Strategjia e Moskës – përçaj dhe sundo

Strategjia e Moskës – përçaj dhe sundo

Strategjia fitimprurëse e ndjekur nga Moska, për t`i nënshtruar fqinjët e saj, është politika klasike imperiale “përçaj e sundo”. Edhe pse Kremlini mund të mos sundojë mbi vendet që i nënshtron, me grishjen e fqinjëve kundër njëri-tjetrit mund ta dobësojë mbrojtjen e tyre, si dhe ta parandalojë lindjen e një fronti shumëkombësh të përbashkët që do t’i rezistonte Moskës.

Janusz Bugajski

Analist i politikave

Që prej pushtimit të Ukrainës, propaganda e sponsorizuar nga shteti i Rusisë është fokusuar tek gërryerja e marrëdhënieve ndërmjet Ukrainës dhe fqinjëve të saj perëndimorë, që të izolohet e destabilizohet vendi. Polonia dhe Hungaria kanë qenë dy caqet kryesore të ofensivës së Moskës.

Në rastin e Polonisë, deklaratat për politika, raportet mediale dhe rrjetet sociale të prodhuara nga Moska, janë fokusuar tek mosmarrëveshjet historike e afatgjata ndërmjet Varshavës dhe Kievit, që të dobësohet përkrahja e Polonisë për pavarësinë e Ukrainës dhe vetëmbrojtja e saj kundrejt agresionit të Rusisë.

Kremlini gjithashtu inkurajon Budapestin që të bëjë fushatë për pakicën hungareze në rajonin transkarpatian të Ukrainës. Me paraqitjen e Ukrainës si shtet i dështuar, Moska pretendon të përballet me probleme përditë e më serioze etnike në rajone si Transkarpatia. Strategjia e Kremlinit shërben për të bërë trysni ndaj Kievit, duke i portretizuar hungarezët në Ukrainë si potencialisht jolojalë ndaj shtetit, duke nxitur konflikte ukraino-hungareze, si dhe duke rrënuar frontin e përbashkët mes vendeve të Grupit të Vishegradit të Evropës Qendrore kundrejt politikave të Rusisë.

Moska gjithashtu është përpjekur t`i rrënojë marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Bjellorusisë. Propaganda e Moskës ka pretenduar vazhdimisht që militantë ukrainas po infiltrohen në Bjellorusi për të nxitur një revoltë të tipit EuroMajdan në Minsk.

Kremlini mund ta manipulojë një numër mospërputhjesh e kontestesh të tjera për ta shtyrë përpara agjendën e vet. Tensionet e heshtura mes Serbisë e Kroacisë, Malit të Zi apo Kosovës, ndërmjet Maqedonisë e Greqisë, Rumanisë e Moldavisë, apo Rumanisë e Hungarisë, mund të rindizen me anë të propagandës e provokimeve, ndërsa çështjet e pakicave në shumë shtete evropiane gjithashtu mund të nxiten për t`i rritur konfliktet.

Për t’u ballafaquar me strategjinë “përçaj e sundo”, si dhe për ta shmangur rënien në grackat e Moskës, çdo qeveri e shënjestruar duhet t`i ndjekë tri politika. Së pari duhet ta rrisin vetëdijen e publikut mbi cenueshmërinë politike e informative kundrejt sulmeve të frymëzuara nga Kremlini.
Së dyti, ato mund të krijojnë grupe bilaterale pune, të përbëra nga mendimtarë e specialistë, që të monitorojnë e ekspozojnë burimet e ndryshme të propagandës përçarëse të nxitur nga jashtë. 

Së treti, përzierja e Moskës mund të përdoret në mënyrë konstruktive si mundësi për t`i zhvilluar iniciativat rajonale, sidomos në sferën e informacionit. Këto mund të përfshijnë bashkëpunimin medial, tryezat e rrumbullakëta për TI, siguri kibernetike, këmbime kulturore, si dhe programe arsimore. Edhe pse kontestet afatgjate ndërmjet disa vendeve nuk do të zhduken brenda ditës, më së paku, çdo shoqëri duhet të jetë e vetëdijshme kur pala e tretë grabitqare synon ta eksploatojë për dobitë e veta.