Cani: 2018 vit vendimtar për ardhmërinë e Ballkanit Perëndimor

Cani: 2018 vit vendimtar për ardhmërinë e Ballkanit Perëndimor

Gazetari e redaktori i DW Bahri Cani, vlerësoi se Kosovës së fundi iu ka ulur imazhi dhe për këtë janë disa faktorë që kanë ndikuar në këtë zhvillim negativ për vendin.

“Fatkeqësisht në Kosovë nuk ka vizita që janë të nivelit të lartë. Është ulur niveli i vizitave të zyrtarëve që i bëjnë Kosovës, pra është ulur në nivelin administrativ. Kosova ka marrë obligime ndërkombëtarë, në shtetet normale obligimet ndërkombëtare nuk diskutohen”,  tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas tij viti 2018 është viti vendimtar për kahen e ardhmërisë së Ballkanit Perëndimorë. “Bashkimi Evropian në shkurt të këtij viti do të paraqes strategji për Ballkanit perëndimor”, tha ai.

Cani tha se është një paqartësi totale për liberalizim të vizave. “Kosova e ka nënshkruar në vitin 2015 Marrëveshjen për Kufirin me Malin e Zi. Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të respektohen”, tha ai.

Kurse për Gjykatën Speciale, gazetari e redaktori i DW Bahri Cani, vlerësoi se ajo është një obligim ndërkombëtar.

“Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të respektohen. Politikani duhet të mbajë përgjegjësi. Gjykata Speciale nuk është e mirë për Kosovën, por është obligim për Kosovën”, tha ai.

Cani për ofendimin që i bënë Ambasadorit të ShBA-së, tha se nuk duhet të  ofendohet nj diplomat aq i rëndësishëm. ‘Duhet të matet fjala publike, duhet të mendojmë se çka të themi. Një shtet mik siç është SHBA, duhet ta ruajmë atë miqësi”, tha Cani.