Nderohen heronjtë Rexhep Mala e Nuhi Berisha

Nderohen heronjtë Rexhep Mala e Nuhi Berisha

Heronjtë e Kombit bënë të mundur që Kosova sot të jetë një vend që ecën e sigurt në rrugën e integrimit evropian.

Kështu u tha me rastin e homazheve në nderim të veprës së dëshmorëve të Kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha.

Homazhe dhe vendosje të kurorave me lule në varrezat e dëshmorëve në Gjilan kanë bërë rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi së bashku me Kryetarin e KD-së së UKZ-së,  zëvendësministrin e MASHT-it, prorektorët, dekanët, prodekanët  dhe sekretarin e përgjithshëm.

Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha shquhen ndër figurat më të ndritura të qëndresës dhe sakrificës sonë kombëtare.

Ata vlerësohen si dy nga figurat qendrore të rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptarë të Kosovës për liri e pavarësi, dhe janë çmuar për trimërinë, sakrificën e lartë dhe aftësitë organizative.

Ndërmjet 11 e 12 janarit, 34 vite më parë, Rexhep Mala e Nuhi Berisha ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

Sot për veprën patriotike të Rexhep Malës e Nuhi Berishes me plot krenari flasin bashkëpunëtorët, bashkëluftëtarët, bashkëfshatarët dhe mbarë Kosova e trevat shqiptare.