Ali Ahmeti ngushëllon familjen Musliu

Ali Ahmeti ngushëllon familjen Musliu

Kryetari I BDI-së Ali Ahmeti ka ngushëlluar me rastin e ndarjes nga jeta të , kryetarit të Kuvendit komunal të Bujanocit, njëherit edhe kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë Jonuz Musliu.

Ahmeti në telegramin ngushëllues drejtuar familjes Musliu, është shprehur se kontributi i tij jetësor, në lëvizje, luftë dhe në paqe do të mbetet përherë në kujtesën kolektive të shqiptarëve.

 E nderuara Zejnepe,

Të dashur Fatlum, Shqiprim dhe Sarand,

Me pikëllim dhe dhimbje të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëshortit dhe babait Tuaj, mikut tim të shtrenjtë, shokut të hershëm, bashkëveprimtarit, luftëtarit të paepur për çështjet mbarëshqiptare.

Më lejoni që në këto momente të dhimbshme, në emrin tim, të familjes sime dhe të të gjithëve ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim, t’ju shpreh juve ngushëllimet më të sinqerta, dhe nëpërmjet jush të gjithë shqiptarëve gjithëandej për humbjen e një udhëheqësi vizionar. 

Unë shpirtërisht jam pranë jush në këtë ditë tejet të vështirë!

Kontributi i tij jetësor, në lëvizje, luftë dhe në paqe do të mbetet përherë në kujtesën kolektive të shqiptarëve.

 Shpirti i Jonuzit u prehtë i qetë.

 I paharruar do të jetë kujtimi për Ty miku im!