Amerika është cak i lehtë

Amerika është cak i lehtë

Ndërhyrja e Moskës në zgjedhjet presidenciale në Amerikë në vitin 2016 demonstron se Amerika është bërë cak i lehtë për subverzion. Shërbimet ruse të inteligjencës hetuan politikën amerikane për shumë vite, duke kërkuar marrjen e inteligjencës dhe të kenë ndikim. Sidoqoftë, Kremlini është bërë më ambicioz në qëllimet e tij dhe më i aftë në operacione.

Janusz Bugajski
Analist i politikave

Shërbimet shtetërore ruse u fokusuan vetëm në pesë pika hyrëse për të ndikuar në procesin e zgjedhjeve në Amerikë, duke hakuar, mashtruar, korruptuar, komprometuar dhe duke depërtuar. Përgjimet e hakuara ruse dhe lëshuarja e dokumenteve personale për të diskredituar politikanë amerikanë të targetuar. Në zgjedhjet e vitit 2016, Hillary Clinton dhe Partia Demokratike ishin caqe primare të hakimit të emailave. Dokumentet e vjedhura i janë dhënë Wikileaks-it, një surrogat ky i shërbimeve ruse të inteligjencës. Duke mashtruar, komplotuar dhe shpërndarë tregime të rrejshme për kandidatët e zgjedhjeve si përmes mediave tradicionale dhe sociale me qëllim të përhapjes së thashethemeve që nguliten në mendjen e votuesit, edhe nëse tregimet më pastaj përgënjeshtrohen. Vegla e tretë e ndërhyrjes ruse është korrupsioni dhe përfshin joshjen, dhënien e ryshfetit dhe rekrutimin e aktivistëve politik, lobistëve, gazetarëve dhe akademikëve për të përmbysur sistemin demokratik të Amerikës.

Strategjia e katërt e Rusisë fokusohet në mbledhjen e materiale skandaloze për ti shantazhuar politikanët e targetuar. Padyshim, janë mbledhur materiale të postuara komprometuese si për Klintonin ashtu edhe për Trumpin. Kremlini mund t’i mbaj këto materiale komprometuese në rast se i duhen për të gjeneruar skandale ndaj një presidenti në detyrë dhe për të minuar politikat e Shtëpisë së Bardhë. Metoda e pestë është depërtimi rus. Përbëhet nga hakerët e rekrutuar nga Kremlini, që kanë arritur të kenë qasje në radhët zgjedhore dhe sistemin e votimit. Qëllimi është të nxirren informata për votuesit dhe të ndikohen rezultatet e zgjedhjeve. Hetuesit ende nuk e kanë përcaktuar se çfarë efekti kanë mundur të kenë këto në numërimin e votave.

Pesë metodat e Moskës për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve mbështeten në kushtet e favorshme politike dhe sociale. Polarizimi politik ndërmjet republikanëve dhe demokratëve është i dukshëm në Kongres ku ka fare pak përpjekje bi-partizane për miratimin e legjislacionit. Në ndërkohë elektorati thellë i ndarë është i prirë për teori konspirative dhe propagandë negative. Një mjedis i tillë i polarizuar nxit edhe naivitet rreth qëllimeve strategjike të Moskës. Ideja se lufta e ftohtë ka përfunduar dhe se Rusia mund të jetë partner ka lejuar shumicën e establishmentit politik të flenë derisa filloi të shfaqej skandali i Trumpit me Rusinë. Moska e di se Amerika vazhdon të jetë një shoqëri e cenueshme me një ndjenjë të rrejshme të sigurisë. I mbetet tash Shteteve të Bashkuara të ndërtojnë mbrojtjen e vet ndaj sulmeve të ardhshme të Rusisë në zgjedhje.