Katalonja nuk është Kosovë

Katalonja nuk është Kosovë

Pas referendumit të Katalonjës për pavarësi, disa politikanë kanë barazuar Katalonjën me Kosovën. Krahasime të këtilla, jo vetëm që janë çorientuese, por gjithashtu nxisin jostabilitet në Gadishullin Ballkanik dhe atë Iberik.

Janusz Bugajski, Analist i politikave


Kosova ka fituar pavarësinë nën mbikëqyrjen e NATO-s dhe BE-së, pas një fushate të vrasjeve masive, të udhëhequr nga regjimi i Millosheviqit kundër popullatës së Kosovës, e pas së cilës, qëndrimi me Serbinë ishte i pamundur. Katalonja është duke testuar demokracinë spanjolle dhe të drejtën për vetëvendosje regjionale, e cila përfundimisht do të mund të rezultonte me ndarje nga Spanja.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka theksuar se BE-ja ka qenë hipokrite me njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa i refuzon aspiratat e Katalonjës për shtetësi. Daçiq, në mënyrë të përshtatshme ka harruar historinë e fundit. Beogradi ka humbur legjitimitetin për të administruar me popullatën, të cilën, qeveria e tij kishte kërkuar ta dëbonte ose vriste në mënyrë sistematike, dhe me këtë, kishte nxitur intervenimin e NATO-s. Shtetet që humbin luftërat, pa dallim, humbin tokat të cilat i kanë pushtuar ose brutalizuar.

Disa qeveri në BE ishin frikësuar se pavarësia e Kosovës do t`i destabilizonte disa prej vendeve multietnike evropiane. Në realitet, shpërbërja e Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Çekosllovakisë, si dhe krijimi i më shumë se njëzet shteteve të reja, nuk kishte nxitur shkatërrimin e demokracive në Evropën Perëndimore. Ndryshe nga Kosova, katalonasit dhe kombet tjera nuk janë ballafaquar me vrasje masive nga duart e shtetit qendror, dhe nuk ishte nevojitur intervenimi i çfarëdo force ndërkombëtare të sigurisë për ta parandaluar gjakderdhjen e mëtejme.

Edhe pse Kosova nuk shërben si model për Spanjën, ekziston një lidhje e veçantë ndërmjet Madridit, Prishtinës dhe Beogradit. Spanja është një nga pesë vendet e BE-së që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa Qeveria e Serbisë ka lavdëruar qëndrimin e Spanjës.

Megjithatë, kjo lidhje tash mund të fillojë të tensionohet. Krahasimi që i Beogradi i bën Kosovës dhe Katalonjës në Madrid dhe Barcelonë, do të mund të interpretohej si vendosja e shenjës së barazisë ndërmjet Millosheviqit dhe kryeministrit Roja.

Moska gjithashtu ka shfrytëzuar kontestin katalano-spanjoll. Secila palë e zgjedhjeve dhe referendum evropian ofrojnë mundësi për Kremlinin që t`i inkurajojë mosmarrëveshjet dhe ndarjet brenda BE-së. Moska ka promovuar ndarjen e Spanjës, me gjithë faktin që Madridi ka qenë i butë ndaj Putinit, duke bërë thirrje për zbutjen e sanksioneve, për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ndoshta është koha për autoritetet spanjolle që, jo vetëm të angazhohen për një dialog të frytshëm me udhëheqësit katalonas, por edhe për të sqaruar dallimin ndërmjet Katatonjës dhe Kosovës, dhe për të përqafuar një politikë më kategorike ndaj Rusisë.