Kontradiktat e Ballkanit

Kontradiktat e Ballkanit

Ballkani është kthyer nga pushimi dhe ballafaqohet me një vjeshtë sfiduese. Muajt e fundit kemi qenë dëshmitar të zhvillimeve kontradiktore në regjion, të udhëhequra nga ambiciet vendore politike dhe ndikimet nga jashtë.

Janusz Bugajski
Analist i politikave

Në skenarin më të mirë, progresi është shënuar sa i përket sigurisë afatgjatë në regjion dhe anëtarësimit në NATO dhe BE. Në rastin më të keq, konfliktet zgjerohen sepse kontestet e përhershme regjionale ende nuk janë zgjidhur.

Në orvatjet ndërkombëtare për të reformuar dhe integruar regjionin janë shënuar hapa të rëndësishëm gjatë verës. Mali i Zi iu bashkua NATO-s në qershor dhe kishte për vizitë zëvendëspresidentin e SHBA-së, Mike Pence. Në Samitin e Kartës së Adriatikut, Pence inkurajoi zgjerimin e mëtejmë të NATO-s në regjion.

Në frontin e BE-së, gjashtë liderët nacionalë u takuan në korrik me homologët e tyre në Samitin e Triestes për të promovuar integrimin regjional dhe në BE. Në Samit janë zotuar 1.4 miliard euro për të financuar njëzet projekte infrastrukturore, energjetike dhe në fushën e transportit në tre vjetët e ardhshëm. Në mesin e propozimeve të ndryshme është edhe ndërtimi i hekurudhës perëndim-lindje nga Shqipëria në Bullgari, me të cilën do të lidhej Deti Adriatik me atë Baltik. Me këtë jo vetëm se do të lehtësohej udhëtimi dhe tregtia, por edhe do t’i sigurohej NATO-s një lidhje e rëndësishme logjistike anembanë regjionit.

Kjo verë gjithashtu solli edhe lajme të brendshme pozitive. Shqipëria organizoi zgjedhje legjitime kombëtare dhe me shpejtësi krijoi qeverinë e re, të zotuar ndaj anëtarësimit në BE. Maqedonia më në fund vendosi administratën e re, në udhëheqjen e social-demokratëve, dhe është e gatshme për të zgjidhur kontestet e Shkupit me Greqinë dhe Bullgarinë dhe për të ripërtërirë synimin e vendit për të hyrë në NATO dhe BE.

Megjithatë, sa herë dëgjojmë lajme të mira në regjion, menjëherë pa dallim pasojnë edhe lajme të këqija. Tre muaj pas zgjedhjeve, ende jemi duke pritur për një qeveri të re e cila mund të ringjallë negociatat e Prishtinës me Serbinë dhe t’ju mundësojë dy shteteve të lëvizin tutje me hyrje në BE. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, vendimmarrja pengohet nga interesat speciale të cilat kërkojnë të destabilizojnë shtetin funksional. Udhëheqësit e serbëve të Bosnjës kanë bllokuar Sarajevën në nënshkrimin e Traktatit të BE-së për Komunitetin e Transportit në Trieste.

Në një lëvizje tjetër negative, liderët e Greqisë, Serbisë dhe Bullgarisë janë takuar në Selanik në korrik, në ndjekjen e politikave që minojnë sigurinë regjionale. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kërkoi nga kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, që të vazhdojë të mbështesë mosnjohjen e Kosovës, derisa Tsipras nënvizoi se Maqedonisë nuk do t’i lejohet të hyjë në NATO dhe BE pa e ndërruar emrin e saj me miratimin e Athinës.

Me afrimin e vjeshtës, lufta ndërmjet projekteve evropiane dhe ruse për regjionin e Ballkanit do të intensifikohet. Kjo e bën imperativ që Uashingtoni të marrë një rol më të spikatur në zhbllokimin e avancimit të Maqedonisë dhe Bosnjës në drejtim të NATO-s dhe kundërshtimin e diversioneve të Moskës. Po ashtu siç Polonia, Romania dhe tri shtetet baltike përbëjnë frontin lindor të NATO-s, vendet ballkanike janë tani pjesë e frontit të ri të brendshëm të NATO-s.