Liberianët ka 17 vite që lajmin e marrin nga "dërrasa e zezë"

Liberianët ka 17 vite që lajmin e marrin nga "dërrasa e zezë"

Lajmet e shkruara me shkumës në dërrasën e zezë të gazetës rrugore në kryeqytetin Monrovia, çdo ditë arrijnë pa pagesë deri tek lexuesit kalimtarë.

Në Liberi të Afrikës Perëndimore, ka 17 vite që gazeta e rrugës u servohet lexuesve duke u shkruar në dërrasë të zezë.

Lajmet e shkruara me shkumës në dërrasën e zezë të gazetës rrugore në kryeqytetin Monrovia, çdo ditë arrijnë pa pagesë deri tek lexuesit kalimtarë.

Gazeta në formë të dërrasës së zezë, e vendosur në një cep të rrugës në afërsi të qendrës së kryeqytetit, publikohet në gjuhën angleze që është dhe gjuha zyrtare në vend.

Drejtori i Transmetimit të gazetës Daily Talk, Alfred Sirleaf, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), tregoi se që nga viti 2000, lexuesit njoftohen me lajmet ditore kombëtare dhe ndërkombëtare nëpërmjet kësaj gazete.

“Gazeta jonë e cila përgatitet duke shkruar me shkumës në dërrasë të zezë dhe duke ngjitur fotografi, ka nisur punën me synimin e transmetimit të lajmeve pa pagesë për liberianët. Qëllimi ynë është të informojmë dhe edukojmë popullin tonë për ngjarjet në vend dhe botë”, tha Sirleaf.

Ai më tej theksoi se gazeta publikohet 'njëfaqësh' mbi dërrasën e zezë. “Kur të shikoni gazetën tonë rrugore, në mes dhe në cepet e faqes, mund të lexoni me lehtësi për zhvillimet dhe ngjarjet në Liberi dhe botë”, tha ai.

Sirleaf gjithashtu potencoi se sa i përket publikimit dhe brendisë së gazetës, ajo nuk ka asnjë dallim me gazetat normale dhe se lajmet në gazetë publikohen sipas rregullave të gazetarisë.

Ekip prej 7 personave dhe kuadër vullnetar

Sirleaf gjithashtu tha se: “Të ardhurat e gazetës rrugore The Daily Talk janë nga disa reklama. Në pjesën e reklamave të dërrasës, reklamojmë ca ndërmarrje. Ata na mbështesin duke na ofruar kamera, letra dhe materiale shkrimi".

Duke treguar se gazeta, pos me lajme, zbukurohet edhe me fotografi, ai pohon se gazeta nxirret nga një ekip prej 7 personave dhe se gazetarë vullnetarë nga rajone të ndryshme të vendit dërgojnë lajme.

Ai tha se interesimi ndaj gazetës ndryshon varësisht nga zhvillimet ditore. “Interesi ndaj gazetës rritet në kohërat e zgjedhjeve apo në periudha të diskutueshme, ndërsa nëse gjendja është e qetë zvogëlohet. Për shembull, në kohë të zgjedhjeve kemi 5 mijë lexues në ditë".

Në vazhdim Sirleaf vuri në dukje se njerëzit për shkak të problemit të energjisë elektrike, nuk mund të arrijnë tek mjetet e komunikimit si televizioni, radioja dhe interneti.

“Duke shkuar në shtëpi apo punë, njerëzit kalojnë këtej apo kur njerëzit ngecin në trafik me automjete, njoftohen me ngjarjet duke e lexuar për ca minuta gazetën tonë”.

Lexuesi i gazetës, Elkannah Johnson, tha se e lexon gazetën dhe se në këtë mënyrë informohet mbi ngjarjet në vend dhe në botë.

“Ndonjëherë lajmet këtu publikohen ende pa u publikuar nga mediat kryesore", tha Johnson për të shtuar se gazeta e shkruar me shkumës në dërrasë të zezë, është shumë e rëndësishme për të.