Tri paradokset e politikës së SHBA-së

Tri paradokset e politikës së SHBA-së

Në nëntë muaj të Presidencës Trump, tri paradokse të mëdha kanë qëndruar në politikën amerikane karshi Evropës. Zgjidhja e këtyre paradokseve, për të forcuar urën transatlantike, është sfida kryesore për pjesën tjetër të kësaj dekade.

Janusz Bugajski
Analist i politikave

Paradoksi i parë i SHBA-së ka të bëjë me Bashkimin Evropian. Pozicioni i Trumpit ka qenë se BE-ja është një konkurrente e Amerikës e jo partnere. Ky qëndrim është kryesisht një rezultat i nacionalistëve ekonomikë që ende kanë ndikim mbi presidentin dhe që mbështesin shpërbërjen e Bashkimit Evropian. Në kontrast të theksuar, atlantistët (NATO-istët) në administratë e kuptojnë rëndësinë e BE-së për t`i penguar konfliktet e reja nacionaliste, dhe e shohin atë si partner kryesor tregtar të Amerikës.

Paradoksi i dytë sillet rreth NATO-s. Kur ishte një kandidat, Trumpi e shpalli Aleancën si të vjetëruar. Pozicioni i tij ndryshoi në mënyrë dramatike pas marrjes së detyrës. Në të vërtetë, administrata ka ndërmarrë hapa për ta forcuar NATO-n dhe për ta rritur sigurinë perëndimore.

Dy faktorë kryesorë janë duke bërë të mundur që Trumpi ta ringjallë Aleancën: paralajmërimet e tij për shpenzimet e pamjaftueshme të NATO-s dhe ekipi i tij strategjik i sigurisë kombëtare. Disa qeveri aleate tani kanë premtuar t`i rrisin shpenzimet e tyre dhe kapacitetet e tyre ushtarake.

Ekipi i Trumpit po vazhdon ta rrisë forcën e përparuar të NATO-s (EFP) përgjatë bregut lindor, duke rritur ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes amerikane dhe duke punuar më ngushtë me aleatët evropianë të angazhuar për qëllimet amerikane.

Paradoksi i tretë i SHBA-së është çështja e Rusisë. Trumpi ende ka mundur ta shmangë drejtpërdrejt kritikën ndaj Vladimir Putinit, por administrata dhe Kongresi kanë mprehur më shumë politikën e tyre ndaj një kundërshtari ekspansionist. Moska gjithnjë e më shumë frikësohet se Trumpi nuk do ta përmbushë premtimin e fushatës së tij, për ta ndjekur një bashkëpunim më të ngushtë.

Përveç kësaj, Kongresi ka miratuar me shumicë dërrmuese një projektligj të ri të sanksioneve kundër Moskës, për shkak të ndërhyrjes në zgjedhjet e SHBA-së. Kjo ka pasoja financiare për oligarkët e lidhur me Kremlinin, duke përfshirë ngrirjen e llogarive bankare, dhe garanton që presidenti nuk mund t`i anulojë sanksionet në mënyrë të njëanshme.

Për më tepër, hetimeve të intensifikuara mbi bashkëpunimin potencial ndërmjet fushatës së Trumpit dhe shërbimeve të inteligjencës së Rusisë, presidenti do të duhet të tregojë se nuk është nën ndikim të Putinit.

Pavarësisht pritjeve fillestare të Kremlinit, Shtëpia e Bardhë e Trumpit nuk po lëviz drejt një rivendosjeje të re të marrëdhënieve. Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë se Uashingtoni mund të negociojë vetëm me Rusinë nga një pozicion i fuqishëm. Derisa shkalla e penetrimit rus në sistemin politik të SHBA-së të zbulohet nga hetimet e FBI-së, atëherë do të intensifikohet vrulli për presion kundër Moskës.