëndija kryeson bindshëm kampionatin maqedonas, pas përfundimit të gjysmës së sezonit, teksa ka grumbulluar 46 pikë, 8 më shumë se Vardari ndjekës. Tetovarët duken në rrugën e duhur për të ngritur lart titullin këtë sezon dhe me përforcimet e reja, pritet të rritet konkurrenca dhe cilësia në ekip.

Ja 3 futbollistët e afruar te Shkëndija në merkaton e janarit:
Portieri 24-vjeçar Seladin Mustafi ka nënshkruar për dy vite. Ka përvojë në Ligën e Parë të Maqedonisë, kur ka luajtur me Renovën, për të cilët përveç kampionatit, ka regjistruar edhe dy paraqitje në eliminatoret e UEFA Europa League. Një periudhë të shkurtër ishte pjesë e Llapit në Kosovë, ndërsa sezonin e fundit luajti me Teteksin.

Mbrojtësi 23-vjeçar Mevlan Adili vjen nga FC UTA e Rumanisë, ndërsa praktikisht rikthehet te Shkëndija ku ishte 6 muajt e parë të vitit 2015. Ai firmos për 18 muajt e ardhshëm dhe pritet të rrisë konkurrencën në repartin e mbrojtjes.

Ndërkohë 20-vjeçari Sabit Bilali luan si mesfushor ofensiv, ndërsa ka qenë pjesë e Renovës dhe Dinamo Zagrebit, ndërsa me Shkëndijën ka firmosur kontratë 3-vjeçare.