Hyseni:Bankat garantuese për investimet në Kosovë

Hyseni:Bankat garantuese për investimet në Kosovë

Afaristi shqiptar në Gjermani, Sami Hyseni, i cili ka pasur projekte dhe synon një ditë të investojë në Kosovë, tha se Kosova nuk mund të ketë investime nga jashtë, në qoftë se rreziku i tyre nuk ndahet me bankat evropiane apo botërore.

“Nuk mjafton të thuhet se Kosova i ka hapur dyert për investime. Asnjë investitor nuk vjen në qoftë se qeveria e Kosovës nuk siguron marrëveshje me këto banka për këtë qëllim. Kështu thotë afaristi shqiptar në Gjermani, Sami Hyseni, i cili ka pasur projekte dhe synon një ditë të investojë në Kosovë.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Hyseni fillimisht flet për vështirësitë që kanë të rinjët nga Kosova kur shkojnë në vendet të huaja.

z. Hyseni, kur keni shkuar në Gjermani?

Sami Hyseni: Dita e parë ka qenë më 11 qershor 1992. Fillimisht në Frankfurt të Gjermanisë. Aty I kam filluar hapat e parë që të shihja jetën time se çfarë do të më priste.

Si kanë qenë ditë të para në Gjermani?

Sami Hyseni: Ditët e para kanë qenë shumë të vështira, për secili që ka ardhur në Gjermani nga Kosova. Por, në qoftë se njeriu e ka mendjen e shëndoshë dhe dëshiron t’i përmbushë të gjitha rregullat e vendit ku jeton e punon, atëherë mundet pa problem me i përballuar të gjitha.

Ju jeni që 25 vjet në Gjermani?

Sami Hyseni:  Atëherë kam pasur 19 vjeç. Ashtu si fëmijë kam qenë i gjallë, energjik, e kam parë jetën shumë më përpara se gjenerata ime. Kam filluar me gjëra të mira, me pas shoqëri të mirë afër vetës, por edhe me shumë punë.

Ju jeni nga Mitovica?

Sami Hyseni: Unë jam i lindur në Pasomë të Vushtrrisë. Por, jetojmë një kohë të gjatë në Mitrovicë.

Çfarë punoni në Gjermani?

Sami Hyseni: Kur kam ardhur në Gjermani, fillimisht jam marrë me gastronomi. Kam qenë shumë i suksesshëm në këtë fushë. Kam takuar shumë njerëz të mirë. Aty kam parë hapat e parë se si bëhet punë në vendet perëndimore, ose në Gjermani, më saktë në këtë rreth ku jetoj. Prej gastronomisë kam dalë në hoteleri, jam pronar i disa hoteleve. Kam pasur sukses shumë të mirë në këtë fushë. Një prej hoteleve që e kam ka qenë pronë e një familje prej Izraeli. Ata kanë qenë 250 vjet pronarë të këtij hoteli. E kam blerë prej tyre dhe tani jam pronar i hotelit Continental në Koblenz.

 

Z. Hyseni, është vështirë si i huaja të arrish sukses në një vend të huaj?

Sami Hyseni: Ta mendosh në fillim, duket si diçka që nuk bëhet, si e paarritshme. Por me punë, vërtetë mund të arrihen të gjitha. Pastaj, si fillestar kur ne kemi ardhur nuk e kemi pasur familjen me vete, shoqërinë jo, gjuhën nuk e kemi ditur. Gjithmonë me dilema, do të studio, do të punoj, apo çfarë të bëj përpara. Është problem për fillestarët, por, përsëri them me punë mund t’i arrijë të gjitha, secili.

Sot, ju keni gjithë këtë biznes në Gjermani. Keni menduar ndonjëherë të bëni investime në Kosovë?

Sami Hyseni: Unë kam qenë me investitorë të ndryshëm në Kosovë. Kemi menduar që të investojmë në vendin tonë. Është në mendjen tonë gjithmonë që të kthehemi një ditë dhe të investojmë në vendin tonë. Mirëpo, janë disa rrethana që pengojnë. Kosova ende nuk i ka të rregulluara shumë çështje, në mënyrë që investitorët e huaj të investojnë. Besoj që një ditë edhe Kosova do t’i rregullojë gjërat dhe ne do të kthehemi një ditë.

Keni provuar të bëni investime. Konkretisht çfarë ka qenë pengesë për ju?

Sami Hyseni: Është me rëndësi të thuhet se investimet e huaja që bëhen në Kosovë, është më rëndësi për Kosovën. Mirëpo, një gjë duhet ta dinë të gjithë: për me bë një investim të shëndoshë, nuk mundet një biznesmen prej Gjermanisë, apo prej vendeve perëndimore, me bë atë hap dhe me mendue qytetarët e Kosovës se ai investitor do të sjellë një diamant. Atë ta harrojnë të gjithë. E vetmja punë mund të bëhet, vetëm në qoftë se politika kosovare të na ndihmojë me bankat evropiane ose botërore. Atëherë mundet me ardhur një investitor i qëllimshëm dhe i suksesshëm që me arrit atë që mendon. Shqiptarët në Kosovë ndoshta mendojnë që nëse vijnë investitorët do të hapen dyert. Kjo nuk do të arrihet kurrë, në qoftë se bankat evropiane, ose botërore nuk i hapin dyert. Ato i hapin dyert, në qoftë se politika kosovare mundet me i bindë këto banka se ne kemi nevojë për investitorë.

 Çfarë lehtësirash ju ofron shteti gjerman për të bërë biznes?

 Sami Hyseni: Gjermania i ka disa anë pozitive që disa shtete tjera nuk i kanë. Për shembull, ligjet që i ka në fuqi, zbatohet në tërësi. Pa ligje nuk mundet njeriu me punu. Unë kam qenë me disa investitorë në Kosovë dhe në vende tjera dhe çështja e zbatimit të ligjeve është ende shumë larg në krahasim me Gjermaninë. Për këtë arsye edhe njëherë po them tash për tash nuk mund të vijë një investitor të investojë në Kosovë.

Çka mund të investohet në Kosovë, sipas mendimit tuaj. Ku mund të investonit, për shembull?

Sami Hyseni: Kjo është pyetje shumë me rëndësi, është edhe çelësi i biznesit. Ne gjithmonë duhet t’ia bëjmë vetës pyetjen, pse duhet të vijë një investitor në Kosovë?! Ne kemi fuqinë punëtore të lirë, kemi pasuri që një investitor ka interes. Por, po përsëris vetëm nëse bankat botërore i hapin dyert atëherë, ndryshe nuk do të ketë investitorë të huaj. Një gjë duhet ditur: nuk ka biznesmen në botë, i cili vjen dhe jep 100 % e parave të veta dhe investon në Kosovë, por as në vende të tjera. Një investitor i suksesshëm mund të vijë, në qoftë se rreziku ndahet në dy pjesë: investitori duhet të ketë 50% të rrezikut dhe 50% duhet ta ketë shteti, apo banka evropiane apo botërore. Shpesh dëgjoj që thuhet në Kosovë, se shumë investitorë të huaj janë të interesuar të investojnë në Kosovë. JO. Politikanët kosovarë mendojnë se është e mjaftueshme të thuhet se Kosova i ka hapur dyert për investitorë të huaj. Dyert i kanë hapur gjermanët shumë para nesh, por përsëri ka investitorë jo shumë të mëdhenj që vijnë këtu. Secili shtet në botë i hap dyert për investime. Por, Kosova duhet të shtrojë këtë pyetje që bëtë ju: Pse një investitor mund të vijë në Kosovë për investime, kjo është pika që ne duhet ta mësojmë dhe ta dimë?

Z. Hyseni ju keni qenë edhe iniciator për formimin e Unionit të Biznesmenëve shqiptarë në Gjermani. Cili është misioni i këtij unioni?

Sami Hyseni: Po, kam qenë iniciator që të formohet Unioni i Biznesmenëve në Gjermani. Qëllimi është që ne shqiptarët të kemi kontakte të përbashkëta dhe njëherë të bëjmë një investim të përbashkët në Kosovë. T’i ndajmë mendimet bashkë për Kosovën, por edhe raste të ndihmave, siç ishte rasti i bursave për studentë nga Kosova.

Si e shihni tendencën e të rinjve për tu larguar vazhdimisht nga Kosova, për të gjetur punë në Gjermani, ose në vende tjera. Keni raste kur keni takuar ose kanë kërkuar punë edhe këtu te ju?

Sami Hyseni: Unë vetë i kam ftuar dhe disa prej tyre punojnë këtu te unë. Tash për tash i kam 10 persona, të cilët kanë ardhur për një kohë të shkurtër. Është shumë me rëndësi për të rinjtë nga Kosova që vijnë këtu, sepse ata aftësohen në profesione se si punohet në vendet perëndimore. Ata në një far mënyre edukohen dhe aftësohen në profesione të ndryshme, përveç të mirave material që sigurojnë për ta dhe familjet e veta.

Ju keni mbështetur disa projekte të shqiptarëve, si Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Për shembull?

Sami Hyseni: Po, kjo Lidhje u formua në hotelin tim. Kam qenë gjithmonë përkrahës i shkrimtarëve. Për mua kjo Lidhje është shumë e rëndësishme dhe unë do t’i mbështesë, sepse krijuesit i çmojë shumë. Një ndër projektet që kam mbështetur është edhe Konferenca e Brukselit, ku është diskutuar për ndihmat që iu kanë dhënë shqiptarët hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore. Besoj që ndonjëherë nëse kërkojmë ndihmë prej Izraelit, ata do të na mbështesin. Kjo është edhe njëra prej arsyeve që unë jam në hotelin Continental, që hebrenj nga Izraeli e kanë pasur 250 vjet dhe tani është pronar shqiptari, unë Sami Hyseni.

Keni fëmijë, ju flisni për Kosovën?

Sami Hyseni: Po, kam tre fëmijë. Në shtëpi flasim shqip. Ju flas për Kosovën, kulturën tonë.  Djali i madh, Edisoni, dëshiron të bëhet aktor, ai ka një projekt me Bacin Qumil, ndoshta do të arrijë të bëhet aktor i suksesshëm edhe në Gjermani e në vende tjera.

Vini shpesh në Kosovë?

Sami Hyseni: Po, vij kur kam kohë.

Çka të pëlqen dhe çka të pengon më shumë kur je në Kosovë?

Sami Hyseni: Kur shkon prej vendeve evropiane i sheh disa ndryshime pozitive, por edhe negative, të cilat mendoj se do të ndryshojnë në të ardhmen. Një fjalë popullore thotë: nëse një katunar do të bëhet qytetar, atij i duhen tri gjenerata që të bëhet qytetar. Por edhe një qytetar nëse do të bëhet katunar, atij i duhen tri gjenerata. Pra, nuk shkojnë gjëra shpejt që Kosova të ketë një kulturë ose të bëhet një shtet siç është Gjermania, apo vendet tjera të Evropës.

Intervistoi: Hyrë Tejeci Murati