Reforma në UP kusht për demokratizimin e shoqërisë kosovare

Reforma në UP kusht për demokratizimin e shoqërisë kosovare

Profesori i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fadil Maloku, ka deklaruar UP-n e shpëton veç departizimi dhe depolitizimi

“Universitetet publike (UP) në Kosovë, do të duhej të bëheshin qendra studimore dhe sosh ekspertizash, ashtu siç është në gjithë botën e civilizuar: Faktor impakti, gjerë tani ishte një ndër kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e punës shkencore dhe akademike në UP, mirëpo praktikat e gjertanishme shkencore nëpër botën demokratike, kanë dëshmuar se tregues më domethënës dhe më kredibil lidhur me avancimet e gradave shkencore se sa indeksi i citimit, tash për tash  s’ka. Këto kritere mendoj se duhet futur pa hamendje edhe në UP”, tha Maloku.

“Në kuadër të fakulteteve, p.sh. do të duhej të përzgjidhen koordinatorët e instituteve shkencore të cilët do të prodhonin projekte të karakterit nacional. Pra, do të bënin studime ekskluzive me dobi nacionale. Gjithashtu, do të duhej të formohej me proceduara të shpejta një MUTUAL TRUST, midis MASHT-it, Rektoratit dhe institucioneve tjera që merren me probleme nacionale të arsimit në Kosovë”, tha ai.

Sipas tij reforma për arsimin tonë s’është ndonjë luks i veçantë, por para se gjithash një nevojë imediate e akomodimit dhe e përshpejtimit të kompetivitetit të shoqërisë dhe ekonomisë sonë me hapësirat euroatlantike;

“Reforma dosido duhet pranuar si një ofertë që garanton se do të kultivojë padyshim partneritetin dhe kohabitimin me standardet më të larta evropiane; Reforma në UP-së është kusht thelbësor për demokratizimin e shoqërisë kosovare. Ngase UP-ja është partizuar dhe politizuar tej mase, prej pasluftës e këndej”, deklaroi profesor Maloku.