VMRO-DPMNE kthehet në Kuvend me propozimin e ligjit për amnisti

VMRO-DPMNE kthehet në Kuvend me propozimin e ligjit për amnisti

VMRO-DPMNE-ja është duke përgatitur propozim-ligjin për amnisti përmes të cilit do të përfshihen personat e dyshuar për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar.

Siç njoftojnë nga partia opozitare, propozimi do të jetë i shkurtë dhe i qartë. VMRO-DPMNE-ja vlerëson se vetëm amnistia do të krijojë kushte për paqe kombëtare në Maqedoni. Por ekspertët një propozim të tillë e quajnë të panevojshëm derisa në vijim janë procedurat hetimore. Sipas Zvonko Davidoviq, fillimisht duhet të vërtetohet vepra dhe pastaj të kërkohet amnistia.

“Për mendimin tim nuk ka logjik amnistia pa bazë për dikë që ka kryer vepër penale, të paktën derisa nuk pastrohen dilemat. Nëse kemi të bëjmë me sulm ndaj deputetëve në shtëpinë e tyre pra në Kuvend, kjo nuk mund të zgjidhet me amnisti. E kuptoj kërkesën e njerëzve për qetësi, por qetësia mes qytetarëve nuk nënkupton fshehje të krimit”, deklaroi për Alsat-M, avokati Zvonko Davidoviq.

Davidoviq nuk përjashton mundësinë që Presidenti Ivanov të përsërisë abolimin.

“Presidenti gjithashtu ka të drejtë për abolim dhe t’i lirojë kryerësit e veprave nga ndjekja penale dhe vuajtja e dënimit. Nëse do të bëhet dhe si, me të vërtet nuk e di, por di një gjë, gjërat duhet pastruar deri në fund”, shtoi ai.

Amnistinë e të dyshuarve për 27 prill, Ivanov e theksoi edhe në paraqitjen vjetore të tij në Kuvend, duke kërkuar njëkohësisht edhe përgjegjësi për ata që sipas tij kanë nxitur dhunën. Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja nuk ndalojnë me akuza ndaj Qeverisë aktuale, sepse në arrestimin e funskionarëve të saj sheh hakmarrje politike. Ato kërkojnë urgjentishtë të ndërpritet kjo hakmarrje politike sepse vlerësojnë se dëmton imazhin demokratik të shtetit.