Yllkë Morina e përshkruan luftën në librin e botuar në gjuhën frënge

Yllkë Morina e përshkruan luftën në librin e botuar në gjuhën frënge

Yllkë Morina Alijaj, e cila tash e disa vite jeton në Francë, ka folur në mikrofonin e Radio France (RCF) - Departamenti Haute Loire, për librin e saj ‘’ Odeurs d’Enfants‘’  që në gjuhën shqipe do të thotë ‘’Era e fëmijërisë’’.

Ky libër përshkruan përjetimet e familjes së saj, në përpjekje për t'iu shmangur pasojave të Luftës së Kosovës për liri, duke filluar që nga rezistenca e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar e deri në çlirimin e Kosovës nga regjimi fashist i Millosheviqit. Kjo intervistë është një mundësi për ta rikujtuar këtë histori.

Ju tregoni në këtë libër ngjarjet dhe përpjekjet tuaja, duke filluar nga viti 1990 e tutje, të periudhës së një regjimi tejet represiv dhe mizor, që është udhëhequr nga Slobodan Millosheviqi. Ishin raporte shumë të tensionuara me Serbinë dhe lufta shpërthen në vitin 1998, ndërsa përfundon me  Marrëveshjën e Kumanovës në qershor të vitit 1999. Ju i përkisnit  komunitetit shqiptar, a mund të na thoni se cila ishte pozita e popullit tuaj në këtë vend gjatë kësaj periudhe?

Yllka: Siç e thatë edhe ju, unë vij nga një vend që është shpallur i pavarur në vitin 2008, pas shumë vuajtjeve që kemi pasur më parë. Unë isha fëmijë kur e përjetova këtë luftë. Atëherë jetoja në zemër të Kosovës, në Drenicë, një regjion që ishte gjithmonë zonë e luftimeve. Pra, unë dhe familja ime jetonim në vorbullën e këtyre ngjarjeve.

Si trajtohej komuniteti shqiptar gjatë kësaj periudhe?

Yllka: Ne ishim tërë kohën të kërcënuar me jetë, ishim të privuar nga shkollat, unë si fëmijë nuk mund të shkoja në kinema, të vizitoja monumente kulturore e historike... nuk mundesha ta jetoja jetën e një fëmije, isha e privuar nga të gjitha këto, bile edhe nga shkuarja në shkollë, sepse nga fundi i asaj periudhe na ishte ndaluar neve shqiptarëve, edhe shkuarja në shkollë, kjo iu lejohej vetëm fëmijëve të serbëve. Më pastaj filluan edhe ofensivat (veprimet luftarake gjithandej).

Ju a e patët kuptuar menjëherë rrezikun nga lufta që po vinte apo pasi që ajo veç kishte filluar, pra kur lufta ishte në zhvillim e sipër?

Yllka: Filloj pak nga pak, e ndjeja tensionimin e gjendjes gjithandej, mes fqinjëve por edhe në  mesin e familjes sime, pasi që babi ishte i kyçur në radhët e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ishte në themelim e sipër. Tërë kohën dëgjoja duke folur se nuk mund të qëndrojmë edhe më tutje kështu, pa bërë asgjë, duhet ta mbrojmë popullin tonë si të mundemi e si të dimë. Pra, atëherë e ndjeja që kishte diçka të rrezikshme, pasi që edhe shkollat ishin ndaluar.

E babai juaj, për të cilin flisni shumë në librin tuaj, bile e keni afishuar edhe në kopertinën e librit foton e tij, çfarë prezantonte ai për juve, çfarë imazhi kishte para jush?

Yllka: Babi im ishte dhe është akoma hero i imi dhe i familjes time, por dhe i Kosovës. Ishte angazhuar në Ushtri qysh në fillim, së pari në fshehtësi e më pastaj, ka fundi i kësaj periudhe iku dhe shkoj për të luftuar, duke na lënë neve vetëm.

Përse babai i juaj nuk ishte angazhuar direkt në konflikt, respektivisht në forcat e Kosovës qysh në fillim?

Yllka: Sepse ky veprim i tij do ishte shumë i rrezikshëm. Ai dëshironte që të na mbronte neve e në të njëjtën kohë angazhohej ilegalisht, sepse nëse forcat serbe do e kuptonin që ai ishte i përfshirë në këto ngjarje, neve do na vritnin dhe likuidonin të gjithëve.

Çka ishte për ju më e vështirë gjatë kësaj periudhe, izolimi, ikjet, kontaktet e shkëputura në  mes familjes dhe familjarëve e vështirësitë tjera që kishit ndonjëherë?

Yllka: Për mua gjëja më e vështirë ishte fakti se gjithmonë ishim në ikje, ndërronim vendqëndrimet gjatë tërë kohës, gjoja për të qenë më të sigurt, por më e vështira prej të gjitha situatave ka qenë sëmundja e nënës time, e cila pati pësuar një traumë shumë të rëndë psikologjike, duke humbur kështu edhe kujtesën. Unë isha fëmija më i madh dhe që  duhej të përkujdesesha për vëllezërit dhe motrën që ishin më të vegjël se unë, por edhe për nënën e sëmurë.

Juve, kjo gjendje, ju ka bërë që të rriteni më shpejt, pra, të bëheni para kohe e rritur, respektivisht është dashur të rriteni më shumë se sa keni pasur vite?

Yllka: Po, kështu ishte. Unë nuk mund t’i përjetoja ëndrrat e fëmijërisë dhe jetën fëmijërore si një fëmijë që isha, porse isha e detyruar të merresha edhe më gjërat e të rriturve, isha e preokupuar si t’i ruaja dhe mbroja vëllezërit dhe motrën time të vogël duke u kujdesur për ta dhe nënën time, e cila nga trauma që kishte përjetuar nuk na njihte as neve fëmijëve të saj.

Ju jeni këtu për të folur edhe për librin tuaj, si erdhët tek ideja për ta shkruar këtë libër?

Yllka: Thuhet se kush e ka përjetuar luftën, nuk do e harrojë kurrë, edhe unë i kisha gjithmonë në mendje gjërat që i kam parë dhe përjetuar, e në bisedë me miq, duke ua shpjeguar se çfarë kishte ndodhur, me erdhi kjo ide që të gjitha këto do mund t’i shkruaja. Pastaj kontaktova me përgjegjësen e Qendrës Komunale për Aktivitete Sociale, e cila u bë edhe mikja ime. Ajo më kontaktoj me miken e saj, Kristinën, me të cilën filluam të takoheshim nga një herë në javë.

A ishte kjo një krenari, një lloj satisfaksioni për të kaluarën  tuaj, duke shkruar këtë libër?

Yllka: Për mua, së pari ishte një lehtësim dhe shumë më  i rëndësishëm është fakti që ia arrita të editojë, respektivisht publikojë këtë libër. Pra, kjo ma ka lehtësuar shpirtin, duke jetësuar faktin se vetëm ajo që shkruhet nuk harrohet, pra, as lufta e përjetuar mos të harrohet apo fshihet aq lehtë nga memoria, ngase kjo është shumë e rëndësishme për një fëmijë që mos t’i harrojë ato që i ka përjetuar.

Pra, mos të harrohen gjërat që kanë ndodhur?

Yllka: Po pra, ta dinë dhe ta kuptojnë të gjithë se nuk është mirë të hyjnë në luftë të armatosur.

A ishte lehtë te pranohej nga shtëpitë botuese shkrimi i juaj apo ishte pak si vështirë të realizohej kjo?

Yllka: Kam  pasur fatin ta kontaktojë Shtëpinë Botuese ‘‘La Cle du Chemin’’ dhe shfrytëzojë rastin që ta falënderojë shumë zotin Llost, që më ka ndihmuar dhe përkrahur në realizimin e projektit tim, botimin e këtij libri.

Çfarë  lidhjesh ruani me Kosovën?

Yllka: Kosova mbetet gjithmonë vendi im që do ta dua gjithmonë, tani jam në Francë ka 5 vite, por kjo është nje histori tjetër, sidoqoftë Kosova do te mbetet gjithmonë vendi im i dashur.

(Përkthyer nga RTKlive.com)