Kosova mund të përfitojë nga kryesia bullgare e BE-së

Kosova mund të përfitojë nga kryesia bullgare e BE-së

Profesori i Shkencave politike në Universitetit e Sofjes Anton Pançev, tha se kryesimi i Presidencës së BE-së, nga ana e Bullgarisë do të jetë një ndihmesë për Ballkanin dhe për Kosovën.

Pançev në një intervistë për RTKlive, deklaroi se marrëdhëniet politike ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës janë në nivel shumë të lartë dhe vazhdojnë të zhvillohen. Mbështetja bullgare ndaj Pavarësisë së Kosovës është paraqitur në forma të ndryshme, përfshirë edhe me deklaratën pozitive në favor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. 
“Gjatë gjysmës së parë të vitit 2018 në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës duhet të përfundojnë ose të vazhdojnë procese të rëndësishme, të cilat kanë ndikim direkt mbi zhvillimin dhe stabilitetin e Kosovës. Presidenca bullgare e Këshillit të BE-së përkon me këtë periudhë aktive për politikën e jashtme të Kosovës dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm për ecjen e një pjese të këtyre proceseve. Për këtë arsye, Bullgaria dhe Kosova duhet ta shtyjnë edhe më shumë marrëdhëniet e tyre, të cilat, edhe pse se janë në nivel të lartë, kanë potencial për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si politika, ekonomia, kultura etj”, theksoi profesori Pançev. Profesori punon si profesor asistent në Departamentin e Ballkanistikës së Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski”. Ai është lektor i lëndëve: Gjuhë shqipe, Politikat e vendeve ballkanike.

Intervista e plotë: 


RTKlive:  Si e vlerësoni udhëheqjen bullgare të Këshillit të BE-së? 
Pançev:
Bullgaria është shteti i parë ballkanik, anëtar i Bashkimit Evropian, i cili merr Presidencën e BE-së. Kjo ndodhet në një kohë të vështirë për BE-në. Të gjithë dimë për problemet dhe përçarjet brenda Bashkimit – Brexit, kriza me migrantët, ndarjet e ndryshme në lidhje me reformat për të ardhmen e BE-së, mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve në Bruksel dhe disa shteteve nga Evropa Qendrore etj. Bashkimi Evropian ka nevojë nga forcimi i lidhjeve midis anëtarëve dhe nga shuarja e konflikteve të brendshme dhe motoja e Presidencës bullgare është lidhur pikërisht me këtë nevojë. Prioritetet kryesore të Presidencës bullgare, përveç integrimit të shteteve nga Ballkani Perëndimor, janë të lidhura me inovacionet ekonomike. Në këtë periudhë duhet të pranohet strategjia për sigurinë kibernetike, e cila do të ndihmojë funksionimin e tregut të vetëm digjital në Evropë dhe do të përmirësojë lidhjet në të gjitha dimensionet. Kështu do të sigurohet zhvillimi i tregut të vetëm digjital, i cili do ta lejonte funksionimin e tij të përsosur. Një qëllim tjetër është zhvillimi i ekonomisë në bazë të lëvizjes së lirë të të dhënave, e cila nga ana tjetër, e shton nevojën për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për përmirësimin e sigurisë kibernetike. Natyrisht, këto janë probleme, të cilat mund të zgjidhen në një afat më të madh kohor, por gjatë Presidencës bullgare ka gjasa të bëhen disa hapa përpara. Gjithashtu, në gjysmën e parë të këtij viti do të vihen në diskutim në forume të ndryshme në kryeqytetin bullgar tema të tjera, si e ardhmja e të rinjve, për të cilën një rëndësi të madhe ka buxheti i ardhshëm për vitin 2020 në kontekstin e Brexit-it, siguria dhe stabiliteti, me theks mbi migracion, tema e zbatimit të sistemit unik për mbrojtje, rritja ekonomike etj. 
Përveç kësaj, Bullgaria i ka edhe qëllimet e veta. Sofja shpreson që organizimi i mirë të ngjarjeve të shumta – mbi 1500 forume dhe takime gjatë këtyre 6 muajve, do ta pëmirësojë imazhin e saj në Evropë dhe shteti ynë nuk do të lidhet më vetëm me probleme si korrupsioni dhe varfëria.


RTKlive: Çka do të thotë kjo për Bullgarinë dhe Ballkanin? 
Pançev:
Pa dyshim, tema më e rëndësishme gjatë kësaj periudhe do të jetë përparimi i vendeve të Ballkanit drejt BE-së dhe kjo u deklarua zyrtarisht nga liderët bullgarë dhe hyn në programin e Presidencës. Gjatë Presidencës Bullgare, Presidenti i Komisionit Evropian do të dalë me strategjinë për zgjerimin (në shkurt 2018), e cila do të jetë sikurse strategjia e vitit 1997, e cila i ka hapur rrugë zgjerimit të BE-së me anëtarësimin e shteteteve të Evropës Qendrore, pastaj në 2007 edhe me Bullgarinë dhe Rumaninë. Në këtë strategji Presidenti Juncker do të flasë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi deri në vitin 2025, për hapjen e negociatave për Shqiperinë dhe Maqedoninë, marrjen e statusit kandidat për Bosnjën dhe Hercegovinën, si dhe për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, deri në vitin 2019. Natyrisht, këto janë pritjet dhe afatet optimiste, por gjithsesi, BE-ja duhet t’u japë shpresa konkrete këtyre shteteve. Më 17 maj 2018 në Sofje do të mbahet Samiti i BE-së (28 shtete anëtare), në të cilin do të marrin pjesë edhe liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ky samit synohet të jete i pervjetshëm dhe do të na japë mundësi të mira që t’i shtrojmë pyetjet kryesore për të ardhmen e Ballkanit dhe të flitet me parametra konkrete rreth zgjerimit. Të gjitha ato çështje që do të mbeten pa u adresuar në Strategjinë e Junckerit, ka mundësi të adresohen në këtë Samit.

RTKlive: Çka do të mund të ndihmojë Bullgaria në procesin e integrimit Ballkanik? 
Pançev:
Në vend të parë Bullgaria mund të ndihmojë me përvojën e saj, shumë shpesh të hidhur. Bëhet fjalë si edhe për procesin e negociatave për anëtarësim, të cilat u zhvilluan në periudhën 2000-2005, si edhe më vonë, në kohën e anëtarësisë. Tashmë Bullgaria 11 vite është anëtare e BE-së dhe ka mbledhur shumë përvojë jo vetëm përmes pjesëmarrjes në institucionet evropiane dhe marrjes së fondeve financiare etj., por edhe në të gjitha aspektet e integrimit. Shtetet nga Ballkani Perëndimor duhet t’i mësojnë mirë gabimet bullgare në këto procese të bëra si para, ashtu edhe pas anëtarësisë në vitin 2007 që të mos i përsërisin. 
Nuk duhet të harrojmë se është e nevojshme ta zhvillojmë dhe ta përshpejtojmë edhe integrimin ndërmjet shteteve tona në fusha të ndryshme. Veç kështu mund ta stimulojmë besimin e humbur dhe t’i mjekojmë plagët nga e kaluara. Unë shpresoj se gjatë Presidencës bullgare shtetet ballkanike do të kenë arritje konkrete jo vetëm në fushën politike, por edhe në atë ekonomike – nga heqja e roamingut ndërmjet vendeve në rajon deri përpunimin e strategjive konkrete për zhvillimin ekonomik. Përpjekjet duhet të përqendrohen mbi lehtësimin e marrëdhënieve tregtare përmes zvogëlimit të procedurave administrative dhe kryesisht përmes ndërtimit dhe përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Pra, duhet të sigurohen mjete financiare për projekte konkrete. Gjithashtu, integrimi i shteteve ballkanike në BE, të cilat ende nuk janë anëtare, duhet të marrë hov edhe për të ardhmen dhe Presidenca bullgare të mos mbetet vetëm një fushatë të përkohshme, por të shndërrohet në një strategji parimore me hapa dhe afate të qarta sa i përket evrointegrimit të tërë Ballkanit. 

RTKlive: A do të përkrah Kosovën në rrugën drejt BE-së? 
Pançev:
Marrëdhëniet politike ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës janë në nivel shumë të lartë dhe vazhdojnë të zhvillohen. Mbështetja bullgare ndaj Pavarësisë së Kosovës është paraqitur në forma të ndryshme, përfshirë edhe me deklaratën pozitive në favor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2018 në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës duhet të përfundojnë ose të vazhdojnë procese të rëndësishme, të cilat kanë ndikim direkt mbi zhvillimin dhe stabilitetin e Kosovës. Presidenca bullgare e Këshillit të BE-së përkon me këtë periudhë aktive për politikën e jashtme të Kosovës dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm për ecjen e një pjese të këtyre proceseve. Për këtë arsye, Bullgaria dhe Kosova duhet ta shtyjnë edhe më shumë marrëdhëniet e tyre, të cilat, edhe pse se janë në nivel të lartë, kanë potencial për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si politika, ekonomia, kultura etj.

RTKlive: Në cilat segmente mund të përkrahet? 
Pançev:
Presidenca bullgare e Këshillit të Bashkimit Evropian është me rëndësi të veçantë për arritjen e përparimit të konsiderueshëm nga ana e Kosovës në shumë aspekte të politikës së jashtme, siç janë numri i njohjeve të pavarësisë së Republikës nga ana e shteteve-anëtare të BE-së, anëtarësia në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirja e Kosovës në Strategjinë për zgjerimin e Bashkimit Evropian, liberalizimi i regjimit të vizave, negociatat me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së etj. Mendoj se institucionet e BE-së duhet t’u ndajnë vëmendjen e posaçme raporteve ndërmet Kosovës dhe Serbisë. Këto raporte janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e Ballkanit. Sipas meje, BE-ja duhet të angazhohet edhe më shumë në negociata ndërmjet të dyja shteteve. Së pari, Brukseli duhet të insistojë për realizimin në mënyrë të plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik si janë këto për energjinë, për njohjen e diplomave etj., të cilat kanë rëndësi për lehtësimin e jetës së qytetarëve. Në pranverën e këtij viti pritet të rihapen negociatat për normalizimin e marrëdhënieve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto negociata duhet të sjellin rezultate pozitive për tërë rajonin, por pa dyshim do të jenë shumë të vështira dhe do të marrin shumë kohë, sepse Prishtina dhe Beogradi kanë prirje të kundërta sa u përket çështjeve të rëndësishme si autorizimet e Asociacionit të komunave serbe, prona publike, delimitimi i kufirit etj. Sipas meje, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve duhet të vihet si kusht për Beogradin nga ana e BE-së në rrugën evropiane të Serbisë që të mos lejohet tejzgjatjen e këtij procesi.     

RTKlive: Liderët e Kosovës presin shumë nga Udhëheqja bullgare?
Pançev:
Forumet e ndryshme, të cilat do të zhvillohen në Sofje gjatë kësaj periudhe 6 mujore, mund të përdoren me sukses nga liderët e Kosovës për mbrojtjen i interesave të shtetit të tyre sidomos në aspektin e evrointegrimit. Gjatë Presidencës bullgare Kosova mund të shënojë përparim të madh jo vetëm drejt BE-së, por edhe në disa fusha të rëndësishme të politikës së saj të jashtme si njohja nga disa prej vendeve të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, anëtarësimi në organizata të ndryshme rajonale etj. Mendoj se institucionet e Kosovës duhet të dalin me propozime konkrete sipas interesave të shtetit, të cilat mund të diskutohen në takime të ndryshme në Sofje. Kosova ka ekspertë shumë të mirë në fushën e politikës së jashtme dhe në integrimet evropiane, të cilat mund të përgatisin një plan për qëllimet dhe nevojat e Kosovës dhe mjetet për arritjen e tyre në këtë periudhë. Besoj se Presidenca bullgare e Këshillit të BE-së do të jetë shumë e dobishme për integrimin e Kosovës në BE.


Intervistoi: Afet BELA